Hans Hartung-Një nga etërit e artit abstrakt

in Pikturë by

Shpikësi i një gjuhe të re piktoreske!

Hans Hartung, i lindur në Gjermani në vitin 1904 (më vonë ai mori nënshtetësinë franceze), konsiderohet si një nga etërit e artit abstrakt, por gjithashtu edhe i “Tachisme-it” (stil francez i pikturës abstrakte të viteve 1940 dhe 1950). Të mbushura me dinamizëm dhe liri, pikturat e Hans Hartung-ut udhëhiqen nga dëshira për të zhvilluar një gjuhë të re piktoreske. Me këtë artikull, Artsper ju fton të mësoni më shumë rreth Hans Hartung-ut dhe punës së tij. Ejani dhe zbuloni më shumë mbi njeriun pas këtyre pikturave të gjalla, dinamike dhe të lira. Mund të çuditeni…

1. Ai humbi këmbën gjatë luftës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hartung-u ishte i etur për të luftuar kundër Gjermanisë, kështu që ai u bashkua me ushtrinë zyrtare franceze. Për shkak të shtetësisë së tij gjermane, ai u transferua tek Legjoni i Jashtëm. Në nëntor të vitit 1944, qyteti i Belfort-it u sulmua, ai u plagos atë rëndë. Për shkak të plagosjes, atij duhet t’ia prisnin këmbën e djathtë. Hartung-u u kthye nga lufta i traumatizuar, por gjithashtu i paduruar për të vazhduar punën me pikturën pas 5 vitesh ndërprerje. Pas kthimit, ai ishte shumë i shqetësuar për gjymtimin e tij, por gjithashtu edhe për artistët e tjerë. Artistë të cilët, ndryshe nga ai, nuk kishin shkuar në luftë, dhe që rrjedhimisht, ishin në gjendje që të zhvillonin karrierat e tyre dhe që ta përsosnin më tej artin e tyre.

2. Ai realizonte vizatime të hollësishme dhe të detajuara të pikturave të tij.


Kur Hans Hartung-u mbërriti në Paris, në vitet 1930, ai jetoi në kushte të pasigurta dhe kishte vështirësi të mëdha për të marrë furnizimet që i nevojiteshin për artin e tij. Një ditë miku i tij Jean Hélion, i cili gjithashtu ishte piktor, i dha një këshillë që ai nuk do ta harronte kurrë. Ai e këshilloi që t’i qëndronte gjithmonë besnik vizatimeve të tij dhe që t’i pranonte gabimet e tij. Kështu, nga ajo periudhë e më tej, dhe deri në vitet 1960, Hartung-u riprodhoi me besnikëri të gjitha skicat e tij në kanavacë nëpërmjet përdorimit të një vizoreje. Sa të gjalla dhe dinamike saç mund të duken pikturat e tij, ato ishin, në fakt, të para-përgatitura me imtësi dhe në mënyrë të vetëdijshme.

3. Bashkëshortja e tij gjithashtu ishte një piktore.


Shumë shpesh, e lënë nën hijen e të shoqit, Anna Eva Bergman ishte gjithashtu artiste. Fillimisht ilustruese dhe karikaturiste, ajo realizoi veshjen pamore për shumë revista apo madje edhe për libra gatimi. Gjatë viteve 1950, ku ajo u rilidh me Hans-in pas ndarjes së tyre, ajo filloi të ngrinte pikëpyetje për punën e saj. Pas një shkëputje, ajo, ashtu si Hans-i, filloi të punonte me pikturën abstrakte. Por ndryshe nga Hartung-u, ajo prodhonte vepra më të qeta, më të paqta, kanavaca të mëdha në blu të errët, me yje të artë dhe të argjendtë.

4. Në Paris, ai u takua me Mondrian-in, Miro-në dhe me Calder-in.


Në vitin 1935, pas përballjes me shumë vështirësi financiare në Gjermani, Hans-i dhe bashkëshortja e tij u zhvendosën në Paris. Më pas ata jetuan në një studio me adresë në ‘19 rue Daguerre’, në Paris. Gjatë kësaj periudhe ai punoi me shumë artistë të tillë si Mondrian-i, Miro dhe Calder-i. Gjithashtu, po gjatë kësaj periudhe, ai filloi të ekspozonte në Galerinë “Pierre Loeb”, dhe të merrte pjesë çdo vit në “Salon des Surindépendants”.

5. Ai ishte edhe skulptor.


Deri në fund të viteve 1930, situata financiare e Hartung-ut ishte përkeqësuar shumë shpejt dhe artisti u detyrua të zhvendosej në një apartament më të vogël në Paris. Më vonë, miku i tij, Henri Goetz i mori ata në shtëpinë e tij. Më pas, skulptori Julio González e mirëpriti atë në studion e tij. Kështu, Hans-i u bë mik me skulptorin dhe mësoi rreth artit tredimensional. Nga ky eksperiment u krijuan dy skulptura abstrake, njëra prej të cilave u ekspozua në “Salon des Surindépendants”.

6. Alain Resnais ka bërë një film për të.

Pavarësisht faktit që ai nuk i kishte përfunduar studimet e tij për film, i riu Alain Resnais qëndroi afër profesorëve të tij në IDHEC (Institut des Hautes Études Cinématographiques), veçanërisht me kritikun e artit Madeleine Rousseau, i cili e prezantoi atë me Hans Hartung-un në vitin 1947. Kështu, Resnais-i bëri një film për Hartung-un, 7 minuta të gjatë, në 16mm, bardhë e zi dhe për arsye financiare, një film pa zë. Filmi u shfaq në vitin 1950, si pjesë e një monografie të parë të punës së Hartung-ut në Galerinë “La Hune“, që e prezantonte artistin në studion e tij pariziene në mes të procesit krijues.

7. Ai ishte shumë i apasionuar pas fotografisë.


I apasionuar pas fotografisë, që nga fëmijëria e tij, piktori thoshte se ai e kishte zakon që t’i bënte fotografi çdo gjëje dhe se për të fotografitë ishin si kujtime njësekondëshe. Gjatë një udhëtimi në Norvegji me Anna Eva Bergman, ai bëri më shumë sesa 1000 fotografi të udhëtimit të tyre përtej Kepit të Veriut. Më në fund, në vitin 1977, “Cercle Noroit” në Arras, i kushtoi një ekspozitë prodhimeve fotografike të Hartung-ut për festimet e 73 vjetorit të lindjes së tij.

8. Ai ka ilustruar një koleksion me poema.

Në fillim të viteve 1960, poeti dhe shkrimtari Jean Proal shkroi një seri poemash të titulluara “Prière sur l’agonie or Farandole”. Si një nga miqtë e ngushtë të Hans Hartung-ut, Proal-i i dërgoi atij disa ekstrakte, të cilat e prekën shumë piktorin. Kjo seri poemash trajtonte absurditetin e luftës, veçanërisht luftën algjeriane që kishte zgjatur për disa vite. Në vitin 1971, dy vite pas vdekjes së Proal-it, Hartung-u prodhoi pesëmbëshjetë litografi për të ilustruar librin me poezi të Proal-it.

9. Ai ishte i fiksuar pas raportit të artë.


Aty nga fundi i viteve 1920, Hans Hartung-u u interesua gjithnjë edhe më shumë për artin francez, të cilin ai e konsideronte të pastër, të shëndetshëm dhe të rafinuar. Ai thoshte se këto tipare nuk i gjente në artin gjerman. Më pas ai u apasionua pas barokut dhe kubizmit analitik të Picasso-s, dhe filloi të shikonte për rendin në punën e tij. Hartung-u e pa raportin e artë si një mënyrë për organizimin e kompozimeve të tij, por gjithashtu edhe si një estetikë tërësisht të re matematikore, universale, të pakohë. Megjithatë, në mes të viteve 1950, ai i refuzoi dhunshëm kërkimet e tij matematikore, duke i quajtur ato një humbje të turpshme të kohës, dhe nga andej e tutje, ai e konsideroi raportin e artit si një instrument steril dhe kufizues.

10. Ai refuzoi mësimet e Bauhaus dhe të Kandinsky-t.


Në vitin 1925, Hans Hartung-u mori pjesë në konferencën për artin abstrakt nga Kandindly. Gjatë këtij eventi, piktori rus prezantoi metodën dhe gjuhën e tij të re piktoreske. Hartung-u e pa fjalimin e Kandinsky-t veç si një doktrinë më shumë dhe besonte se ai ishte në rrugën e duhur në lidhje me artin dhe kërkimin e tij piktoresk. Në të njëjtën mënyrë, ai refuzoi kategorikisht t’i bashkohej Bauhaus-it, duke i parë mësimet e tyre si shumë të orientuara drejt arteve të aplikuara dhe arkitekturës.

Marrë nga: REVISTA ARTSPER

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top