MBI KINEMANË/Robert Bresson

in Kinema by

Robert Bresson

Disa pohojnë se ai është kineasti më i madhi, i pari dhe i vetmi.
Të tjerë, duket se kanë të vështirë për ta kuptuar.

Gazetari: A mendon se njerëzit të kuptojnë?

Bresson: Nuk e di nëse më kuptojnë, por a po flasim për filmin apo për mua këtu? Nëse po flasim për filmin, unë mendoj se… le ta fillojmë me filmin… Unë do të preferoja që njerëzit ta ndjenin filmin përpara se ta kuptonin. Do të preferoja më mirë që prej tij të nxiteshin ndjenjat sesa intelekti.

Gazetari: Çfarë doje që të ndjenin njerëzit me filmin “Hajduti i xhepave”?

Bresson: Më shumë se të kisha një histori për ta treguar, doja që njerëzit të ndjenin atmosferën që rrethon një hajdut, atë atmosferë të veçantë që i bën njerëzit ankthiozë dhe në siklet.

Gazetari: A ke takuar ndonjëherë ndonjë hajdut?

Bresson: Mendoj se kam takuar disa, por ti nuk e di këtë deri në çastin kur të kanë vjedhur.

Gazetari: Dhe ti nuk ndjeve asgjë në atë kohë?

Bresson: Po, ndjeva. Më kujtohet, një herë, jashtë në fshat. Unë isha në dhomë me dikë që më kishte ftuar dhe me një person të tretë, ku ne të dy e ndienim që ky person i tretë ose do të na vidhte ose që tashmë na kishte vjedhur.

Gazetari: Çfarë bëri që ta mendoje këtë?

Bresson: Diçka shumë misterioze që nuk mund ta shpreh me fjalë, dhe kjo ishte edhe ndjesia që doja të shprehja në këtë film. Këtë dhe vetminë e tmerrshme të burgut të një hajduti.

Gazetari: Cila ishte pika e nisjes për këtë film?

Bresson: Unë nuk mund ta them me siguri se cila ishte pika e nisjes së një filmi, por kjo vetmi, që nuk doja ta tregoja në mënyrë të drejtëpërdrejtë, me siguri që ka qenë një forcë shtytëse.

Gazetari: Filmi yt nuk ngjan me shumicën e filmave të tjerë. A je i vetëdijshëm për këtë?

Bresson: Jo, aspak.

Gazetari: Por, ajo që ne dimë është se ty s’të pëlqen kinemaja e sotme. Ti nuk e doje atë lloj filmi të strukturuar këndshëm. Si të duket kinemaja sot?

Bresson: Ka disa filma që më pëlqejnë, edhe pse ata mund të mos jenë realizuar sipas metodës sime, por ndoshta, kjo është arsyeja përse shkoj më rrallë në kinema ngasa bëja dikur. Ka disa gjëra që më mërzisin, gjëra që unë nuk do t’i bëja, teknika që përdoren sot dhe që unë nuk do t’i përdorja. Për mua është e natyrshme të mendoj se të tjerët e kanë gabim, ndërsa unë jo.

Gazetari: Një karakteristikë thelbësore e filmave të tu është refuzimi i asaj që quhet teatrale…

Bresson: Teatraliteti që unë refuzoj, ose, më saktë, që përpiqem ta refuzoj por nuk është aq e thjeshtë, është shprehja nëpërmjet mesazheve faciale, gjesteve dhe efekteve zanore.

Gazetari: Por, duket sikur ti je në kërkim të një lloj anti-shprehjeje. Ti e çon në ekstrem. Ti, jo vetëm që nuk e do aktrimin, por  nuk lejon as edhe realizmin. Është njësoj sikur t’i boshosh aktorët, që të jenë edhe më pak shprehës se në jetën reale.

Bresson: Nuk mendoj kështu. Unë përpiqem që t’i tërheq ata drejt automatizimit, që zë një vend kaq të madh në jetët tona.

Gazetari: Po a mund ta shikosh sesi njerëzit mund të mendojnë, se ti po i kthen shpinën asaj se çfarë audiencat kërkojnë që të shikojnë?

Bresson: Nuk mendoj kështu. Nuk është diçka për të cilën unë jam i vetëdijshëm. Nuk mendoj se po i kthej shpinën audiencës ose që ata po ma kthejnë shpinën mua. Unë varem tek përvoja ime, dhe pasi kam bërë një film, unë ulem në audiencë dhe përpiqem të ndiej atë që ndiejnë edhe ata dhe gjithashtu përjetoj edhe ndjenjat e mia origjinale. Në përgjithesi, ata duken të lumtur. Në fund, del se audienca ndihet saktësisht njësoj si unë dhe që është prekur shumë prej filmit.

Gazetari: Përse mendon se audiencës i është dukur e lehtë të ndiejë atë që ti doje që ata të ndienin nga filmi “Një njeri që u arratis?”, por që ishin më pak të ndjeshëm ndaj filmit “Hajduti i xhepave”?

Bresson: Me shumë mundësi sepse vetë historia e arratistjes është shumë më shumë… heroike? (gazetari)… dramatike (Bresson). Ndoshta jo dramatike, por me siguri më shumë heroike, dhe personazhi i të burgosurit të arratistur është shumë më shumë… moral? (gazetarja)…shumë më simpatik (Bresson), dhe shumë më i aksesueshmë për më shumë njerëz.

Gazetari: Të gjithë duan të arratisen. Askush nuk do ta pranojë që është hajdut.

Bresson: Historia e të burgosurit të arratisur përfundon në liri, ndërsa kjo përfundon në burg.

Gazetari: A mendon se je në pararojë të botës së filmit?

Bresson: Nuk e di, por mendoj se fijet e së ardhmes do të lëvizin edhe më larg nga teatri. Teknikat e përdorura në këto filma do të jenë tërësisht të ndryshme nga teknikat e teatrit.

Gazetari: A mendon se filmat e vlerësuar sot, do të harron pas 20 vitesh?

Bresson: Nuk e di. Nuk mund ta them.

Gazetari: A ndihesh vetëm?

Bresson: Ndihem shumë vetëm dhe nuk është se kam ndonjë kënaqësi nga kjo ndjenjë.

Përzgjdhi dhe përktheu: Enkeleda Suti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top