GRATË QË HISTORIA MODERNE E ARTIT I KA HARRUAR

in Feminizëm/Pikturë by

Berthe Morisot, Mary Cassatt, Dorothea Tanning, Leonor Fini, Kay Sage, Perle Fine.

Sa artiste femra në artin modern mund të përmendni? Me shumë gjasa shumë pak; shumica e grave në historinë e artit modern janë harruar. Pavarësisht se ato kanë marrë pjesë në historinë e artit në mënyrë të barabartë me burrat, artisteve femra nuk iu është dhënë vlerësimi dhe vendi që ato meritojnë. Për shekuj, ato ishin të përjashtuara nga shkollat, galeritë dhe muzetë e artit. Për më tepër, praktikisht ato nuk kishin asnjë platformë për ekspozimin e veprave të tyre përpara ngritjes së feminizmit në vitet 1970. Megjithatë, zonja të mëdha kanë kontribuar në të gjitha lëvizjet e artit që i paraprinë kësaj kohe të pjesëmarrjes së grave, veçanërisht që nga Impresionizmi në fund të shekullit të 19-të, tek Ekspresionizmi Abstrakt e deri tek Surrealizmi. Këto gra që vepruan në hijen e bashkëkohësve të tyre meshkuj mbeten pak të njohura sot.

Berthe Morisot

Kjo piktore franceze është një nga anëtaret themeluese të Impresionizmit dhe një nga gratë më të rëndësishme në historinë e artit modern. Si një figurë udhëheqëse e lëvizjes, ajo ka ekspozuar në të gjithë Sallonet Impresioniste që u zhvilluan ndërmjet viteve 1874 dhe 1885, me përjashtim të atyre për arsye mjekësore. Fillimisht si një studente private e artistit Corot, ishte falë tij që ajo filloi të pikturonte jashtë (në mjedise të hapura). Më vonë, në vitin 1868, ajo u takua me artistin francez Edouard Manet. Kjo shënoi fillimin e një miqësie të gjatë, ku të dy piktorët influencuan konsiderueshëm stilet respektive të njëri-tjetrit.

Veprat e saj të artit karakterizoheshin nga një lehtësi e madhe pamore, por gjithashtu edhe nga një mjeshtëri e madhe e teknikës së ngjyrës. Kjo bëri që Edgar Degas-i ta vlerësonte atë si një artiste të vërtetë, pavarësisht gjinisë së saj. E vetmja grua që do të ekspozonte midis një përzgjedhjeje prej 29 artistësh të shfaqur në ekspozitën e parë të grupit Impresionist, Berthe Morisot ishte shembullore në përkushtimin e saj të plotë ndaj lëvizjes…

Mary Cassatt

Pavarësisht hezitimit të prindërve të saj për ta lejuar që të ndiqnte një karrierë në pikturë, artistja amerikane Mary Cassatt filloi të studionte për pikturë në moshën 15 vjeçare. Ajo e bëri këtë në prestigjozen Akademia e Arteve të Bukura të Pensilvanisë, shkolla më e vjetër e artit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatkeqësisht, atje ajo u zhgënjye nga ngadalësia e kursit dhe qëndrimi poshtërues i bashkëmoshatarëve dhe profesorëve meshkuj. Për pasojë, Cassatt-i vendosi të shkonte në Francë ku ajo ndoqi klasa private arti. Pas një rikthimi të vështirë dhe për një kohë të shkurtër në Shtetet e Bashkuara, dhe refuzimit të të atit për të pranuar këtë rrugë të zgjedhur nga e bija, ajo u rikthye në Francë.

Pasi asnjë nga veprat e saj nuk u ekspozua në Sallonin zyrtar, për herë të parë në 7 vite Mary Cassatt-i u takua me Impresionistët. Ajo u magjeps nga vepra e Degas-it dhe ai pati një influencë të konsiderueshme tek ajo. E angazhuar ndaj anëtarëve të lëvizjes ajo krijoi vepra arti për ekspozitën e vitit 1879, që rezultoi të ishte ngjarja me e suksesshme nga të gjitha. Në fillim të viteve 80-të, ajo u nda nga avantgarda franceze dhe shpalli një stil shumë më konservator. Gjatë gjithë jetës së saj ajo qëndroi e vendosur që të jetonte në mënyrë të pavarur si një “artiste” dhe jo si një “artiste femër”.

Dorothea Tanning

Më shumë e njohur si muza e Max Ernst-it, Tanning-u i kaloi 34 vjet të jetës së saj pranë artistit gjerman. Megjithatë, Dorothea Tanning-u kishte dhuntinë e një talenti të madh artistik, që ishte shpesh shumë i fshehur nga bashkëshorti i saj… Megjtihëse asaj i mungonte trajnimi artistik formal ajo zhvilloi një stil të jashtëzakonshëm, që e ktheu atë në një figurë thelbësore të Surrealizmit dhe në një nga gratë më të rëndësishme në historinë e artit modern. Veprat e saj të hershme, të tilla si “Ditëlindja”, ishin përfaqësime figurative të situatave direkt nga vendi i ëndrrave, që e lidhnin atë me Lëvizjen Surrealiste, me anëtarët e së cilës ajo ndërvepronte shpesh. Në fakt, është autoportreti në të cilën Tanning-u shfaqet me gjinj të zhveshur, një fund të gjatë që duket si i përbërë nga rrënjët e pemëve dhe nga një bishë e vogël e çuditshme, që e bëri Max Ernst-in që të dashurohej me të. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Tanning-un që të hidhej në kërkime të tjera krijuese teksa ajo po progresonte larg drejt abstraksionit. Pjesët e saj u bënë gjithnjë edhe më pak sugjeruese, megjithëse ende përfaqësojnë formën femërore, një temë e përsëritur në veprën e saj. Si një artiste me shumë talente, ajo u mor gjithashtu me skulpturë dhe shkroi poezi.

Leonor Fini

Si shumica e artisteve femra të kohës së saj, artistja argjentino-italiane Leonor Fini ishte e vetëmësuar. Ajo ekspozoi për herë të parë në moshën 17 vjeçare, në Trieste, në qytetin ku ajo u rrit. 4 vite më vonë, pasi kishte lënë Italinë për të shkuar në Paris, ajo realizoi ekspozitën e parë solo. Në kryeqytetin francez Fini u miqësua me disa figura surrealiste. Megjithatë, ajo refuzoi që të përfshihej me ndonjë lëvizje apo “manifesto”. Në vend të këtyre, ajo e përshkroi veprën e saj disi thjeshtë: “Unë pikturoj atë që nuk ekziston dhe atë që do të dëshiroja që të shikoja”. Duke iu përkushtuar vizatimit, ajo preferonte printimet përkundrejt pikturave, ku nëpërmjet artit të saj ajo eksploronte tematikat mistike dhe erotike. Si një adhuruese e letërsisë, asaj i pëlqente gjithashtu që të ilustronte veprat e teksteve të shumë artistëve. Këto përfshijnë veprat e Paul Eluard-it, Giorgio de Chirico-s, si edhe të bashkëkohësve të tjerë. Talenti i Leonor Fini-it madje u shtri në krjimin e skemave dhe të kostumeve për teatër e në opera. Unike dhe me shpirt të lirë, Fili iu largua rolit të “muzës ekzotike”, roli tipik në Surrealizëm për gratë.

Kay Sage

Kjo piktore dhe poete surrealiste ishte me prejardhje amerikane. E martuar me Yves Tanguy, një ikonë Surrealiste, ndjeshmëritë e saj artistike u lanë nën hije nga ato të bashkëshortit të saj. Kay Sage u rrit nga e ëma e divorcuar, një personalitet shoqëror në Evropë, kryesisht në Itali. Rritja dhe edukimi i saj ishin jotradicionale për kohën dhe me shumë gjasa kontribuan në dëshirën e saj për t’u bërë një artiste e kultivuar dhe e pavarur. Në çdo rast, ajo ia doli me sukses për krijimin e vetë gjuhës së saj pamore. Qartësisht kjo e veçoi stilin e saj nga atë të piktorëve të tjerë surrealistë, të karakterizuar nga forma të kurbëzuara dhe ngjyra të gjalla. Në fakt, pikturat e saj na transportojnë në peizazhe arkitekturore abstrakte dhe futuriste, me një bollëk linjash të drejta dhe ngjyrash të mbytura. Si kolegët e saj surrealistë, ajo ishte e interesuar për ballafaqimin e objekteve irracionale. Fuqia e 200 vizatimeve dhe pikturave të saj më të shquara – të prodhura në rreth 20 vite – qëndrojnë në aspektin shqetësues, për të mos thënë atë tjetërsues të horizonteve të mjegulluar. Mungesa e figurave njerëzore amplifikon ndjenjën e dëshpërimit, që është e përhapur në veprat e Sage-s. Ajo ka të njëjtin vizion pesimist në veprat e saj të shkruara.

Perle Fine

Një artiste e angazhuar, Perle Fine, ia përkushtoi 50 vite të jetës së saj abstraksionit. Ajo filloi t’i ekspozonte veprat e saj në vitet 1940 dhe shumë shpejt e gjeti veten në epiqendrën e lëvizjes së Ekspresionizmit Abstrakt. Vajzë emigrantësh rusë, ajo u rrit në Boston ku filloi klasa arti gjatë gjimnazit. Ajo u largua nga Bostoni për një New York në moshën 24 vjeçare. Atje ajo u takua me shumë artistë, duke përfshirë Lee Krasner-in, e cila mbeti një mike e dashur përgjatë gjithë jetës së saj. E frymëzuar nga inkurajimi i motrës së saj dhe vizitat e rregullta në MET dhe në Muzeun e Artit Modern, ajo praktikonte kopjimin e kryeveprave për të kuptuar se çfarë e bënte një pikturë një vepër arti, më tepër se të qenit vetëm “shumë ngjyra”. Më pas, ndërkohë që sponsorizohej nga Willem de Kooning, në vitin 1949, ajo hyri në Galerinë Stable, e cila konsiderohej si Selia e Ekspresionizmit Abstrakt në New York. Si një nga gratë e pakta në rrethin e brendshëm, ajo do të jepte mësim dhe do të realizonte solo të shumta e në grup, deri në vdekjen e saj në vitin 1988.

Marrë nga: REVISTA ARTSPER

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Feminizëm

Go to Top