FRIDA KAHLO: ARTISTJA IKONOKLASTIKE! NJË SIMBOL! NJË EMBLEMË!

in Pikturë by

Meksikania, revolucionarja, anti-konformistja, surrealistja…

       FRIDA KAHLO

“Dashnorja” e madhe…
Frida Kahlo dhe Diego Rivera, çifti më mitik në Historinë e Artit!

Frida Kahlo është një nga pak piktoret femra me famë botërore, duke qenë në të njëjtën kohë një nga të vetmet artiste në Meksikë, e njohur ndërkombëtarisht. Meksikania, revolucionarja, anti-konformistja, surrealistja… kaq shumë mbiemrra për të përshkruar një grua, e cila mbi të gjitha ishte e lirë, e veçantë në punën dhe në jetën e saj. Jeta e Frida Kahlo-s është risjellë disa herë nëpërmjet biografive dhe filmave. Por a e dini me të vërtetë historinë e saj? Artsper ju ofron disa kurioziete nga jeta e kësaj artisteje ikonoklastike!

1. Frida Kahlo nuk ishte me prejardhje meksikane


Magdalena Frida Carmen Kahlo Calderón, me emrin e saj të vërtetë, lindi më 6 Korrik, 1907. Ajo e ka falsfikuar datëlindjen e saj, duke e vendosur më 7 Korrik, 1910, vitin kur filloi Revolucioni Meksikan. Ajo lindi në qytetin e Meksikës. Megjithatë, ajo nuk ishte me origjinë meksikane! Nëna e saj, Matilde Calderón y González, vinte nga një familje gjeneralësh spanjollë. Në venat e saj rridhte gjithashtu edhe gjaku indian. Babai i saj, Carl Wilhelm Kahlo Kauffmann, kishte lindur në Gjermani. Përkundrazi nga ajo që deklaronte Frida, ai nuk ishte hebre. Familja e saj ishte luteriane dhe i përkiste shtresës së mesme të Dukës së Madh të Baden-it (në Gjermani). Kur ajo mbërriti në Meksikë, në vitin 1891, ajo mori emrin Guillermo Kahlo dhe zgjidhi të merrej me fotografi.

2. Ajo nuk kishte një fëmijëri të lumtur


Frida Kahlo lindi pasi e ëma e saj kishte humbur një djalë. E dëshpëruar, e ëma ia dha atë një dadoje. Ajo ishte një grua shumë e ftohtë.

Atmosfera në shtëpi ishte veçanërisht melankolike. Përveç tensioneve brenda shtëpisë së prindërve të saj dhe dygjysmë motrave të munguara, sepse ato ishin dërguar në manastir, biznesi i të atit nuk lulëzoi gjatë revolucionit meksikan.

Për më tepër, Frida ishte një fëmijë me shëndet të brishtë. Ajo kishte lindur me një deformim të shpinës dhe në moshën 6 vjeçare e zuri poliomeliti. Për shkak të kësaj sëmundje infektive serioze, ajo vuante nga dhimbje kornike. Për më tepër, këmba e saj e djathtë ndaloi së rrituri, duke i shkaktuar një keqformimim. Sëmundja e izoloi edhe nga fëmijët e tjerë, duke i vënë nofkën “Frida sakatja”. Ajo nuk mund të shkonte në shkollë. Më vonë, vitet e para të shkollimit të saj ishin të trazuara. Ajo hyri në një shkollë gjermane sipas dëshirës së të atit dhe shumë shpejt u përjashtua për mosbindje. Ky episod është dëshmi e një karakteri të fortë dhe rebel që në moshë të hershme. Më pas, ajo hyri në një shkollë profesionale për mësueset femra, ku gjithashtu qëndori për një periudhë të shkurtër kohore. U largua nga institucioni kur prindërit e saj zbuluan se ajo ishte abuzuar seksualisht nga një nga mësuesit.

3. Ajo thuajse u bë mjeke


Frida Kahlo nuk kishte aspiruar gjithmonë që të bëhej piktore. Sigurosht, që në moshë të hershme i ati i kishte përcjellë asaj shijen e tij për artet e bukura. Një mik i babait të saj, skalitës, i kishte dhënë madje disa leksione. Ajo gjithashtu ndihmonte të atin në aktivitetin e tij profesional, duke retushuar, zhvilluar dhe ngjyrosur fototgrafitë. Ajo e konsideronte artin më shumë si një hobi.

Në moshën 16 vjeçare, ajo ishte një nga 35 vajzat e para që u pranuan në “Escuela Nacional Preparatoria“, nga një total prej 2,000 studentësh. Ajo ishte shkolla më e mirë në Meksikë në atë kohë. Atje ajo tregoi një interes të fortë për shkencat natyrore dhe dëshironte të bëhej doktore.

4. Një aksident me autobuz është rrënja e karrierës së saj


Më 17 Shtator, 1925, duke u kthyer nga shkolla, autobuzi i saj u përplas me një tramvaj. Ky aksident e vulosi fatin e saj. Megjithëse mbijetoi, ajo u dëmtua rëndë. Zgavra e legenit të saj u shpua nga një shufër metali, e cila i shkaktonte asaj aborte sistematike. Ajo vuante gjithashtu edhe nga 11 fraktura të këmbës së saj të djathtë. Këmba e saj e djathtë doli tërësisht nga vendi, po ashtu edhe shpatulla. Shpina dhe qafa e femurit të saj u thyen. Si pasojë ajo qëndroi në shtrat për disa muaj. Në total, deri në fund të jetës së saj, ajo kreu 32 operacione dhe veshi 28 korse.

E kthyer në shtëpi, ajo ishte e detyruar të qëndronte në shtrat. Në atë kohë, ajo shkroi: “Unë nuk kam vdekur dhe kam një arsye për të jetuar. Kjo arsye është piktura”. Në të vërtetë, duke qenë se ajo nuk mund të vazhdonte më me studimet për mjekësi, familja e saj e inkurajoi që të pikturonte. Ata kishin bërë një këmbalec pikturimi dhe një shtrat special me një pasqyrë si tavan. Arti u kthye në shkarkimin më të madh të të gjitha sëmundjeve të saj, duke shërbyer si një katalizator shërimi. Aty filloi një seri të rëndësishme me autoportrete. Autoportretet nuk rreshtën kurrë së qëni një nga subjektet e saj më të preferuara.

5. Anëtare e Partisë Komuniste, ajo është një figurë pionere për Feminizmin


Me nxitjen e fotografes Tina Modotti, ajo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane në vitin 1928. Në atë kohë ajo ishte vetëm 21 vjeç dhe sapo kishte filluar të merrte veten nga aksidenti.

Për më tepër, angazhimi i saj për mbrrojtjen e drejtësisë sociale dhe promovimin e kulturës meksikane ishin shfaqur që gjatë adoleshencës së saj. Në të vërtetë, “Escuela Nacional Preparatoria” e vlerësonin indigjizmin e saj. Kjo ideologji kombëtare theksoi trashëgiminë indigjene të Meksikës për të vlerësuar superioritetin e vendit dhe refuzimin e mendësisë koloniale të perëndimit. Kështu, Frida Kahlo dhe nëntë femra të tjera formuan një grup që refuzonte vlerat konservatore patriarkale dhe shoqërinë maço, ku ato diskutonin për politikën dhe letërsinë ruse.

Kështu, brenda Partisë Komuniste, përveç luftës së klasave, ajo ishte veçanërisht e angazhuar për emancipimin dhe barazinë e grave. Ajo u kthye në një figurë udhëhqëse midis artisteve femra. E panënshtrueshme, protestante dhe moderne, ajo e pranoi biseksualitetin e saj në një kohë kur shumë pak gra do të guxonin ta bënin një jë të tillë.

6. Së bashku me Diego Rivera-n, ajo mishëron një nga Çiftet me Mitike në Historinë e Artit...


Viti 1928, u shenjua gjithashtu nga takimi i saj vendimtar me muralistin Diego Rivera. Ai ishte 20 vite më i madh se ajo dhe ai ishte gjithashtu anëtar i Paritsë Komuniste. Duke vendosur artin e tij në shërbim të njerëzve, duke krijuar fresko të mëdha të komisionuara nga qeveria, ai ishte tashmë i njohur. Pasionet e tyre të përbashkëta për pikturën, politikën dhe admirimin e tyre përkatës, bënë që ata të shkriheshin në një çift artistësh.

Duke u martua me të në vitin 1929, marrëdhënia e tyre ishte njehërësh pasionante dhe shkatërruese. Ajo thoshte: “Unë kam pësuar dy aksidente të mëdha në jetën time. Njëra u shkaktua nga një autobus, tjetra nga Diego. Diego ishte shumë më keq. Në të vërtetë, Diego e tradhëtoi atë disa herë… edhe ajo bëri të njëjtën gjë. Në vitin 1935, ajo e pa marrëdhënien e tij jashtëmartesore me motren ë saj si tradhti të vërtetë. Duke u larguar nga banesa martesore për disa muaj, dashuria e tyre nuk ndryshoi. Frida gjithashtu e minoi martesën e tyre duke pasur një marrëdhënie me revolucionarin komunist Leo Trotsky. Në të vëretë, në viitn 1937, pasi i ishte dhënë azil politik në Meksikë, politikani rus ishte akomoduar në shtëpinë e tyre. Të divorcuar në vitin 1938, ata u rimartuan në vitin 1940, të lidhur deri në vdekje.

Shtëpia ku ata jetuan gjatë martesë së tyre të parë ishte simptomë e marrëdhënies së tyre. E përbërë nga dy godina të ndara, blu për Fridan, dhe e bardhë dhe rozë për Diegon, ata lidheshin nga një urë. Ajo ishte një metaforë e çiftit që ata ishin: të pavarur, por pashmangshmërisht të bashkuar.

7. Frida Kahlo nuk është një piktore surrealiste


Duke udhëtuar në qytetin e Meksikës në vitin 1938, surrealisti Andre Breton zbuoloi veprat e Frida Kahlos. I magjpsur, ai e ftoi atë në Paris në vitin 1938 për të marrë pjesë në një ekspozitë kryesore. Megjithatë, ajo nuk mbeti e kënaqur as nga qyteti dhe as nga ekspozita. Sipas saj, eventi ishte për të ishte një flluckë. Ajo ishte shumë karikatureske dhe piktoreske për nocionet e saj. Për më tepër, jo të gjitha pikturat e saj u ekspozuan dhe pikturat e saj u keqinterpretuan. Ajo e ndjeu: “Nuk është e drejtë. Unë nuk pikturoj kurrë ëndrra, ajo që portretizoj është realiteti im. Në të vërtetë, për të, pikturat e saj, mbi të gjitha janë autobiografike. E keqkuptuar, ajo e refuzoi këtë grup intelektualësh përçmues dhe pretendues. Përsa i takon çështjes së surrealistëve, ajo i shkruan në një letër Nickolas Murray-t: “Më mirë do të preferoja të ulesha në tregun e Toluca-s për të shitur ‘tortilla-s’ (ëmbëlsira meksikane) sesa të merrem me këta artistë parizienë të fëlliqur.”

Megjithatë, kjo vizitë në Francë ishte kumti i fillimit të njohjes së saj ndërkombëtare. E admiruar nga bota e artit të Parisit, Picasso i dha asaj një vëth të fildishtë në formën e duarve, dizanjeri i modës, Schiaparelli, i bëri asaj fustanin “Zonja Rivera” dhe Luvri e bleu autoportretin e saj.

8. Arti i saj është Biografia Metaforike e Jetës së saj


Puna e saj është e pandashme nga jeta e saj. Që nga fillimi i praktikës së saj artistike, e bllokuar nga aksidenti, Frida Kahlo mori për subjektin e saj të preferuar vetë imazhin e saj. Ajo paraqet vuajtjen morale dhe fizike pa modesti apo vetëdije. Midis të shumtave, piktura “Kollona e thyer” e vitit 1944, tregon trupin e saj të nxirë nga ndërhyrjet kirurgjike të njëpasnjëshme.

Në total, afërsisht rreth 70 autoportrete të saj reflektojnë vetë historinë e saj. Ajo e portretizon veten në retrospektivë, e lindur si një fëmijë, si tek piktura: “Infermierja ime dhe unë” (1937, dhe ndonjëherë prindërit e saj. Ajo portretizon gjithashtu çiftin dhe diskuton abortet e saj, si në pikturën “Spitali Henry Ford” (1932).

Por përfaqësimet e saj janë më shumë, një përfaqësim i anës së saj meksikane. Ato paraqesin dashurinë e saj të thellë për trashëgiminë kulturore të vendit të saj. Në fakt, ajo shpesh vesh poblano-n kineze, një fustan tradiconal, me shumë ngjyra dhe i zbukuruar me lule. Gjithashtu, ajo shpesh mbante gërsheta të zbukuruara me lule. Më përgjithsisht, në shumë prej pikturave të saj, kultura meksikane simbolizohet veçanërisht nga fauna dhe flora. Papagaj dhe kaktusë janë të integruar në kompozimet e saj, si edhe elementë të tjerë të folklorit vendas (flamuj, kufoma të holla…).

Angazhimi i saj politik reflektohet gjithashtu në mënyrë të qartë në disa piktura. “Autoportreti i saj me Stalinin” (1954), apo “Marksizmi do t’u rikthejë shëndetin të sëmurve“ (1954), janë dëshmi të kësaj. Në fund të jetës së saj, duke portretizuar veten si një dre i shpuar me shigjeta apo krah kufomave, evokon perceptimin e vdekjes.

9. Ajo jetoi me dhimbjen gjatë gjithë jetës së saj dhe vitet e saj të fundit ishin një përvojë e hidhur


Pas optimizmit dhe gëzimit të saj, Frida Kahlo ishte në dhimbje të vazhdueshme nga shpina deri tek këmbët. Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua veçanërisht nga vitet ’50 dhe më tej. Ajo kreu shtatë operacione në shpinë. Ndërkohë që po mbahej ekspozita e saj e parë monografike në vititn 1953, doktori ia ndaloi ngritjen nga shtrati. Më pas, ajo kërkoi që ta çonin në galeri bashkë me shtratin e saj, ku ajo bëri një hyrje triumfuese, si një mbretëreshë në fronin e saj.

Shumë shpejt pasj kësaj, si pasojë e zhvillimit të gangrenës prej operacioneve të saj, asaj i prenë këmbën e djathtë. Kjo ngjarje bëri që ajo të zhytej më thellë në depresion. Më në fund, në vitin 1954, duke vuajtur nga pneumonia, ajo vdiq disa ditë pas 47 vjetorit të saj. Pak kohë para vdekjes së saj ajo shkroi: “Shpresoj që të dal nga kjo botë sa më gëzueshëm dhe shpresoj që të mos kthehem më kurrë këtu.” Duke pritur vdekjen krahëhapur, hipoteza e vetëvrasjes së saj nuk përjashtohej…

Sipas dëshirës së saj, trupi u dogj. Ajo nuk dëshironte që të varrosej e shtrirë, pasi kishte vuajtur aq shumë në atë pozicion.

10. Frida Kahlo mori mirënjohje kombëtare gjatë jetës së saj


Në vitin 1942, pasi kishte jetuar për një kohë të gjatë nën hijen e të shoqit, zgjedhja e saj në “Seminario de Cultura Mexicana”, është dëshmi e njohjes së saj nga institucionet publike. “Seminario de Cultura Mexicana” ishte një grup personalitetesh të mirënjohura nga bota kulturore, i krijuar nga qeveria për të promovuar kulturën meksikane nëpërmjet ekspozitave, konferencave dhe botimeve. Në vitin 1943, Shkolla e Arteve të Bukura i besoi asaj dhënien mësim të pikturës në një nga klasat. Në vitin 2010, për krijimin e kartmonedhave të reja prej 500 pesos, Banka Federale e Meksikës zgjodhi zbukurimin e njërit krah me portretin e saj dhe tjetrën me atë të Diego Rivera-s. Frida Kahlo nuk ishte vëtëm një ikonë në Historinë e Artit, por gjithashtu u kthye në një politikë në vitet 1990 për Lëvizjen “Chicano“, një lëvizje që luftonte për të drejtat civile të meksikano-amerikanëve.

Për ta përmbyllur, duke qenë më shumë sesa një artiste, Frida Kahlo është një simbol. Një simbol i Meksikës, ajo është veçanërisht një simbol për gratë. Forca e karakterit dhe pavarësia e saj, e kanë kthyer në një emblemë për lëvizjen feministe dhe atë të LGBT-së. Pasi ka frymëzuar kaq shumë artistë, figura e saj është shfrytëzuar gjithashtu shumë edhe nga pikëpamja tregtare. E printuar në postera, filxhanë, bluza, dhe mallra të tjera, ajo është kthyer, pavarësisht vetvetes, në një ikonë të kulturës pop dhe artit të rrugës.

Marrë nga: Revista Artsper

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

GJENIU SALVADOR DALI

SALVADOR DALI Dali nuk rresht kurrë së na magjepsuri! Dali ishte mjeshtër
Go to Top