Ndoshta babai i artit abstrakt ka qenë në fakt… një nënë?

in Feminizëm/Pikturë by

NJË HISTORI E SHKURTËR E ARTIT ABSTRAKT

Për të kuptuar evolucionin e një lëvizjeje arti, diversitetin e stileve të artistëve dhe të influencave të tjera, ju duhet të hidhni një vështrim prapa. Këtu, fokusi është mbi artin abstrakt.

Fillimet Evropiano Lindore

Arti abstrakt lindi në fillim të shekullit të 20-të. Në këtë kohë peizazhi artistik ishte kryesisht i përbërë nga fauvizmi, kubizmi dhe ekspresionizmi figurativ. Ky lloj arti karakterizohet nga liria e tij e ngjyrës, e formave dhe sigurisht, e subjektit të tij. Kaq shumë saqë pak e nga pak aspekti piktoresk u braktis plotësisht thjesht për formën. Guximi dhe eksperimentimi me ngjyrën e karakterizon këtë periudhë teksa artistët filluan që të çlironin veten nga kufizimet akademike.

Fillimet e artit abstrakt janë të vështira për t’u pikasur. Në fakt, ne mund të shikojmë artistë të ndryshëm me stil të variueshëm, që shfaqen njehërësh, ku secili sjell prekjen e tij/saj personale ndaj përkufizimit të asaj se çfarë e përbën “abstrakten”. Por nësë do të duhet të japim një datë për fillimin e artit abstrakt, mund të bihet dakord në mënyrë (thuajse) unanime: viti 1910.

Kjo datë përkon me akuarelin e parë abstrakt nga Vassily Kandinsky. Piktori rus – i lidhur me lëvizjen avantgardë të Evropës Lindore – ishte piktori i parë i cili përdori kompozime joformale. Kështu, u përkufizua arti abstrakt, si art që nuk përfaqëson realitetin. Ky art përqëndrohet tek ngjyrat dhe format që janë të çliruara nga subjektet e zakonshme apo nga objektet dhe bota e jashtme.

Racionaliteti dhe shprehja

Arti abstrakt mund të ndahet në dy ide. Në njërën anë është kërkimi për racionalen dhe për një rend të pavarur nga realiteti i jashtëm. Në anën tjetër është zhvillimi i funksionit simbolik të ngjyrës, i ritmit të formave dhe të pavarësisë së tyre nga një subjekt. Artistët si Kandinsky, Kupka dhe Delaunay gjetën në gamën e tyre të ndryshme të ngjyrave një gamë të gjerë emocionesh. E kuqe e ndezur apo blu e thellë, kur janë në telajo ato prodhojnë njëfarë efekti tek shikuesi, duke komunikuar një gjendje mendore specifike.

Llojet e ndryshme të artit abstrakt

Arti abstrakt ishte një lëvizje e pasur, e cila shpejt u nda në nënkategori me kode të sakta. Kandinsky ishte përfaqësuesi i Abstragimit Lirik. Në thelbin e interesave të tij ishte fuqia e emocioneve dhe impakti i zemërimit tek qëniet njerëzore. Malevitch-i përfaqësonte Suprematizmin, një lëvizje që kërkonte ndjeshmërinë e pastër piktoreske dhe ku format dhe ngjyrat flisnin për veten. Veprat e Malevitch-it ishin më gjeometrike dhe më pak shumëngjyrëshe sesa ato të Kandinsky-it, të cilat mund të krahasohen me një vorbull formash dhe ngjyrash, por megjithatë të organizuara me kujdes. Sa për Piet Mondrian-in, me katrorët e tij me ngjyrat parësore dhe linjat e zeza, ai shtroi rrugën për Artin Abstrakt Gjeometrik. Gjithashtu i rëndësishëm është zhvillimi i Orfizmit. Ai u udhëhoq nga Delaunays-i, e cila përdorte ngjyra të mprehta dhe forma të rrumbullakosura për të mbuluar të gjithë telajon. Këto tendenca të ndryshme ishin thuajse konkurrente dhe zgjatën deri në vitet 1930.

Prezantimi i ekspresionizmit abstrakt

Në vitet 1940 dhe 1950 u formua një lëvizje e re e artit abstrakt, e nxitur nga amerikanët: ajo u quajt Ekspresionizëm Abstrakt. Pas Luftës së Dytë Botërore, ky stil i ri – fjalë për fjalë – e pushtoi peizazhin artistik. Figura të tilla si Jackson Pollock-u dhe Willem de Kooning-u lanë gjurmët e tyre dhe janë thuajse më të kërkuarit sot në treg. Edhe me Ekspresionizmin Abstrakt përdoren terma të ndryshëm, në varësi të artistit.

Pollock-u, për shembull, përfaqëson pikturën në veprim (në aksion). Ky stil karakterizohet nga lëvizje vigoroze të piktorit. Piktori godet/fshikullon bojën përmbi telajo, duke krijuar spërkatjet (“pikëzimet”), të cilat gradualisht formojnë veprën. Këtu, në qendër të procesit artistik është akti fizik i piktorit dhe jo subjekti i pikturës. Piktura me fushat me ngjyra (fusha të mëdha ngjyrash të gjalla, vibrante) janë realizuar nga artistë të tillë si Rothko, Clyfford Still, të cilët promovonin fuqizimin e ngjyrave pa subjekt.

Nga vitet 1960 e më tej, u shfaqën dy tendenca kryesore: Arti Optik (apo Arti Op) dhe Minimalizmi. Hungarezi Victor Vasarely ishte babai i Artit Op, një art që është i interesuar tek efektet optike. Artistët në këtë lëvizje (Julio Le Parc, François Morellet, Yaacov Agam) luajnë me efektet e ngjyrës, të formës dhe të dritës. Ata krijojnë iluzione pamore për spektatorin. Gjatë së njëjtës periudhë u shfaq arti minimal, i realizuar nga artistë të tillë si Sol LeWitt, Robert Morris-i dhe Dan Flavin-i. Motoja e tyre ishte ekonomizimi i burimeve. Arti reduktohet në një strukturë të thjeshtë, e cila shpesh është gjeometrike, por gjithmonë abstrakte.

Ndoshta babai i artit abstrakt ka qenë në fakt…një nënë?

Nëse Kandinsky, Malevitch-i dhe Mondrian-i konsiderohen themeluesit e artit abstrakt, historia mbetet e rrethuar nga hije, ndonjëherë duke u bërë më e qartë me kalimin e kohës. Kështu, një piktore, që do të kishte qenë pionerja e vërtetë e artit abstrakt, është kthyer kohët e fundit në frontin e parë. Në vitin 1906, Hilma af Klint, piktore suedeze, krijoi një seri pikturash abstrakte 4 vite përpara pikturave në akuarel të Kandinsky-it. A ka pasur ajo influencë tek këta tre burra? A do të kishte qenë një paragjykim kundër saj statusi i saj si grua apo do ta parandalonte nga marrja e vlerësimeve? Apo mos duhet fajësuar largësia gjeografike e Suedisë? Cilado qoftë përgjigjia ndaj kësaj pyetjeje, rizbulimi i veprës së saj, padyshim që duhet mirëpritur.

Marrë nga: REVISTA ARTSPER

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Feminizëm

Go to Top