MARK ROTHKO

in Pikturë by

MARK ROTHKO

Ëndrra mistike…
Kënaqësi fetare…
Ekstazë medituese…
Toksikim ngjyrash…
Ngritja e atmosferës…
Bekime enigmatike…

Është e vështirë që të gjejmë një fjalë, një koncept apo një ide, për të përshkruar veprat e Mark Rothko-s. Ato vetimponohen, ofrojnë vetëkënaqësi pasive dhe na përthithin tërësisht. Spektatori goditet nga fushat e mëdha të ngjyrave, vështrimi i tij magjepset pa qenë nevoja që mendja ta kuptojë apo identifikojë qartësisht emocionin pamor që zgjohet.

MARK ROTHKO LINDI SI MARCUS ROTHKOWITZ

Frika rreth rritjes së influencës naziste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri që ai të adoptonte emrin e anglikanizuar: Mark Rothko, në janar të vitit 1940.

HANS HOFMANN KA QENË MËSUESI I MARK ROTHKO-S

Për Hofmann-in, bollëku i ngjyrave dhe sipërfaqja ishin shenjat e një personaliteti hedonist.

AI KA QENË MËSUES PËR FËMIJË

Nga mosha 28 deri në 49 vjeç, Mark Rothko ishte mësues vizatimi për fëmijë në Qendrën Hebraike të Brooklyn-it.

MARK ROTHKO KA QENË NJË PRAKTIKUES I FAMSHËM I PIKTURËS SË FUSHAVE ME NGJYRA

Clement Greenberg-u ishte i pari që identifikoi tendencën e pikturës së Fushave me Ngjyra, e cila, fjalë për fjalë do të thotë: “pikturimi i fushave me ngjyra.” Megjithatë, Mark Rothko  refuzoi çdo etiketë, që ai e gjykonte si “asgjesuese.” Për të, ngjyra ishte thjesht instrument në një krijim më të madh.

NJOHJA ARTISTIKE E MARK ROTHKO-S, KA ARDHUR NË MËNYRË JO TË DREJTËPËRDREJTË PËR SHKAK TË CIA-S

Ky informacion është konfirmuar në një artikull të publikuar më 22 Tetor, 1995 nga dy ish agjentë të CIA-s. Për shkak të mungesës së figurave njerëzore në ekspresionizmin abstrakt, veprat i shmangeshin pyetjes së mirëqenies së klasave, CIA kërkonte të financonte një program që synonte njohjen dhe mbulimin mediatik të kësaj lëvizje artistike. Tom Barden-i, ish sekretar ekzekutiv i MoMA-s (Muzeu i Artit Modern në Nju Jork) dhe ish agjent i CIA-s, ka deklaruar: “Unë mendoj se ai ka qenë divizioni më i rëndësishëm që CIA ka pasur dhe mendoj se ai ka luajtur një rol vendimtar në Luftën e Ftohtë.”

Megjthëse, ka shumë të ngjarë që artistët të mos kishin asnjë dijeni lidhur me këto financime, historiani britanik, Stonor Saunders hamendëson se ekspresionizmi abstrakt nuk do të ishte njohur, vlerësuar dhe çmuar kaq shumë, pa ndihmën e CIA-s.


Në maj të vitit 2012, piktura “E portokalltë, e kuqe, e verdhë” (1961) iu shit në ankand për 87 milionë dollarë Muzeut Guggenheim të Nju Jorkut.

MARK ROTHKO E URRENTE IDENË QË SPEKTATORËT TË SHQETËSOHESHIN NGA VEPRA TË TJERA PËRVEÇ ATYRE TË TIJ

“Do të ishte mirë që të ngrihej një lokalitet i vogël nëpër të gjithë vendin, si një kapelë, ku udhëtarët apo endacakët, të mund të vinin për një orë dhe të meditonin mbi një pikturë të vetme, të varur në një dhomë të vogël dhe vetëm.” – Mark Rothko

ROTHKO E KONSIDERONTE VETEN NJË “BËRËS MITESH”

Si lexues i ethshëm i filozofisë dhe i veprave klasike, arti i tij tregonte shije për tragjedinë mistike apo madje edhe atë mitike. Sipas tij: “Përvoja tragjike, ngazëllyese, është për mua i vetmi burim arti”.

AI E ZHVENDOSI QENDËRN E INTERESIT NË MËNYRË TË VETËDIJSHME: TEK AKTI I TË PARIT, JO TEK AKTI I TË KUPTUARIT

Sipas Rosenblum-it, në vitin 1961, Mark Rothko ia doli me sukses që ta mohonte individualizmin personal, falë kësaj vetëzbehjeje, duke e bërë për pasojë veprën e tij edhe më “sublime”!

NJË ANUREIZËM QË E PENGONTE TË PIKTURONTE PIKTURA TË MËDHA, E ÇOI NË VETVRASJE NË VITIN 1970

Pyetjes “Përse e vrau ai veten?”, një nga miqtë e tij, John Hurt Fischer-i iu përgjigj: “Unë kam dëgjuar shpjegime të ndryshme: ai ishte keq me shëndet, nuk kishte prodhuar asgjë në gjashtë muaj, u ndje i refuzuar nga bota e artit, shijet e paqëndrueshme të të cilës ishin kthyer nga piktorët më të rinj, më inferiorë. Ndoshta ishte pak nga të gjitha këto gjëra, unë nuk e di. Por intuita ime thotë se zemërimi i tij afatgjatë ka qenë një nga shkaqet. Sepse ky ishte zëmërimi i justifikuar i një njeriu që e dinte se ishte i destinuar për të pikturuar tempuj dhe që pa sesi kanavacat e tij u panë vetëm si mallra tregtare mondane.”

Marrë nga revista: Artsper

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top