NEO-EKSPRESIONIZMI GJERMAN

in Pikturë by

GEORG BASELITZ, NJË PERSONAZH JO-ORTODOKS

Georg Baselitz lindi si Hans-Georg Kern më 23 Janar, 1938, në një Gjermani të ndarë. Në vitin 1961 ai la emrin e tij të lindjes dhe adoptoi pseudonimin e piktorit. Një tribut për qytetin e tij të lindjes Deutschbaselitz (në Saksoni), ai filloi t’i nënshkruante pikturat e tij me emrin Baselitz. Ja disa gjëra që duhet të dini rreth Baselitz-it, një karakter jo-ortodoks.

1. Ai jetonte në një shkollë


Makthi më i keq i çdo fëmije? Baselitz-i e ka jetuar atë. Duke qenë se i ati ishte mësues, Georg jetonte me familjen e tij në mjediset e shkollës. Megjithatë, fatmirësisht, ishte falë bibliotekës së shkollës që ai zbuloi artin për herë të parë, në një libër me vizatime të shekullit të 19-të. Duke lënë një shkollë për një tjetër, ai filloi tek “Hochschule für Bildende und Angeëandte Kunst” në Berlinin Lindor. Shumë shpejt, ai u përjashtua për “papjekuri socio-politike”, kështu që iu bashkua Universitetit të Arteve të Berlinit.

2. Ai pikturonte mbrapsht


Në vijim të një periudhe eksperimentesh, Baselitz-i i priste kanavacat e tij në vija, ai zbuloi një teknikë që më vonë do të kthehej në firmën e tij. Në të vërtetë, në vitin 1969, ai krijoi një vepër të frymëzuar nga motivi i pikturës “Wermsdorfer Wald” të Louis-Ferdinand von Rayski-t dhe e ktheu atë mbrapsht në mënyrë që fundi i pikturës të ishte fillimi ose ‘Druri mbi kokë”. (Der Wald auf dem Kopf). Kjo shpikje do të kthehej në një karakteristikë dalluese të pikturave dhe të identitetit të tij artistik. Baselitz-i e shpjegonte këtë gjest intrigues si një mënyrë për të testuar limitet ndërmjet figuracionit dhe abstraksionit. Për të ishte shumë e rëndësishme që të mos krijonte piktura anekdotike ose përshkruese, siç mund të jenë disa piktura figurative. Nga ana tjetër, atij nuk i pëlqente subjektivizimi i artit. Kjo përmbysje e pikturave i dukej atij si kompromisi më i përsosur.

3. Një artist provokues


Nëse Baselitz-i është i njohur për diçka, ato janë skandalet. Mesa dukej ai e kultivonte këtë imazh të vetes sa më shumë që të mundej. Ai shkaktoi zemërim gjatë ekspozitës së tij të parë solo, të vitit 1963, ku dy prej pikturave të tij më të dashura: “Die große Nacht im Eimer”. (The Big Night Down The Drain) dhe “Der nackte Mann” (Burri lakuriq) u konfiskuan për paturpësi. Kjo u pasua nga një çështje e gjatë në gjykatë, e cila në fund rezultoi me kthimin e veprave të tij.

4. Ai i hoqi pikturat e tij në shenjë proteste


Midis këtyre 10 gjërave që duhet të dini rreth Baselitz-it, kjo është më pak e njohura. Artisti është një njeri i sinqertë dhe i guximshëm. Në vitin 1977, gjatë “documenta 6” në Kassel, në të cilën ai po merrte pjesë me Markus Lüpertz-in, ai i hoqi veprat e tij si shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së piktorëve nga Gjermania Lindore (nga Republika Demokratike Gjermane). Në atë kohë, kjo lëvizje krijoi një skandal, duke i vendosur të dy artistët përpara skenës ndërkombëtare.

5. Ai krijoi “dallgë” në Bienalen e Vencias


Baselitz-i i zgjeroi horizontet e tij krijuese në vitit 1980, duke filluar me bërjen e skulpturave të mëdha prej druri. Të krijuara me një sharrë elektrike, ato morën të njëjtat karakteristika të ftohta, mekanike dhe brutale, si vetë sharra. Gjatë Bienales së Venecias në vitin 1980, Baselitz-i ekspozoi “Model për një Skulpturë”, një vepër jashtëzakonisht e debatuar që paraqiste një figurë të ulur, duke kryer atë që dukej si një përshëndetje naziste. Kjo vetëm sa e rriti reputacionin e tij si një artist provokues dhe kritikët u çmendën pas kësaj. Megjithatë, ai e mbrojti veten, duke thënë se nuk ishte kurrë qëllimi i tij që të evokonte tmerret e regjimit Nazist, por se ishte më shumë një keqkuptim. Opinionet për këtë mbetën të ndara.

6. Ai është fans i punës së Eugène Leroy-t


Ishte gjatë një udhëtimi në Paris që Georg Baselitz-i do të zbulonte punën e Eugène Leroy-t. Ende si student, ky takim la një përshtypje të thellë tek ai. Ai ishte mjaft i dhënë për të shpjeguar sesi i zbuloi pikturat e Leory-t në një shfaqje në Galerinë “Claude Bernard”, ai nuk guxonte të hapte derën e galerisë në rast se do t’i duhej të blinte diçka. Në vend të kësaj, ai ishte mëse i gëzuar që t’i shikonte veprat nga dritarja. Ndonëse, saktësia e këtij kujtimi është kundërshtuar nga një mik i Baselitz-it, ajo mbeti gjithsesi provë e një admirimi të thellë për piktorin francez.

7. Ai eksploron plakjen në pikturën e tij

Georg Baselitz
Surdororeal, 2019
Oil and painter’s gold varnish on canvas
304 x 350 cm (119,69 x 137,8 in)
(GB 2369)

Figurat dhe trupat që ka paraqitur Baselitz-i në vitet e fundit, janë antiteza të siluetave të buta, dinjitoze të asociuara me rininë. Ai pikturon rrudha, lëkura të varura, kocka e tipare të dala dhe flokë të bardhë. Brishtësia dhe madje edhe vdekja, janë pjesë e këtyre pikturave. Baselitz-i tregon se ai nuk ka frikë nga e pashmangshmja; teksa ai plaket, po ashtu plaken edhe modelet e tij. Për më tepër, aty ku njerëzit e tjerë shikojnë degjenerim, trishtim, sëmundje dhe vdekje, ai e fton shikuesin që të zbulojë dashurinë, ëmbëlsinë, admirimin dhe bukurinë. I gjithë koleksioni shfaqet dhe është tribut ndaj modeles së tij të vetme dhe më të besuar, bashkëshortes së tij: Elke Kretzschmar.

8. Ai ka thënë “gratë nuk pikturojnë shumë mirë. Ky është fakt”


Një shaka me shije të keqe apo një shovinizëm mashkullor? Sinqeriteti i Baselitz-it goditi sërish dhe shkaktoi një furi në botën e artit. Në vitin 2013, piktori gjerman u deklaroi gazetarëve që “gratë nuk pikturojnë shumë mirë”. Dhe sipas tij, ka një shpjegim të shumëfishtë: që të jesh një piktor cilësor kërkohet njëfarë mase brutaliteti, një cilësi specifike e gjinisë mashkullore. Ai shtoi se ka ende disa gra të shquara në historinë e pikturës, të tilla si: Agnès Martin, Cecily Broën dhe Helen Frankenthaler.

9. Ai ka pikturuar serinë e Heronjve

Kjo është një nga gjërat e fundit që dihet për Baselitz-in. Duke pranuar se ai nuk mund t’i shpëtojë kurrë Gjermanisë apo të qenit gjerman, Baselitz-i pikturoi një seri pikturash: “Heronjtë” në vitet 1960. Ai e përshkroi këtë arritje si një mjet për t’u lidhur me identitetin e vendit të tij. Kjo seri kompozimesh në format të madh, paraqet ushtarë në uniformë; muskulorë, të armatosur dhe imponues. Pavarësisht fuqisë së tyre, ata duken të dobët, të varfër dhe të shkretë. Huazimi i stileve nga piktura Ekspersioniste dhe ajo Romantike, është sikur veprat e Baselitz-it janë ndarë, dhe më pas janë vendosur bashkë rrëmujë, duke pasqyruar përjetimin e shumë ish-ushtarëve të Gjermanisë së pas luftës ku ka jetuar artisti.

10. Ai është një Neo-Ekspresionist


Georg Baselitz konsiderohet bashkë me Markus Lüpertz-in si një nga pionerët e Neo-Ekspresionizmit Gjerman. Kjo lëvizje erdhi si një reagim kundër formave të reja të shprehjes, të tilla si “Arte Povera“, arti konceptual, arti performativ, “Land Art”, duke favorizuar një kthim tek piktura. Nga viti 1980, Baselitz-i u përqendrua në këtë medium. Modelet e tij janë në sfond, më shumë të vendosura si një motiv sesa si një subjekt i vërtetë në kanavacë. Në bashkëpunim me piktorin Eugen Schönebeck, ai shkroi dy manifeste: “Pandemonium” (1962) dhe “Miqtë e Mëdhenj janë një pikturë e mirë!” (1966), ku ai shpreh vendosmërinë e tij për t’i rezistuar influencës së Shkollës së Parisit dhe pikturës amerikane.

________

(Imazhi 1: Georg Baselitz, “Arrivare con cenere”, 2019)

(Imazhi 2: Peter Knaup, Portret i Georg Baselitz-it në studion e tij, në vitin 2014)

(Imazhi 3: Georg Baselitz, “Wir besuchen den Rhein I” [Ne vizitojmë ‘Rhine” – referuar lumit ‘Rhine’], 1996)

(Imazhi 4: Georg Baselitz, “Volk Ding Zero” [Njerëzit Zero Gjëra], 2009)

(Imazhi 5: Georg Baselitz, “Fingermalerei – Adler” [Pikturë me gisht – Shqiponja], 1972)

(Imazhi 6: Georg Baselitz, “Modell für eine Skulptur’ [Model për një Skulpturë] , 1979 – 1980)

(Imazhi 7: Eugène Leroy, “Vent d’hiver” [Era e dimrit], 1968)

(Imazhi 8: Georg Baselitz, “Surdororeal”, 2019)

(Imahzi 9: Daniel Blau, Georg Baselitz në studion e tij, 1983)

(Imazhi 10: Georg Baselitz, “Miqtë e Mëdhenj në një pikturë të mirë!”, 1966)

(Imazhi 11: Georg Baselitz, “Darkë në Dresden”, 1983)

Marrë nga: REVISTA ARTSPER

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top