KUSH ISHTE RENÉ MAGRITTE?

in Pikturë by

Estetika ëndërronjëse me llulla, kapele dhe peizazhe të mjegullta!

  RENÉ MAGRITTE

Estetika ëndërronjëse e piktorit belg Rene Magritte dhe simbolet e tij evokuese (kapelet, peizazhet e mjegullta) vulosin trashëgiminë e tij, tërheqjen gjerësisht të përhapur dhe çmimet shumëmilioneshe në dollarë nëpër ankande. Megjithatë, këto asocime të thjeshta na zbulojnë kompleksitetin e vizionit, angazhimet politike dhe lidhjet e rëndësishme të artistit me lëvizjet kryesore të artit të shekullit të 20-të. Duke gërmuar më tej në biografinë dhe veprat e mëvonshme të Magritte-s, si edhe të një prej pikturave të tij më ikonike: “Tradhëtia e Imazheve” (1929), na shfaqet një portret më i plotë i një artisti, i cili ka ngritur pyetje mbi përfaqësimin dhe përvetësimin, të cilat tani janë ndoshta me më vend sesa kurrë më parë.

KUSH ISHTE RENÉ MAGRITTE?

Si shumë prej Surrealistëve, belgu Magritte (1898–1967) ka përjetuar trazira masive, duke jetuar përgjatë të dyja luftërave botërore. Megjithatë, ai u godit nga tragjedi personale përpara vrasjes së Arqidukës Franz Ferdinand, e cila filloi zemërimin prej disa dekadash në Evropë. Kur Magritte ishte 13 vjeç, nëna e tij Regina vrau veten duke u mbytur në Lumin Sambre dhe kur ajo u gjet, u tha se këmisha e saj e natës ishte mbledhur rreth kokës së saj, një fakt, i cili është përdorur shpesh për të shpjeguar pamjet e mbuluar me veshje/copa në pikturat e Magritte-s. (Në mënyrë të dukshme, Regina kishte punuar si një kapelebërëse përpara se të martohej, një detaj që është i vështirë për t’u shkëputur nga fiksimi i përsëritur i të birit me kapelet).

Gjithashtu kjo ngjarje ka shërbyer edhe si një potencial lirik: Gratë e mbytura në ujë kanë frymëzuar për një kohë të gjatë artin kryesor (shikoni: Ofelinë). Shkrimtarja Anne-Gaëlle Saliot ka parashtruar se kujtimet e kësaj ngjarjeje pushtojnë disa vepra specifike të Magritte-s, duke përfshirë pikturat “Ëndërrimet e një Shëtitësi Vetmitar” (1926) dhe “Shpikja Kolektive” (1934-35). Në këtë të fundit, një krijesë gjysmë grua dhe gjysmë peshk, shtrihet në plazh në kulmin e baticës. “Shkatërrimi i kohës së njerëzimit është një tregues i drejtëpërdrejtë i tmerrit të shfytyrimeve ujore, duke na kujtuar në të njëjtën kohë dhe duke shkatërruar imazhet e sirenës mitike,” shkruan Saliot-i. Ndonëse shumë prej imazheve të Magritte-s janë joshës dhe fantastikë, ne mund të gjejmë aty edhe mërzi.

Magritte e filloi herët edukimin e tij artistik. Ai i filloi mësimet e vizatimit në vitin 1910, realizoi pikturën e tij të parë kur ishte adoleshent dhe hyri në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura (Académie Royale des Beaux-Arts), në Bruksel, në vitin 1916. Ai e filloi karrierën e tij duke pikturuar abstraksione. Gjashtë vite më vonë, në vitin 1911, tre ngjarje kryesore formësuan jetën dhe stilin e Magritte-s: Ai u martua me Georgette Berger-in, ekspozoi gjashtë piktura në Show-n e Kongresit të Artit Modern të Antwerp-it dhe pa për herë të parë veprat e Giorgio de Chirico-s. Skenat përndjekëse, të hijezuara dhe të ngarkuara me simbole, e bindën Magritte-n që të realizonte peizazhet e tij psikologjike.

Megjithëse ai e filloi punën e tij në Bruksel, në vitin 1927, Magritte dhe Georgette u vendosën në Paris në mënyrë që ai të përfshihej në rrethin e Surrealistëve. Ky mjedis i ri ishte për të njëherësh frymëzues dhe i mërzitshëm. Megjithëse, në fillim ai ishte ngazëllyer nga idetë e shkrimtarit dhe liderit të lëvizjes: Andre Breton-it, në fakt, shumë shpejt ata u kthyen në diçka shumë dogmatike. Pavarësisht neverisë së Surrealistëve ndaj fesë, Georgette njëherë vuri një varëse me një kryq të artë në një festë, duke shkaktuar mosmarrëveshje ndërmjet bashkëshortit të saj dhe Breton-it. Çifti u kthye në Bruksel në vitin 1930.
Magritte dhe Georgette nuk u divorcuan kurrë, megjithëse tradhëtia në të dy krahët krijoi trazira shtesë për artistin. Në fund të viteve 1930, ai pati një marrëdhënie me artisten surrealiste Sheila Legge. Kur bashkëshorti i saj, poeti Paul Colinet u regjistrua në ushtri, ata filluan që të flinin bashkë.

Në vitin 1945, Magritte iu bashkua Partisë Komuniste Belge. Besimet e tij politike e dallonin atë nga shumë prej kolegëve surrealistë. “Magritte kërkonte një revolucion tani dhe këtu, dhe ai kërkonte që të ishte i lidhur njëherësh me surrealizmin dhe komunizmin, për të cilin Breton-i i kishte kthyer atij kurrizin plotësisht,” ka shkruar historiani i artit Michel Draguet për një katalog lidhur me “Stinën e Pestë,” një Show që u hap për Muzeun e Artit Modern të San Francisco-s.

Mbështetja e Magritte-s për komunizmin lidhej gjithashtu ngushtësisht me dashurinë e tij për burrin me kapele, të kudondodhur në pikturat e tij (i cili ishte gjithashtu një aksesor konstant në gardarobën e tij). Ky aksesor e bënte atë që të dukej njësoj si shokët e tij kolegë, me efekt të kundërt të, le të themi, të mustaqeve idiotokratike, të vështira për të mos u vënë re, të Salvador Dali-së.

Magritte mori shumë vlerësime individuale gjatë jetës ë tij, duke filluar rreth viteve 1930. Muzeu i Artit Modern (MoMA) në New York, organizoi një retroskpektivë për të në vitin 1965, më pak se sa dy vite përpara vdekjes së tij nga kanceri në pankreas. “Nga jashtë jeta e tij ka qenë jashtë mase e paqëndrueshme, por bota e brendshme e imagjinatës, që tregohet tek arti i ti, varion dhe ka qenë jashtëzakonisht novatore, duke i dhënë atij një vend udhëheqës midis fantazuesve të kohëve tona,” ka shkruar kuratori James Thrall Soby në esenë e katalogut të atij Show.

CILAT ISHIN ARRITJET E MAGRITTE-IT PËRTEJ PIKTURËS?

Si shumë surrealistë, Magritte ishte thellësisht i angazhuar me letërsinë. Ai krijoi vizatime për tekstet nga poeti Paul Éluard, nga shkrimtari Georges Bataille dhe nga Markezi De Sade.

Magritte punoi gjithashtu në fushën e reklamimit, duke dizenjuar reklama për klentët në industri të ndryshme, duke filluar nga makinat deri tek moda. Si në dizenjot e tij të reklamave, Magritte përdori qasje të pastra dhe të sheshta në artin e tij. Vetëm disa dekada më pas, Andy Warhol do të ndiqte të njëjtën trajektore, më qartësisht, duke përzier printimet, pikturat dhe skulpturat e tij me evidenca të ditëve të tij si një mjeshtër tregtar. Magritte ka përdorur gjithashtu aftësitë e tij profesionale për qëllime politike, duke realizuar grafika dhe postera për Partinë Komuniste Belge.

Përgjatë pushtimit nazist të Belgjikës gjatë Luftës së Dytë Botërore, Magritte prodhoi fotografi dhe filma të shkurtër. Në vend të tematizimit të dhunës dhe të fashizmit që pushtoi vendin, artisti u kthye drejt burimeve më të këndshme të frymëzimit. “Unë jetoj në një botë shumë të papëlqyeshme, dhe puna ime është si një kundër-ofensivë,” ka shkruar ai njëherë.

PËRSE KA RËNDËSI VEPRA E TIJ?

Në sipërfaqe, pikturat me humor dhe atmosferë të Magritte-s, evokojnë një ndjesi tërheqjeje ndaj misterit, të cilat nxisin eksplorimin e vetë psikikës së njeriut.

Megjithatë, veprat e tij të mëvonshme, ofrojnë ide të ndryshme. Nga vitit 1943 deri në vitin 1947, Magritte kaloi përgjatë “periudhës Renoir,” dhe rreth vitit 1948, të ashtuquajturën “periudhën vache” (në frengjisht, termi “vache” do të thotë “lopë”). Gjatë të parës, Magritte përshtati stilin impresionist të penelatave të Pierre-Auguste Renoir-it; në periudhën tjetër, ai pikturoi sipas një mënyrë fauviste dhe përdori ngjyra më të gjalla, dhe jorealiste, duke sugjeruar kanavacat e Henri Matisse-s dhe Adre Derain-it. Në të vërtetë, shumë nga pikturat e Magritte-s nga vitet 1940 duken sikur janë kopjuar nga krijmtaria e dikujt tjetër. Aty ka po ashtu një element karikaturist në kompozimet e tij ‘vache’; ato janë pjesë e kategorisë së “pikturave të këqija,” një estetikë që rrezaton sot në veprat e artistëve si Philip Guston dhe Laura Owens.

Dhe, sigurisht që, është edhe vepra më e famshme e Magritte-s, të cilën e njohin shumë njerëz, edhe pse ata mund të mos ta dinë emrin e artistit. Piktura: “Tradhëtia e imazheve” e vitit 1929, e lidhte artin e Magritte-s me filozofitë e rëndësishme të përfaqësimit. Artisti thjesht pikturoi një llullë duhani me ngjyrë kafe dhe të zezë sipër fjalëve, të cilat thonë: “Kjo nuk është një llullë”. Kjo kanavacë nënvizon faktin që, shikuesi nuk po shikon një llullë, por një pikturë të një llulle; pra dallimi ndërmjet artit dhe realitetit. Diçka e tillë u kthye në një shqetësim madhor për Gjeneratën e Fotografive në vitet 1970 dhe 1980, të cilët, në të njëjtën mënyrë nënvizonin faktin që trillimet e dukshme në këto fotografi (‘Snapshots’) nuk përfaqësonin të vërtetën, por këndvështrimin e sajuar të një artisti.

Magritte, më shumë sesa çdo artist në shekullin e kaluar, e ktheu në projektin e tij për të shkatërruar besimin tonë tek ngjashmëritë pamore. Ai jetoi përgjatë periudhave të dhunshme që frymëzuan shumë evropianë për të vënë në pikëpyetje qeveritë, fenë dhe dekadencën e tyre njerëzore; veprat e tij të artit në mënyrë të ngjashme i kërkojnë shikuesit që të rivlerësojnë pranimin e tyre mbi atë që ata shikojnë. Duke qenë se teknologjia e përmirësuar me shpejtësi amplifikon aftësinë tonë për të shformuar imazhet në mënyrë realiste, është e rëndësishme më shumë se kurrë që të shqyrtojmë se çfarë është dhe se çfarë nuk është një llullë.

Marrë nga: ARTSY

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top