Kërkohet një vrasës-Liridon Mulaj

in Letërsi by

Liridon Mulaj

Nisur nga gjendja jonë lind një dëshirë e imët, si një vegim bosh strukur brenda nesh që edhe ata të vuajnë paksa për ne. Ta ndiejnë mungesën tonë siç ne e ndiejmë të tyren. Ose një tjetër thelb nisur nga marrëzia që përmbys gjithçka. Të ikurit në botën tjetër mbase qeshin me ne e mbase dhe u dhimbsemi nga pak. Mund t’u ngjajmë si të mbetur në një jetë ku ata nuk duan të kthehen. Ne jemi për ata si fëmija i fundit, ai më i ngathti, më qullashi, i mbetur në gropën me baltë ndërkohë që të tjerët e përqeshin nga hapësira e jashtme. Ose ikja e tyre mbetet një ëndërr e gjallë. Si ato që kisha krijuar nga hiçi njëherë e një kohë. Kisha ëndërruar, sigurisht si çdo nënë, ditën kur imë bijë do të vishte vellon e nusërisë. Me flokët e gjatë derdhur mbi shpinë, teksa kërcente e lumtur në kupë të qiellit. Unë që e veshtroja diku nga një skaj i hapësires rreth saj, me lot gëzimi në sy. Kisha ëndërruar gjithashtu dhe Gjergjin dhëndër, me kostumin ngjyrë krem. Kravatën e hollë lidhur nyje e flokët e dendura mbështjellë pas kokës. Shpesh kisha kapërcyer në thellësi të dëshirave duke imagjinuar oborrin teksa gumëzhinte nga zërat e lumtur të nipërve dhe mbesave. Hapat e tyre të vegjël që puthnin dyshemenë e drunjtë. Unë, si një gjyshe krenare mbështetur mbi shpinore të minderit, sodisja me mëndjemadhësi lëvizjet e pasardhësve të mi. E si me mburrje të fshehur, buzëqeshja me veten time siç mund të buzëqeshë një grua e realizuar që përmbush ciklin e jetës me përpikmëri, me aq sa mundet. Kisha ëndërruar e nuk e kisha tepruar aspak. Kisha ëndërruar për nipat e mbesat me trupat e tyre të njomë rreth meje. Tek buzëqeshnin të lumtur duke i falur jetës sime copëza lumturie jo të prekshme, ëndërrimtare e të paimagjinueshme. E si çdo nënë dhe unë fluturoja mbi iluzionet e së ardhmes. As koha e as ditët nuk i fashisin kujtimet, e as nuk i mposhtin dhimbjet. Nuk mësohemi kurrë të jetojmë pa to, e për rrjedhojë ato na perqafojnë në përgjumjen tonë. Dhimbjet maskohen me përditshmëri e palosen në fund siç paloset nje pallto e zezë e madhe poshtë këmishave në fundin e sëndukut. Ajo gjendet aty, nuk është zhdukur, nuk fshihet kurrë, veçsa pret momentin që ta veshim sapo të kemi ftohtë, të rrahur nga acari i harresës. Atëhere kur pyesim veten se nëse i do i përshfaqnim botës pamjen tonë të vërtetë, a do të trishtohej ajo për ne? A do t’i lartësojë lutjet e heshtura, ato psherëtima mbushur me lot. Pritjet e pashteruara. Hamendësimet se të qenit mbi nivelin e dashamirësisë reale e me i përulur se vetë përulësia, njerëzit do të jenë më tolerantë e gjithçka do të shëndriste në mirëkuptim. Dua të besoj se ata nuk kanë ikur kurrë nga unë. Të besoj se në parajsë gjenden copëza bote edhe pse e di fort mirë se në këtë botë nuk gjendet asnjë copëz e parajsës. Përderisa ne jemi copa qiejsh të mbyllur në kafaze trupore. Sytë jane tregues i qiellit brenda nesh. E jeta si një fill që këputet. Si një çast që ikën pa kthim. Zhytemi në dëshpërim kur e kuptojmë se çfarë kishim deri dje dhe nuk e ruajtëm sa duhet, nuk do ta kemi më. Ajo çfarë ty të krijoi shkëputet nga ti dhe shpejt e ndjen veten si një trup që lëkundet në hapësira boshe. Pa një dorë që të shtrihet, sa herë që qenia jonë zgjatet e zgjatet drejt hapësirave të panjohura.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

BOLERO-JULIO COTZÁR

BOLERO-JULIO CORTÁZAR Argjentinë, 1914 – 198 Çfarë kotësie të imagjinosh se mund

Katia-Anita Zela

Anita Zela Emrin e Katias ma tregoi shitësja e panineve në atë

Kancer-Janis Ricos

Kancer-Janis Ricos   Dhe papritmas gjithçka u bë e largët – trajtat,
Go to Top