HISTORIA E MAX BECKMANN-it- Piktori gjerman i misterit

in Pikturë by

MAX BECKMANN

I njohur si artisti udhëheqës gjerman i shekullit të 20-të, Max Beckmann shpesh asociohet me Lëvizjen e Ekspresioniste. Megjithëse ai refuzoi që t’i bashkohej çdo lëvizjeje artistike, ai ishte një pioner vetmitar me një simbolizëm dhe stil unik. Përgjatë jetës së tij, ai krijoi më shumë sesa 800 piktura dhe qindra gravura e vizatime, të cilat janë të përhapura nëpër të gjithë botën.

JETA E HERSHME

Max Beckmann-i lindi në vitin 1884, në Leipzig në një familje të shtresës së mesme dhe që në moshë të hershme ishte e qartë që ai do të bëhej një artist. Duke studiuar tek Akademia e Artit të Vajmarit, ai ndoqi një edukim tradicional dhe akademik, duke vizatuar nga skulpturat antike dhe modelet e gjalla. Në universitet ai u takua me bashkëshorten e tij të ardhshme Minna Tube, gjithashtu studente dhe, më vonë, ajo që solli në jetë fëmijën e vetëm të Beckmann-it: Peter-in.

Duke pikturuar nën influencën e Impresionizmit, talenti i madh i Beckmann-it u bë shumë shpejt i dukshëm dhe ai filloi që të ekspozonte veprat e tij me Suksesionin e Berlinit; shumica, piktura mitologjike dhe skena fetare sipas një mënyre tradicionale. Në vitin 1910, ai u zgjodh si anëtar i bordit të grupit, më i riu që kishte arritur ndonjëherë këtë status. Deri në atë çast jeta ishte treguar bujare me Max Beckmann-in, por gjerar do të ndryshonin.

LUFTA E PARË BOTËRORE DHE PASOJAT E SAJ

Në vitin 1914, Beckmann-i u bashkua si vullnetar me një mision mjekësor dhe pas kësaj ai shërbeu në Belgjikë. Fillimisht i mbushur me shpresë, tmerret e luftës që ai kishte parë me sytë e tij e ndryshuan tërësisht perspektivën e tij për botën dhe ai e humbi besimin e tij tek njerëzimi. Pas një krize nervore që ai pësoi në vitin 1915, Beckmann-i u shkarkua nga misioni dhe u rikthye në Gjermani. Ai u vendos në Frankfurt, ku filloi që të pikturonte sërish në vitin 1917. I kujtuar si artisti që pikturonte sipas mënyrës impresioniste, përvojat që Beckmann-i kishte jetuar e ndryshuan dhe radikalizuan plotësisht artin e tij. Pikturat e tij u bënë më të shformuara, më groteske dhe të mbushura me metafora përndjekëse.

SIMBOLIZMI I BECKMANN-it

Piktura “Nata” e përfunduar në vitin 1919, është një shembull i një vepre ku Beckmann-i ka përpunuar emocionet e tij dhe tmerret që kishte parë: ajo tregon një familje të torturuar, e cila i referohet luftës, si edhe portretizimit të situatës politike aktuale të pas-luftës në Gjermani. Kaosi i përfaqësuar theksohet më tej nga përdorimi i toneve kafe dhe të kuqe. Simbolizmi misterioz i Beckman-it, i përdorur në pikturat e tij, duke përfshirë edhe “Natën”, nuk është ende tërësisht i kuptuar edhe sot. Për shembull, aty mund të vihet re një gramafon ngjitur me një qiri të rrëzuar dhe rëndësia e kësaj nuk njihet ende nga askush me përjashtim të vetë artistit.

Ngadalë, artisti e rimori veten nga kriza mendore që pësoi. Në vitin 1925, ai u caktua në një pozicion mësimdhënieje, tek Shkolla e Artit Städel në Frankfurt dhe ai fitoi famë ndërkombëtare. Në të njëjtin vit, Beckmann-i u divorcua nga bashkëshortja e tij e parë për t’u martuar me Mathilde von Kaulbach-un, e njohur si Quappi, e cila dominon shumë në veprat e tij. Ajo ishte 20 vjet më e re se ai dhe ajo ia kushtoi jetën e saj mbështetjes së karrierës së tij.

LUFTA E DYTË BOTËRORE: ARTI I DEGJENRUAR

Me ngritjen e Hitlerit në Gjermani, u bë edhe më e vështirë për artistët modernë gjermanë që të mbanin veten. Regjimi nazist e konsideronte Artin Modern të korruptuar moralisht dhe nga pikëpamja sociale, duke e etiketuar atë si art të degjeneruar. Arti nga hebrenjtë, jo-gjermanët, apo veprat që ishin kritike ndaj shoqërisë, u ndaluan, dhe deri në fund të viteve 1930 mbi 600 piktura të Beckmann-it u konfiskuan. Megjithëse, artisti nuk ishte politikisht aktiv, vepra e tij u konsiderua si primitive dhe sapo Hitleri mori pushtetin në vitin 1933, Beckmann-i humbi pozicionin e tij të mësimdhënies në Frankfurt dhe u shpërngul në Berlin. Gjatë kësaj kohe, u krijua piktura “Nisja”: megjithëse ajo nuk adreson domosdoshmërisht çështje politike, sot ajo konsiderohet si një deklaratë për regjimin e Hitlerit. Kjo vepër është e para në formën e një triptiku, që do të thotë se ajo është e ndarë në tre seksione. Ky format është frymëzuar nga pjesët e altarit në artin e Mesjetës dhe të Rilindjes, të cilat ishin shumë frymëzuese për Beckmann-in pas rikthimit të tij nga Lufta e Parë Botërore.

JETA NË MËRGIM

Pika më e lartë e persekutimit të artit të degjeneruar ishte ekspozita që u organizua në vitin 1937, e titulluar “Ekspozita e Artit të Degjeneruar”, e cila ekspozoi gjithashtu edhe veprat e Beckmann-it. Sapo Beckmann-i mësoi për këtë event, ai shkoi në Amsterdam së bashku me bashkëshorten e tij. Ai nuk u rikthye më kurrë në atdhe. Megjithëse artisti mori mbështetjen e familjes dhe të miqve të tij gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Amsterdam, ai u ndje i izoluar, gjë që reflektohet në disa autoportrete që ai pikturoi gjatë asaj kohe.

NJË FILLIM I RI

Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, Beckmann-it iu ofrua një pozicion mësimdhënieje në Universitetin e Shkollës së Artit në Shën Louis në Washington, por konsullata e Shteteve të Bashkuara në Hagë refuzoi që t’i jepte vizë dhe artisti mbeti në Amsterdam deri në përfundim të luftës.

Në vitin 1945, përpjekjet e Beckmann-it për të emigruar rezultuan të suksesshme dhe ai u vendos së bashku me bashkëshorten në Shtetet e Bashkuara, ku ai qëndroi deri në vdekjen e tij, në vitin 1950. Deri në kohën e vdekjes së tij, ai tashmë njihej si një nga piktorët udhëheqës të shekullit të 20-të dhe trashëgimia e tij jeton edhe sot.

(Imazhi 1: Max Beckmann, “Nata”, 1918-1919)

(Imazhi 2: Max Beckmann, “Skena e madhe e agonisë”, 1906)

(Imazhi 3: Fototgrafi e Max Beckmann, nga Hans Moeller, 1922)

(Imazhi 4: Max Beckmann, “Nata”, 1918-1919)

(Imazhi 5: Max Beckmann, “Nisja”, 1932-1935)

(Imazhi 6: Max Beckmann, “Autoportret me të zeza”, 1944)

(Imazhi 7: Adolf Hitler dhe Adolf Ziegler duke vizituar ‘Ekspozitën e Artit të Degjenruar’, 1937)

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top