MAX ERNST-Ta shikosh botën me qëpalla të prera!

in Pikturë by

Shpesh Max Ernst përshkruhet si “Surrealisti i plotë”. Ndonëse pikturat e tij përndjekëse eksplorojnë misteret e pavetëdijes njerëzore, ai ka qenë gjithashtu një kolorist i mrekullueshëm dhe një teknicien i shkëlqyer, i cili e rishpiku veprën e tij gjatë gjithë jetës së tij.

1. Ernst lindi në një familje gjermane strikte në Rhineland-in e pyllëzuar.

Max Ernst-i (1891-1976) u rrit në rajonin tejet të pyllëzuar afër Këlnit në Gjermani, në atë që ai e ka përshkuar si “një fëmijëri banale dhe thuajse të lumtur. Kishte disa lëkundje. Gjurmët e fundit që ajo la mund të shikohen tek vepra ime.”

I ati i Ernst-it, Filipi, mësonte fëmijët e shurdhër dhe mesa duket ka qenë një figurë autoritare imponuese, madje edhe e frikshme. Në esenë e tij autobiografike “Përtej Pikturës”, Ernst-i rikujton disa vizione në panelin e sofrës në fund të shtratit të tij, të një burri kërcënues me mustaqe të kthyera (‘mustaqet e babait tim’), i cili fshikullonte majën e një tjerrëseje me pamjen e kafshëve të këqija.

Filipi ishte gjithashtu një artist i kompletuar amator, i cili ia kaloi të birit pasionin e tij për pikturën.

2. Pasi shërbeu si inxhinier artilerie gjatë Luftës së Parë Botërore, Ernst-i u vetëdeklarua si i vdekur.

Duke rikujtuar luftën, Ernst-i ka shkruar: “Më 1 Gusht, 1914, Max Ernst-i vdiq. Ai u rilind më 1 Nëntor të vitit 1918, si një djalë i ri i cili aspironte të gjente mitet e kohës së tij.”

Ringjallja erdhi në Këln, në mes të kaosit artistik të Dada-s, një ideologji midis artistëve dhe shkrimtarëve në të gjithë kontinentin, e cila kërkonte që të shprehte zhgënjimin e tyre me kulturën evropiane në një mënyrë sa më proaktive dhe shkatërruese që të ishte e mundur.

Ky çrregulim mori shumë forma. Në një ekspozitë të Dada-s, vizitorët u ftuan që të hynin nëpërmjet një tualeti publik dhe iu dhanë sëpata të vogla, me të cilat mund të shkatërronin çdo vepër arti që atyre nuk u pëlqente. Një ekspozitë e Dada-s në Paris paraqiste poetin André Breton (1896-1966) duke lehur si një qen dhe Tristan Tzara-n (1896-1963) duke luajtur kukafshehti.

3. Pas pjesëmarrjes në Grupin Dada, Ernst-i u bë anëtar themelues i Lëvizjes Surrealiste.

Surrealistët po kërkonin mënyra për të shprehur mendjen e pavetëdijshme. Një metodë përfshinte braktisjen e kontrollit të procesit krijues, duke hyrë në një gjendje transi dhe duke shkruar apo duke shkarravitur çdo gjë që u vinte në mendje. Automatizmi, siç quhej, ishte një burim frustracioni i thellë për Ernst-in, mendja e të cilit ishte shumë analitike për një impulsivitet të tillë. Në një situatë të mërzitshme, ai njëherë e ngriti artistin Joan Miró (1893-1983) dhe e shkundi, duke e pyetur, “Si e bën?”

Megjithatë, Ernst-i ishte me fat që kishte studiuar psikologji në Universitetin e Bonit, ku ai kishte lexuar veprën e Sigmund Freud-it (1856-1939). Psikoanaliza u kthye në diçka qëndore për praktikën artistike të Ernst-it: Përshkrimet e ëndrrave të Freud-it i mundësuan atij të bënte piktura të pavetëdijes pa iu dashur që të kalonte në trans hipnotik.

Falë dijeve të tij të mëdha mbi Freud-in, pikturat e tij ndonjëherë interpretohen si telajo të errëta të nevojave seksuale të shtypura. Megjithatë, ka edhe tematika të tjera në lojë: si një katolik i shuar, Ernst-i ishte i interesuar në idenë që feja ishte rezultat i neurozave me rrënjë të thella.

Ai ishte gjithashtu i magjepsur nga magjia e zezë, në një kohë kur kufijtë ndërmjet psikologjisë dinamike dhe okultit ishin të errësuara, më dukshëm në shkrimet e Carl Jung-ut (1875-1961) mbi parapsikologjinë.

4. Ernst-i ishte i fiksuar pas zogjve dhe i ka pikturuar ata shpesh.

Ernst-i e racionalizonte fiksimin e tij me zogjtë duke rikujtuar një përvojë të çuditshme që ai kishte pasur kur kishte qenë adoleshent: në vitin 1906, papagalli i artistit ngordhi në të njëjtën natë kur lindi motra e tij. “Incidenti u zhvillua,” ka thënë ai, “në një konfuzion të rrezikshëm ndërmjet zogjve dhe njerëzve, i cili u fsheh në mendjen time”.

Ky fiksim u materializua në një alterego të quajtur “Loplop”, e cila mori formën e një njeriu zog, djallëzor në pikturat e tij. Siç shkroi ai në vitin 1930: “Unë vizitohesha thuajse çdo ditë nga Zogu Superior, i quajtur “Loplop”, një fantazmë e jashtëzakonshme e besnikërisë model, e cila iu bashkëngjit personit tim. Ai më prezantoi me një zemër në një kafaz, dy petale, tri gjethe, një lule dhe një vajzë.”

5. Artisti e ka përdorur pyllin si një simbol zbulimi dhe si vendin e fshehtë misterioz të mendjes njerëzore.

Njëherë Ernst-i rikujtoi sesi eskursionet e fëmijërisë me të atin në pyjet e mëdhenj të Rhineland-it afër shtëpisë së tij në Brühl, e kishin mbushur me tmerr dhe ekstazi. Në vitin 1927 ai filloi një seri veprash që eksploronin këto sensacione.

Kafazi, forêt et soleil noir (1927), pikturuar më herët, paraqet një zog në kafaz në një pyll, syrin e tij të zbrazët me të njëjtën ngjyrë si qielli. Është një pikturë e çuditshme, çorientuese që ngre shumë pyetje. A kemi humbur në nënshtresat e thella të pyllit, apo brenda mendjes së artistit?

Imazhet si ato të ëndrrave të zogjve dhe të pemëve, i lidhin pikturat e Ernst-it me traditën romantike gjermane më të hershme. Dramaturgu Heinrich von Kleist (1777-1811) një herë shkroi se të shikoje pikturat e Caspar David Friedrich-ut (1774-1840) ishte si të shikoje botën “me qëpalla të prera’. Pikturat e Ernst-it janë në mënyrë të ngjashme të paqëndrueshme.

6. Shpesh Ernst-i përshkurhet si “Surrealisti i plotë”, për shkak të zgjuarsisë së tij të tmerrshme.

Ernst-i eksperimentoi me shumë teknika të ndryshme, duke përfshirë kolazhin, fshirjen, lëkundjet, pikimin dhe procesin e transferimit të dizenjove nga letër e parapërgatitur në xham apo në porcelan. Ai i rishpiku teknikat e tij artistike vazhdimisht, nga mesi i viteve 1910 deri në vdekjen e tij në vitin 1976. Ai doli të ishte gjithashtu koloristi më i shkëlqyer.

Piktura e tij e vitit 1925 e tufës së zogjve që konvergojnë në një re boje, sipër, është një shembull i hershëm i gërvishtjeve, ku boja gërvishtet nga kanavaca për të lejuar teksturën dhe ngjyrën poshtë sipërfaqes që të shfaqet.

Edhe si një i huaj armik në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ernst-i gjeti mënyra për të bërë art duke përdorur një proces ku boja përplaset/shtypet ndërmjet dy pjesëzave të letrave dhe pastaj “qërohet” për të treguar sipërfaqen e teksturës. Les peupliers (1939), poshtë, u krijua ndërkohë që Ernst-i ishte i burgosur në një kamp internimi së bashku me mikun dhe kolegun e tij surrealist Hans Bellmer (1902-1975).

7. Pikturat e Ernst-it u konfiskuan nga muzetë dhe u etiketuan si të degjeneruara nga Nazistët

Në një intervistë me artistin britanik Roland Penrose (1900-1984), Ernst-i dekaroi se historia e artit ishte bërë nga njerëz të çmendur. Ishte mënyra surrealiste e përballimit të irracionliatetit dhe e çmendurisë kolektive të Fashizmit. Ernst-i nuk ishte angazhuar kurrë në mënyrë eksplicite në politikë, por drejt fundit të viteve 1930, pikturat e tij filluan që të godisnin. Kërcënimi i luftës së afërt e nxiti atë që të krijonte vepra që ishin një britmë tërbimi kundër brutalitetit dhe budallallëkut.

8. Ernst-i pati një varg marrëdhëniesh me gra të bukura dhe të fuqishme.

Bashkëshortja e tij ishte akademikja gjermane Luise Straus, e cila e la atë pasi ai u ngatërrua në një trekëndësh torturues dashurie me Paul Eluard-in (1895-1952) dhe me bashkëshorten e tij Gala (1894-1982), e cila më vonë u martua me Salvador Dalí-në.

Në vitin 1927, ai u arratis me piktoren e shqetësuar Marie Berthe Aurenche (1905-1960), dhe më pas e braktisi atë për artisten surrealiste Leonora Carrington (1917-2011).

Në vitin 1941, Ernst-i u arratis në Amerikë me ndihmën e koleksionistes së artit Peggy Guggenheim (1898-1979), e cila u bë bashkëshortja e tij e tretë – deri kur ai u takua me artisten Dorothea Tanning (1910-2012) një vit më pas në një galeri arti në New York. Ai qëndroi me Tanning deri në vdekjen e tij në vitin 1976.

9. Ernst-i ka frymëzuar pikturat me pikim të Jackson Pollock-ut.

Ndërkohë që, jetonte në Long Island në vitet 1940, Ernst-i filloi që të luante me një teknikë të quajtur “lëkundje”, e cila përfshinte spërkatjen e bojës nëpër një vrimë në fund të një kanavace të mbajtur pezull nga një pjesëz teli. Kurbat dhe pikat e vrullshme dukeshin si planetet në orbitë, dhe inkurajuan Ekspresionistin Abstrakt Jackson Pollock (1912-1956) që të bënte eksperimente të ngjashme, të cilat më vonë u bënë të njohura si “Pikturimi në veprim”.

10. Ernst-i e ka krahasuar procesin e pikturimit me atë të shkrimit të poemave.

Ernst-i e krijoi vetë kategorinë e tij të artit: me teksturën e sipërfaqeve të tij, me eksperimentimet e tij të palodhura dhe kompleksitetin e veprave që ai prodhoi, ai ishte si asnjë piktor tjetër. Përfundimisht, veprat e tij evokojnë, me një ankth të ëmbël, brutalitetin dhe çmendurinë ngazëllyese të kohëve në të cilat ai jetoi.

Marrë nga: SHËPIA E ANKANDEVE CHRISTIES

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

GJENIU SALVADOR DALI

SALVADOR DALI Dali nuk rresht kurrë së na magjepsuri! Dali ishte mjeshtër
Go to Top