OTTO DIX-Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj dhe më të fuqishëm të stilit satirik të Ekspresionizmit Gjerman të pasluftës

in Pikturë by

OTTO DIX

Piktori gjerman Wilhelm Heinrich Otto Dix ka qenë një nga përfaqësuesit më të mëdhenj dhe më të fuqishëm të stilit satirik të Ekspresionizmit Gjerman të pasluftës, i cili lulëzoi gjatë viteve 1920 në Berlin, Drezden, Mannheim dhe në qytete të tjera kryesore. Shënjestra e stilit shprehës satirik, shpesh brutal të Dix-it, ishte tmerri i luftës, për të cilën ai kishte përvojë të dorës së parë, si dhe shthurjet dekadente të Republikës së Vajmarit të pasluftës. Ai ishte i magjepsur nga shëmtia e jetës, siç dëshmon arti i portreteve të tij dhe pikturave të zhanrit në të cilin vëzhgimet realiste karikaturohen dhe shformohen me linja intensive, detaje dhe ngjyra acide. Si anëtar i shkollës Die Neue Sachlichkeit (Objektiviteti i Ri), Dix-i u ndalua nga nazistët, të cilët e klasifikuan artin e tij si art të degjeneruar. I vlerësuar si një nga piktorët më të mëdhenj ekspresionistë të pasluftës, pikturat e tij të viteve 1920 konsiderohen të jenë disa nga pikturat më të bukura të antiluftës në artin modern.

JETA E HERSHME

I lindur në Untermhaus, Gjermani, djali i një punëtori fonderie hekuri, gjatë rinisë së tij, Dix-i kaloi shumë kohë në studion e kushëririt të tij, Fritz Amann-it, i cili ishte piktor. Më pas, ndërmjet moshës 15 dhe 19 vjeç, ai u trajnua në vend, nën kujdesin e artistit Carl Senff dhe filloi pikturimin e peizazheve të tij të para. Në vitin 1910 ai hyri në Akademinë e Arteve dhe Zejeve të Drezdenit. Gjatë studimeve të tij ai mori pjesë në ekspozitat e veprave të Vincent Van Gogh-ut (1853-90) dhe të Futuristëve, që u kthyen në influenca madhore të stilit të tij personal të pikturimit.

LUFTA E PARË BOTËRORE: EFEKTI MBI ARTIN E DIX-IT

Dix-i doli vullnetar për shërbim në ushtrinë gjermane gjatë luftës dhe kjo përvojë traumatike (ai u plagos disa herë) pati një efekt të madh mbi të (ai vuante nga përsëritja e maktheve) që u kthye në një tematikë të vazhdueshme në artin e tij deri në vitet 1930. Pas luftës, ai mori pjesë në klasa arti në Akademinë e Drezdenit dhe në vitin 1919 luajti një rol udhëheqës në formimin e grupit të Suksesionit të Drezdenit – një shoqatë me artistët ekspresionistë dhe dadaistë të angazhuar. Në vitin 1920 ai u takua me artistin George Grosz (1893-1959), një bashkëpunëtor i vonë në lëvizjen e Objektivitetit të Ri; ndërkohë që, i frymëzuar nga Dada, ai filloi të përfshinte elementët e kolazhit në veprat e tij, disa prej të cilave ai i ekspozoi në Panairin e Dada-s në Berlin. Më vonë, gjatë të njëjtit vit, pikturat e tij u shfaqen gjithashtu në ekspozitën e Ekspresionistëve Gjermanë në Darmstadt.

Midis pikturave më të fashme të Dix-it nga kjo periudhë: “Shitësi i Shkrepseve” (1920, Galeria Shtetërore, Shtutgard), ku tregohet një i gjymtuar i verbër, ish ushtar, duke lypur dhe që injorohet nga kalimtarët; dhe “Lufta” (Der Krieg) (1924), një grup me 50 gravura, të përshkruara më vonë si një nga deklaratat më të fuqishme dhe më të pakëndshme të antiluftës në artin modern. Një nga pikturat e tjera, brutalisht të sinqerta të Dix-it, ishte “Hendeku” (1923), e porositur për qytetin e Këlnit. Ajo tregonte kufoma të gjymtuara, të kalbëzuara, të ushtarëve dhe që shkaktuan një potere aq të madhe saqë Muzeu Wallraf-Richartz i fshehu ato pas një ekrani. Konrad Adenauer-i, më vonë Kancelari i parë gjerman i pasluftës dhe më pas Kryebashkiak i Këlnit, e refuzoi pikturën dhe e pushoi nga puna drejtorin e muzeut. Vepra të tjera përfshijnë “Sakatët e luftës duke luajtur me letra” (1920, Koleksion Privat) dhe “Prindërit e Artistit” (1921, Muzeu i Artit, Bazel).

Në vitin 1923, Dix-i pati ekspozitën e tij të parë solo në Galerinë IB Neumann në Berlin dhe një vit më pas u bashkua me Lëvizjen e Suksesionit të Qytetit. Deri në këtë pikë pikturat e tij në vaj po bëheshin gjithnjë edhe më shumë realiste dhe ai po përdorte lustra të holla boje mbi tempera nën pikturë, sipas mënyrës së Mjeshtërve të Vjetër.

GRUPI EKSPRESIONIST I OBJEKTIVITETIT TË RI

Në vitin 1925 ai mori pjesë në ekspozitën e “Die Neue Sachlichkeit” (Objektiviteti i Ri) në Muzeun Mannheim – e cila përfshiu gjithashtu vepra nga artistët modernë, të tillë si George Grosz, Heinrich Maria Davringhausen, Karl Hubbuch, Rudolf Schlichter, Max Beckmann (1884-1950), Georg Scholz dhe të tjera – dhe filloi organizimin e një serie ekspozitash kolektive në qytetet kryesore gjermane. Përgjatë kësaj periudhe, vepra e Dix-it ishte shumë kritike për shoqërinë bashkëkohore gjermane, duke e bërë atë që të nënvizonte aspektet më të ftohta të jetës urbane, të tilla si prostitucioni: shikoni pikturën “Tutorët dhe Prostitutat” (1922, Koleksion Privat). Në të njëjtën kohë, ai ishte një portretist jashtëzakonisht i prerë, ku përdoreshin linja intense, detaje dhe ngjyra acide për të krijuar portrete të fuqishme dhe gravura të miqve të tij. Një shembull i shkëlqyer është piktura “Portreti i Sylvia von Harden-it” (1926, Qendra Pompidou, Paris).

Në fund të vitit 1926, Dix-i u emërua si mësues në Akademinë e Drezdenit, por ai vazhdoi sulmet e tij të hidhura mbi dekadencën dhe korrupsionin e Republikës së Vajmarit, siç ilustrohet nga triptiku i tij “Metropolis” (1928), një sulm përçmues mbi “qejfet e prishura” të kohës.

ART I DEGJENERUAR

Në vitin 1933, në vijim të ngritjes së regjimit të nazistëve, ai u largua nga pozicioni i tij i mësimdhënies, për të cilin ai u përgjigj me pikturën “Shtatë Mëkatet Vdekatare” (1933, Galeria Shtetërore, Shtutgard), një përmbledhje piktoreske e zërave në shfaqje në Gjermaninë e re. Me ngushtimin e kontrollit të nazistëve, Dix-i u ndalua që të ekspozonte veprat e tij në publik – si Emil Nolde (1867-1956), Paul Klee (1879–1940), Kurt Schwitters (1887-1948), Oskar Kokoschka (1885-1980), Ernst Ludwig Kirchner (1880-1938) dhe Marc Chagall (1887-1985) – u etiketua si art i degjeneruar. Pikturat e tij u ekspozuan në ekspozitën e financuar nga shteti në Mynih në vitin 1937 për artin e degjeneruar dhe më vonë u ndaluan. Artisti gjithashtu u detyrua që të bashkohej me Dhomën e Rajhut për Artet e Bukura (Reichskammer der bildenden Kuenste), një nënndarje e Ministrisë së Kulturës së Goebbels-it (Reichskulturkammer) dhe iu kërkua që të vetëpërmbahej tek peizazhet, por ai vazhdoi pikturat e tij alegorike duke kritikuar idealet naziste.

LUFTA E DYTË BOTËRORE DHE PASOJAT

Në vitin 1939, Dix-i u arrestua nga nazistët me akuzat për konspiracion për të vrarë Hitlerin, por ai u lirua më vonë. Drejt fundit të luftës ai u rekrutua në milicinë Volkssturm, u kap nga francezët dhe u lirua në fillim të vitit 1946. Pas vitit 1946, ai mbajti rangun e Profesorit në Drezden dhe Dusseldorf dhe mori shumë nderime nga të dy Gjermanitë: Perëndimore dhe Lindore. Ai gjithashtu vazhdoi të pikturonte për shumë vite, por nuk e tejkaloi kurrë impaktin apo origjinalitetin e pikturave të tij të paraluftës, veçanërisht ato të viteve 1920.

KOLEKSIONET

I konsideruar si një nga piktorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të dhe një figurë me influencë brenda lëvizjes ekspresioniste në Gjermani, veprat e Otto Dix-it varen në shumë nga muzetë më të mirë të Evropës, duke përfshirë: Kunstmuseum Basle, Staatsgalerie, Shtutgard, Muzeun Kombëtar të Artit Moderm, Qëndrën Pompidou në Paris dhe të tjera.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top