Ne nuk duam të jemi të lumtur/Slavoj Zizek

in A(rt)ktivizëm/Kinema by

Ne nuk duam të jemi të lumtur
Ne jemi të përgatitur për të vuajtur

Slavoj Zizek

BBC One

Historia klasike që më pëlqen, ai skenari tradicional shovinist mashkullor: unë jam i martuar me një grua, marrëdhëniet me të janë të ftohta, dhe kam një dashnore, dhe gjatë gjithë kohës unë ëndërroj: “Oh, Zot, nëse gruaja ime do të zhdukej, kjo do të hapte mundësinë e një jete të re për mua dhe dashnoren time.” A e dini se çfarë do t’ju thoshte çdo psikoanalist mbi atë që ndodh shpesh: që pasi për një arsye apo një tjetër, gruaja largohet… në atë çast ti humbet edhe dashnoren. Ju mendonit: “Kjo është gjithçka që dua”, por kur e ke aty, del që kjo ka qenë një situatë shumë më e ndërlikuar, ku ajo që ti do nuk është që të jetosh me dashnoren tënde, por që ta mbash atë (në një farë distance) si një objekt dëshirimi, për të cilin të mund të ëndërrosh.

Unë them se kjo është mënyra sesi funksionojnë gjërat:
Ne nuk e duam në të vërtetë atë që mendojmë se ne e dëshirojmë, apo që mendojmë se e duam.

Për mua, lumturia, është një kategori shumë konformiste. Ajo nuk inkuadrohet. Që tek Deklarata e Pavarësisë, ne kemi të bëjmë me një deviacion ideologjik serioz ku thuhet: …”Në ndjekje të lumturisë”. Nëse ka një pikë në psikanalizë, është se njerëzit nuk e duan apo dëshirojnë me të vërtetë lumturinë dhe unë mendoj se kjo është diçka e mirë.

Për shembull, le të jemi seriozë: kur ju jeni në një përpjekje krijuese, duke bërë diçka krijuese, në ato ethe të mrekullueshme ku thoni me vete: “Oh, Zot jam duke u marrë me diçka!” dhe kështu me radhë, këtu nuk ka fare vend për lumturinë; nuk kemi të bëjmë fare me lumturinë; sepse ju jeni të gatshëm të vuani.

Ndonjëherë, shkencëtarët dhe unë kam lexuar historinë e fizikës kuantike, dhe më herët atë të rrezatimit, ata ishin të gatshëm që të merrnin në konsideratë faktin se mund të vdisnin për shkak të rrezatimit dhe kështu me radhë. Por kjo nuk kishte rëndësi për ta. Për mua lumturia është një kategori joetike dhe ne nuk duam që ta arrijmë me të vërtetë atë që ne mendojmë se e duam.

Filmi “Melankolia” i regjisorit Lars von Tier, mendoj se, në bazë ai është… dhe nuk jam duke bërë shaka; një film optimist edhe pse siç e dimë, në fund planeti Melankolia, e godet Tokën dhe të gjithë vdesin. Por unë kam gjetur diçka të bukur e poetike tek qëndrimi i personazhit kryesor: “Kristinës”, të interpretuar nga Kirsten Dunst. Ajo paqja e brendshme sesi e pranon ajo këtë, dhe unë them se nuk duhet ta lexojmë këtë si diçka pesimiste: “Oh, ne të gjithë do të vdesim”. Jo. Nëse dëshironi me të vëretë që të bëni diçka të mirë për shoqërinë, nëse dëshironi që të shmangni kërcënimet autototalitare, dhe kështu me radhë, në thelb ne duhet të kalojmë, të përshkojmë këtë përvojë thelbësore shpirtërore ose të pranojmë që një ditë çdo gjë do të mbarojë, që në çdo pikë, në çdo moment, fundi mund të jetë afër.

Unë mendoj se, në të kundërt me atë sesi mund të duket kjo, ajo mund të jetë një përvojë e thellë, e cila në shtyn drejt forcës dhe aktiviteteve etike. Rezultati i kësaj përvoje nuk është: “Oh, fundi mund të jetë afër, kështu që le të vrasim, le t’i shijojmë gjërat”, dhe kështu me radhë. Jo. Është krejtësisht e kundërta. Sërish, në mënyrë paradoksale, unë them se, ky nuk është një film sipërfaqësor, por thellësisht optimist.

Përktheu: Enkeleda Suti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top