GUSTAV KLIMT, ARTI MODERN DHE LINDJA E SUKSESIONIT VJENEZ

in Pikturë by

Një nga lëvizjet më avantgarde të artit në Evropë

Shpesh lindja e artit modern përshkruhet si një revolucion kundër forcave konservatore dhe stileve të vjetëruar, ku e vjetra u përpi plotësisht nga artistët avantgardë, të cilët synonin prishjen e “status quo-së“. Megjithatë, edhe lëvizjet radikale kanë nevojë për liderët, manifestet dhe programet, rregullat dhe rregulloret, si edhe për platformat periodike dhe tregun e tyre. Një nga organizatat avantgarde më të spikatura e fundshekullit të 19-të, ishte Suksesioni Vjenez, i themeluar në pranverë të vitit 1897  në kundërshtim me shoqatën e ngritur “Kunstlerhaus” (Godina e ekspozimit të artit të Vjenës). Qendra e këtyre zhvillimeve progresive ishte Gustav Klimt në Vjenën Perandorake, ku ai shërbeu si Presidenti i parë i Suksesionit, duke shërbyer jo vetëm si kreu i saj dhe si një lloj drejtuesi i pjekur, por i cili përcaktoi në mënyrë aktive drejtimin e këtij grupi të ri, duke i dhënë formë identitetit të tij pamor, si edhe duke ekspozuar rregullisht në ekspozitat e Suksesionit. Përfshirja e tij me Suksesionin Vjenez shenjon ditët e themelimit dhe të lavdisë së shoqatës deri në ndarjen e të ashtuquajturit “Grupi Klimt” nga Suksesioni në vitin 1903.

Dekada që pasoi themelimin e Suksesionit dëshmoi gjithashtu transformimin dhe rishpikjen e artistit Gustav Klimt siç ne e njohim atë sot: nga një piktor i respektuar dhe shumë mjeshtëror, qartësisht akademik, në një protagonist të një prej lëvizjeve më avantgarde dhe aventuroze në Evropë në fund të shekullit. Stili i Klimt-it jo vetëm që ndryshoi dramatikisht gjatë kësaj periudhe në një stil më rrëzëllitës e të shtrenjë dhe me ngarkesë erotike; stili “Jugendstil” (Art Nouveau), por ai u kthye gjithashtu në një nga ithtarët kryesorë të të ashtuquajturit (Gesamtkunstwerk) (tërësisht një vepër arti), duke advokuar për integrimin e të gjitha arteve në një tërësi të unifikuar nën lidershipin e arkitekturës.

Në këtë periudhë krijmtarie të jashtëzakonshme, Gustav Klimt-i krijoi disa nga veprat e tij më të rëndësishme dhe mahnitëse: nga trajtimi novator i subjektve klasike në “Pallas Athena” e vitit 1898, deri tek lartësimi i pasurive ornamentale në pikturën ikonike “Puthja” e vitit 1907-08. Gjatë këtyre viteve, Klimt-i ishte një figurë publike e spikatur dhe, më e rëndësishmja, ai ekzekutoi një numër të lartë porosish veprash arti për ekspozita, për godinat publike dhe për rezidencat private. Tendencat dekorative të artit të tij, gjetën një përgjigjje të fuqishme tek mjediset moderne të dizenjuara specifikisht me artin e tij në mendje, duke kulminuar me monumentalen “Beethoven Frieze” të vitit 1901-02. Pas skandaleve të të ashtuquajturave “Pikturat e Fakultetit”, të përfunduara në vitet 1900-01, pritja e vakët dhe përpjekja për t’u rikthyer në skenën publike me “Kunstschau” në vitin 1908, Klimt-i u tërhoq nga jeta publike dhe iu përkushtua gjithnjë edhe më shumë porosive të portreteve dhe të peizazheve. Epokës madhështore të Suksesionit si një nga lëvizjet më avantdarge në Evropë i kishte ardhur fundi, e përpirë nga një gjeneratë e re artistësh dhe që u kthye në diçka të vjetëruar nga kërcënimi i Luftës së Madhe dhe nga krizat ekonomike.

LINDJA E SUKSESIONIT VJENEZ

Ashtu si në shumë kryeqytete evropiane, klima intelektuale dhe artistike në Vjenën e fin-de-siecle (fundshekullit) ishte gati për revolucion. Në shekullin e 19-të qyteti ishte zhvilluar në një metropol kryesor prej dy milionë banorësh me një arkitekturë madhështore, ndonjëherë bombastike, të denjë për kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze të zgjeruar dhe multikulturore. Vjena ishte udhëheqëse jo vetëm e traditave të pasura të muzikës, të letërsisë dhe të arteve pamore, por gjithashtu të shkencës, inxhinierisë, mjekësisë, filozofisë, psikanalizës dhe psikologjisë, duke prodhuar tre gjenerata individësh të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme të arteve dhe të shkencës: Sigmund Freud (1856-1939), Adolf Loos (1870-1933) dhe Hugo von Holfmannsthal (1874-1929), Kark Kraus(1874-1936), Arnold Schoenberg (1874-1951), Oskar Kokoschka (1886-1980), Ludwig Wittgenstein (1889-1951) dhe Egon Scheile (1890-1918). Megjithatë, qyteti ishte gjithashtu një kulturë në krizë, me një rritje të nacionalizmit dhe të radikalizmit politik, duke e tendosur në mënyrë të konsiderueshme shtetin multietnik. Tensioni ndërmjet historive retrogresive të messhekullit dhe shfaqja e Modernizmit, prodhuan një klimë të favorshme për ndryshim ku lulëzoi revolucioni krijues i Suksesionit.

Suksesioni Vjenez u themelua më 25 Maj, 1897 (kushtetuta e saj u nënshkrua më 3 Prill, 1897) në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me establishmentin artisitik të përfaqësuar nga Shoqëria e Artistëve të Vjenës, përgjithësisht të njohur me emrin e selisë së tyre (‘Shtëpia e Artistëve’), në qendër të qytetit në Karlsplatz. Kryengritja artistike mori formën e ndarjes së të resë me të vjetrën, duke propzuar një stil të ri dhe një mënyrë të re shprehjeje në përputhje me realitetet e epokës industriale dhe të jetës moderne në një metropol frymëzues – “kombinimi ambig i revoltës Edipiale kolektive dhe kërkimi narcistik për një vete të re”, siç e ka perifrazuar Carl Schorske. Për Suksesionin, nuk do të mjaftonte asnjë më pak se sa shkëputja historike radikale për prodhimin e një agimi të ri nëpërmjet forcës rigjineruese të artit – “pranvera e shenjtë” e evokuar nën moton “Ver Sacrum,  gjithashtu edhe emri i revistës së saj programatike. Lëvizja u vu në lëvizje nga “shpirti i të rinjve, nëpërmjet të cilëve e tashmja bëhet gjithmonë moderne”, siç u shpall në inagurimin e daljes së revistës. Duke vepruar kështu, ajo ndoqi modelin e Suksesionit të Mynihut, i cili në vitin 1892 kishte hapur shtegun, të cilit shumë shpejt do t’i bashkoheshin Suksesioni i Berlinit dhe shumë grupime të tjera, të cilët sfiduan establishmentet artistike nëpër të gjithë Evropën.

Mbi të gjitha, Suksesioni kundërshtonte frenimin e Kunstlerhaus-it, aderimin në stilin akademik, politikat kufizuese të ekspozimit dhe metodat e prezantimit të një stili të vjetër. Posteri i Klimt-it për ekspozitën e parë të Suksesionit, e cila u hap në pranverë të vitit 1898, vizualizon më mënyrë të fuqishme ndarjen me të shkuarën nëpërmjet filtrit të mitit klasik: përbindëshi Minotaur me trupin e tij njerëzor dhe kokën prej demi vritet nga i riu Theseus, mbreti themelues i Athinës, duke luftuar kundër një rendi arkaik dhe të vjetëruar. Ky poster u censurua, dhe u kërkua mbulimi i gjenitaleve të Theseus-it, duke vendosur në mënyrë strategjike mbathje sportive. Në profil, në të djathtë, Perëndeshë Athina vigjilon mbi Suksesionin si patrone e artit dhe e zejtarisë. Suksesioni përdori strategji tejet efektive, të ndërtuara rreth një identiteti të përbashkët koherent, dhe duke shpallur ardhjen e tij nëpërmjet një dizanji grafik të thjeshtë, i cili u shfaq gjithashtu edhe tek kapaku i katalogut të ekspozitës dhe tjetërkund. Kombinimi i një stili të reduktuar dhe të pastër ndaj referencave mitologjike klasike, u përodor për të shpallur shkëputjen vigoroze nga establishmenti drejtues i traditës së “secessio plebes” romake dhe si agimi i një epoke të re krijmtarie. Ajo tregon gjithashtu tensionin e trashëguar të një lëvizjeje dinamike të kapur ndërmjet shtytjes ambicioze për të ecur përpara dhe atashimit të thellë ndaj traditës dhe autoritetit, të shprehura nëpërmjet aderimit në ikonografine klasike dhe bashkëpunimin me pushtetin ekzistues, për shembull, duke i kushtuar homazh me bindje Perandorit.

Shkëputur nga libri ‘Gustav Klimt’ nga Tobias G. Natter, Botimet TASCHEN

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top