Frika jonë për të rënë në dashuri/Slavoj Zizek

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Slavoj Zizek

Dashuria… ndryshimi i dashurisë nga ajo mënyra e mirë dhe e vjetër, që sipas mendimit tim është gjithnjë edhe më e rrallë, në atë që është sot, dashuria si një takim. Kjo është arsyeja përse në gjuhën angleze, por gjithashtu edhe në disa gjuhë të tjera ku jo të gjitha janë si frengjishtja, ne përdorim termin “bie”. Ne biem në dashuri. Kjo është ngjarja ose dimensioni. Por në çfarë kuptimi?

Le të themi që ti ke një jetë të lumtur; je me fat, ke një punë, takohesh rregullisht me miq, nuk je i/e dashuruar, thjesht kalon një natë me dikë, këtu ose atje… takohesh çdo natë me miq, pi, llomotit, pastaj krejtësisht papritur në një mënyrë thuajse rastësore… le të themi has dikë në rrugë, dikë që të ndihmon të ngrihesh, një vajzë apo djalë të ri, bla, bla… dhe sigurisht që ai ose ajo është dashuria e jetës suaj. Një takim krejtësisht i rastësishëm, por rezultati mund të jetë i tillë saqë e gjithë jeta juaj ndryshon. Siç thonë asgjë nuk është më njësoj. Madje në mënyrë spontane, ju e perceptoni të tërë të shkuarën tuaj si një seri ngjarjesh të cilat ju kanë sjellë pikërisht tek ky moment unik në jetën tuaj.

Dhe ju e dini se iluzioni i dashurisë është… “oh, Zot, kam gjithë jetën që të pres.”

Diçka si kjo është ajo që ne e quajmë ngjarja e dashurisë dhe mendoj se sot kjo është duke u rralluar gjithnjë edhe më shumë. Shumë kritikë kulturorë inteligjentë kanë vënë re se si ne jemi duke u rikthyer thuajse tek nocionet e dashurisë para-romantike, të kohëve para-moderne, kur martesa ose lidhjet e dashurisë ishin çështjet e të afërmeve, të këshilltarëve, dhe kështu me radhë, ku daja ose halla juaj zgjidhte se me kë do të martoheshit ju. Edhe sot është e njëjta gjë, vetëm se në vend të atyre dajallarëve të moçëm e të mënçur e kështu me radhë, kemi agjencitë që merren me lënien e takimeve dhe arranxhimin e martesave, dhe ajo që ata na ofrojnë ne sot është saktësisht dashuri, por pa “rënien”, pa rënien në dashuri, pa këtë takimin e paparashikueshëm dhe dramatik, dhe kjo është ajo që më duket shumë e trishtueshme.

Mendoj se sot ne jemi gjithnjë edhe më shumë të frikësuar nga kjo ngjarja e dashurisë. Ti takon diçka që është krejtësisht e rastit dhe rezultati i saj, nëse ju e pranoni atë si një ndodhi, është se e gjithë jeta juaj ndryshon. Është një histori krejt tjetër. Dhe kjo është përse unë mendoj se kjo shmangia e rënies në dashuri, është i njëjti fenomen si ajo shakaja standarde që unë e përdor tek të gjithë librat e mi.

Ne duam që të dalim me këtë njeriun, por pa atë faturën e gjërave të këqija me vete, pa çmimin që na duhet të paguajmë për të.

Ne duam sheqer pa kalori.

Ne duam birrë pa alkool dhe kështu me radhë.

Dhe unë them se e njëjta gjë ndodh edhe me seksualitetin.

Ne duam seks dhe takime seksuale të shkrurtra dhe të sigurta, pa rënien, pa rënë në dashuri, pa këtë atashimin fatal.

Dhe unë mendoj se gjëja më e trishtueshme këtu është se edhe pse kjo është duke u shfaqur sot si ideologjia predominuese (apo asaj që unë i referohem në mënyrë ironike si budizmi perëndimor ku ata na thonë se jeta është thjesht një lojë shfaqjesh, dukjesh, mos e merrni atë shumë seriozisht, mbani një distancë të përshtatshme, mos u atashoni shumë, shumë herët me objektet) dhe kjo i shkon shumë mirë për shtat këtij qëndrimi sipërfaqësor komercial.

Pra ndodhitë janë të rralla. Dhe ndodhia është një takim dramatik, që si për ta vendosur në më shumë terma moralë dhe filozofikë, krijon në mënyrë retroaktive vetë shkaqet e saj.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top