Nostalgjia/Andrei Tarkovsky

in Kinema/Letërsi by

Andrei Tarkovsky

Kush është ai paraardhës që flet tek unë? Unë nuk mund të jetoj njëherësh në kokën time dhe në trupin tim. Kjo është arsyeja përse nuk mund të jem një njeri i vetëm. Unë jam në gjendje që të ndiej disa gjëra njëherësh. E keqja më e madhe e kohëve tona është se nuk ka më mjeshtra të mëdhenj. Rruga e zemrës sonë është e mbuluar me hije. Duhet t’i dëgjojmë ata zëra që duken të padobishëm. Duhet të mbushim sytë dhe veshët tanë, me gjëra që do të shënojnë fillimin e një ëndërre më të madhe. Dikush duhet të bërtasë për të thënë se ne do të ndërtojmë piramidat. Nuk ka rëndësi nëse më pas nuk do të mund t’i ndërtojmë! Duhet ta ushqejmë këtë dëshirë. Duhet të shtrijmë cepat e shpirtit sikur të ishin çarçafë pa fund. Nëse doni që bota të ecë përpara, duhet të kapemi për dore. Duhet të bashkojmë të ashtuquajturit njerëz të shëndetshëm dhe të ashtuquajturit të sëmurë. Ej, ju, njerëz të shëndetshëm… Çfarë do të thotë për ju shëndeti juaj? Të gjithë sytë e botës, po shikojnë këtë greminë të madhe ku po biem të gjithë. Nuk na duhet liria, nëse ju nuk keni guximin që ta na shikoni në sy! Të hani me ne… të pini me ne… të flini me ne! Janë pikërisht këta të ashtuquajturit njerëz të shëndetshëm, që e kanë çuar botën në zgrip të greminës. Ti njeri, dëgjo!… tek ti, ujë, zjarr dhe pastaj hi. Dhe kockat brenda hirit. Kocka dhe hi!

Ku ndodhem kur nuk jam në realitet ose në imagjinatën time? Pakti im i ri për botën është ky: le të ketë diell natën dhe borë në gusht. Gjërat e mëdha mbarojnë; janë gjërat e vogla ato që mbeten. Shoqëria duhet të bashkohet sërish, në vend të kësaj përçarje kaq të madhe. Shikoni natyrën dhe do të shikoni se jeta është e thjeshtë. Duhet të rikthehemi atje ku kemi qenë përpara se të merrnim kthesën e gabuar. Duhet të rikthehemi tek themelet e jetës pa e ndotur ujin. Ç’botë është kjo nëse është i çmendur ai që ju thotë se duhet të keni turp nga vetja? Dhe tani, muzikë!

Ajri është ajo gjëja e lehtë, që të vërtitet rreth kokës dhe që bëhet më i qartë kur ju qeshni.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top