Melankolia e Lars Von Trier-it: Depresioni në film

in Kinema by

Çfarë do të thotë të jetosh një jetë jashtë proporcioneve?

LARS VON TRIER

Një simptomë e raportuar, zakonisht e depresionit klinik, është një ndjesi e shtrembëruar e kohës. Çdo gjë mund të ndihet sikur po lëviz shumë ngadalë. Në fakt, depresioni shtrembëron çdo gjë rreth tij, siç bën një yll me hapësirën dhe kohën. Jo vetëm ndjesinë e kohëzgjatjes, por gjithashtu edhe ndjesinë për veten dhe të tjerët. Jeta mendore është e gjitha jashtë proporcionit. Në filmin e tij “Melankolia”, Lars von Trier-i përdor proporcione të pjerrëta për të komunikuar një ndjenjë, të cilën ai vetë e njeh në mënyrë shumë intime.

Lars von Trier: “Kur unë shkruaj, mund të shkruaj vetëm për veten, dhe ky është pak a shumë një përshkrim i vetë depresionit tim.” Skena e parë fare pas montazhit me lëvizje të ngadalta, që, duke folur për kohën e shtrembëruar, tregon njëherësh fundin e filmit dhe fundin e botës, janë të sapo martuarit Justine dhe Michael, të cilët po përpiqen të shkojnë nga ceremonia e dasmës tek banketi i dasmës në një limuzinë të gjatë, e cila është thuajse shumë e madhe, në mënyrë komike, për rrugët e fshatit ku ata po ecin. Përfundimisht, atyre u duhet që ta braktisin makinën e të ecin dhe në kohën kur ata arrijnë në kështjellë ku mbahet banketi, gjysma e natës tashmë ka shkuar dëm. Më interesantja është se shikuesi nuk e ndjen me të vërtetë këtë vonesë – ne jemi vetëm në fillim të fimit. Dhe kjo – mendoj unë – na jep një ide për cilësinë e përkohshme të çuditshme, thuajse si në ëndërr, të banketit të dasmës. Një nga gjërat që bëhet gjithnjë edhe më e çuditshme teksa e rishikoj filmin, është marrëdhënia ndërmjet Justine-s dhe Michael-it. Ndonjëherë, duket sikur ata nuk e njohin fare njëri-tjetrin. Michael-i duket sikur është plotësisht i pavetëdijshëm për seriozitetin e depresionit të Justine-s dhe ka disa pamje ku Michael-i vështron në bosh si një lloj kukulle e vdekur. Këtu sërish gjërat janë të pjerrta – Von Trier-i nuk na jep një ndjesi të së shkuarës së çiftit. Gjysma e parë e filmit përbëhet nga banketi i dasmës, duke alternuar ndërmjet festës dhe disa daljeve të Justine-s teksa ajo po bie gjithnjë edhe më thellë në një periudhë të afërt depresioni. Von Trier-i përdor vetë pritjen për të ngritur pritshmërinë e kohës, por daljet e Justine-s e bëjnë këtë problematike. Dy pjesët e sekuencës duket sikur nuk shkojnë bashkë. Justine largohet me një makinë golfi, ajo lëngon në tualet, por festa është gjithmonë aty, gjithmonë ende duke ndodhur kur ajo kthehet, në një gjendje humori, gjithnjë edhe më të shkëputur. Edhe brenda festës koha kërcen përpara sipas teksave të editimit çorientues të von Trier-it. Kritikja e filmit Marta Figlerowicz ka tërhequr vëmendjen time ndaj faktit që – për shembull – vallëzimi i parë i të sapomartarve është, në fakt, një montazh i Justine-s duke vallëzuar me disa njerëz, ndërsa pas kësaj luhet vazhdimisht kënga – La Bamba. E gjitha kjo të jep një ndjesi subjektiviteti, një ndjenjë sikur jemi në kokën e Justine-s, pra të von Trier-it, i cili përpiqet të merret me gjërat, për t’i kyçur në një vend, të cilat në fund do të shkatërrohen. Asnjë në film nuk duket sikur mund ta masë këtë me saktësi, qofshin fasulet në një kavanoz, apo trajektorja e saktë e një planeti mashtrues. Çdo gjë që trajtohet digjet, rrudhet apo thërmohet. Dhe ne duhet të përmendim disa referenca artistike që von Trier-i bën në film, të cilat janë në sekuencën e parë. Më e dukshmja në këtë sekuencë, e cila citon “Ofelinë” e John Everett Millias-it pas personazhit të Hamletit të Shekspirit, i cili është ndoshta depresivi më i famshëm në të gjithë letërsinë. Pastaj kemi një skenë nga “Gjahtarët në dëborë” të Bruegel-it – një pikturë gjahtarësh të cilët kthehen në fshatin e tyre duarbosh. Kjo na sjell ndër mend një film tjetër “science fiction“, i cili merret me thellësitë e shpirtit: “Solaris” i Andrei Tarkovsky-t. Von Trier-i është një fans i madh i Tarkovsky-t dhe këtu ka edhe ngjashmëri të tjera. “Solaris“, për shembull, përdor shumë mirë “Preludin e Koraleve në F Minor” të Bach-ut, e cila përsëritet përgjatë filmit dhe siç ka shkruar ai, Tarkovsky pëlqen që ta përdorë muzikën si një refren. “Refreni na çon tek përvojat tona të para të hyrjes në një botë poetike, duke qenë i menjëhershëm dhe në të nëjtën kohë duke e rigjallëruar atë.” Von Trier-i përdor të njëjtën teknikë tek “Melankolia” me “Preludin e Tirstanit dhe Izoltës” së Wagner-it, një këngë romantike që flet për një regjisor që përzien meditimin e tij mbi depresionin, me të bukurën, si një planet blu vezullues. Ka gjithashtu edhe shumë referenca të tjera. Si ato te “Viti i shkuar në Marienbad” e Alain Resnais-it – një film tjetër me një strukturë narrative si në një ëndërr. Dhe sigurisht që këto skena të hershme na hidhen përpara si referenca, por nuk u përgjigjen me saktësi çasteve të mëvonshme në film. Pa dyshim që “Melankolia” është një film polarizues. Bukuria e tij është e pamohueshme, por jam i sigurt që shumë do të argumentojnë se atij i mungon koherenca apo fokusi. Në të vërtetë, unë vetë kam problemet e mia me pjesën e dytë të filmit, por ky është një nga portretizimet më goditës – sipas meje – për një sëmundje që prek kaq shumë njerëz, por që është ende kaq pak e kuptuar. Sipas këndvështrimit tim, depresioni është ajo që ndodh kur identiteti juaj – ajo ndjesi marrëdhënieje që keni me botën rreth jush – bëhet e patretshme, e pafokusuar. Në këtë proces çdo gjë fillon të pjerrësohet, të shtrembërohet. Koha ngadalësohet deri në palëvizshmëri. Trupi juaj që dikur lëvizte me aq shumë lehtësi ndihet sikur peshon një ton. Për një person kujtimet fillojnë të bëhen të çorganizuara. Kujtimet e një filmi, në anën tjetër, janë të gjitha ato vepra arti që na informojnë dhe që i paraprijnë atij. Ndoshta kjo është arsyeja përse von Trier-i i rrethon personazhet e tij me kaq shumë kujtime. Në kohën kur ne arrijmë në pjesën e dytë të filmit, një situatë e jashtëzakonshme – afrimi i planetit “Melankolia”, shtrembëron edhe natyrën e personazhit: Justine del ngadalë nga thellësitë e sëmundjes së saj, e cila reagon ndaj situatës jashtëtokësore me qetësi. “Toka është djallëzore. Ne nuk kemi nevojë përse të vajtojmë për të.” Claire në anën tjetër – gjysmën tjetër të shëndetshme të saj – fillon që ta kapë paniku. Në fund, në film është sëmundja e personazhit kryesor. Më vjen mirë që shoh një film kaq të çiltër rreth trishtimit. Shkenca dhe mjekësia nuk kanë arritur ende që ta kuptojnë sëmundjen mendore. Kështu, ndoshta ne duhet të shikojmë nga arti për këndvështrime dhe solidaritet me faktin sesi është të jetosh një jetë jashtë proporcioneve.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top