GJENIALITETI I LUCIAN FREUD-it

in Pikturë by

LUCIAN FREUD

Mjeshtri i pakapshëm, ka qenë një legjendë e gjallë.

Lucian Freud-i ka qenë një nga piktorët më të njohur dhe më influencues të shekullit të 20-të. Stili i tij ekspresionist i portretizimeve dallohet menjëherë, me kalimin e kohës ai u kthye në një legjendë të gjallë teksa vazhdoi që të pikturonte dhe të organizonte ekspozita novatore deri në fund të jetës së tij të gjatë. Pavarësisht kësaj fame, ai mbeti një figurë shumë private, mbështjellë nga një mister i konsiderueshëm.

I lindur në një dinasti intelektualësh, të cilët formësuan një epokë të tërë, të tillë si: Sigmund, Anna, Clement, Emma, dhe Matthew Freud-i, mund të supozojmë se Lucian Freud-i ishte gjithmonë i destinuar për të arritur një lloj madhështie. Megjithatë, i gjithë talenti i trashëguar në botë nuk do t’ju çojë askund nëse nuk dini sesi ta përdorni, dhe Freud-i ia përkushtoi me gjithë zemër të gjithë jetën artit të tij.

Freud-i lindi në Berlin, në vitin 1922, dhe jetoi atje deri kur familja e tij u largua nga Gjermania për t’i shpëtuar nazistëve në vitin 1933. Pas kësaj, familja u vendos në një zonë të këndshme, të pasur, në veri të Londrës, të njohur si Vilat Zvicerane.

Pasi u përjashtua nga shkolla, Freud-i ndoqi Shkollën Qëndrore të Artit në Londër dhe Shkollën Lindore Anglikane të Pikturës dhe Vizatimit të Cedric Morris-it në Anglinë juglindore. Më pas, Freud-i punoi si shitës tregtar për një kohë të shkurtër dhe pas rikthimit nga ushtria, në vitin 1942, ai u regjistrua tek Kolegji Goldsmith, ku filloi me zell ndjekjen e karrierës së tij.

Në vijim të botimit të porosisë së tij të parë, ilustrimet e një libri me poema: “Kulla prej Xhami” e Nicholas Moore-t, ekspozita e parë e Freud-it: “Dhoma e piktorit” u zhvillua në vitin 1944, në Galerinë “Alex Reid & Lefevre”.

Stili i hershëm i Freud-it shpesh referohej si ekspresionist dhe surreal, duke qenë se figurat e tij të zymta dhe soditëse shfaqen vizualisht të pjerrëta dhe të ekzagjeruara. Me evolimin e teknikës së tij të pikturimit, stili i tij u transformua në nudo mishtore dhe në autoportrete me të cilët ai asociohet më shumë në ditët e sotshme.

Për Freud-in ky ndryshim ishte instiktiv. Megjithatë, stili i tij progresiv ishte ende i aksesueshëm, ndonëse subjektet e tij ishin sfiduese, kombinimi që ai bënte kapte imagjinatën e publikut artdashës.

“Unë nuk mendoj kurrë rreth teknikës, në asgjë, sepse mendoj se kjo të pengon,” ka thënë ai në një intervistë për Dokumentarin Omnibus, në vitin 1984. “Unë mendoj se nëse gjërat duken si të gabuara apo të shëmtuara, në një mënyrë, e cila, në fakt, e bllokon informacionin apo ndjesinë që ju po përpiqeni që të arrini, atëherë me shumë gjasa jeni në rrugë të gabuar, por për këtë duhet t’i besoni bojës.”

Freud-i ka qenë shumë privat dhe nuk fliste thuajse kurrë me shtypin. Intervista ekstremisht e rrallë e Omnibus-it u realizua nga Jake Auerbach, djali i Frank-ut, si pjesë e një dokumentari për retrospektivën e tij në Galerinë “Hayward” atë vit.

Freud-i, së bashku me bashkëkohësit e tij në “Shkollën e Londrës”, si Francis Bacon dhe Frank Auerbach, e vinin punën përpara çdo gjëje tjetër në jetë. Në ditët e tyre të hershme, ky grup miqsh fitonte aq pak pará nga arti i tyre, saqë ata debatonin furishëm se kush paguante më shumë për darkë kur dilnin së bashku. Për më tepër, ata ishin besimplotë mbi të ardhmen e tyre dhe për artin e tyre dhe nuk dyshonin kurrë që një ditë ata do të ishin të suksesshëm.

Me evolimin e teknikës së Freud-it, po kështu ndodhi edhe me zgjedhjen e subjekteve të tij. Modelja e tij më e famshme, me shumë mundësi ishte Sue Tilley, që ai e pikturoi për veprën gjysmë të përfunduar të vitit 1955, e cila ka pozuar nudo për të në një sërë rastesh. Ai ka pikturuar gjithashtu një numër të përzgjedhur njerëzish të famshëm, duke përfshirë një portret nudo të Kate Moss-it shtatëzënë, në vitin 2002, i cili më vonë u shit për 3 milionë paund (afërsisht 5 milionë dollarë).

Në mënyrë të diskutueshme për disa, ai gjithashtu ka pikturuar nudo edhe vetë fëmijët e tij. Freud-i ka pasur shumë marrëdhënie në jetën e tij, dhe ka thashetheme, sipas të cilëve, ai ka qenë babai i 40 fëmijëve, megjithëse numri zyrtar është 14.

Pavarësisht kultivimit të familje të madhe, Freud-u vazhdoi që të fokusohej më shumë tek studio sesa tek jeta e tij familjare. Vitin përpara vdekjes së tij, në 2011, ai kaloi një ekspozitë të madhe, të fokusuar tek studio e tij në Qëndrën Pompidou, në Paris “Lucian Freud: L’Atelier,” e cila mori vlerësime të furishme.

Ne mund të hamendësojmë se Freud-i ka qenë një burrë i çmendur, egërsisht privat, që vazhdoi që të pikturonte deri sa vdiq. Ai dhe bashkëkohësit e tij, Auerbach dhe Bacon ndryshuan fytyrën e pikturës britanike përgjithmonë.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top