Filmi “PERSONA”-Ingmar Bergman: Ëndrra e pashpresë e të qenit!

in Kinema by

INGMAR BERGMAN

Unë jam e vetëdijshme për vetveten e gjithçka dhe pastaj, papritur apo ngadalë vetëdija ime venitet, fiket dhe nuk është më… nuk ekziston. Dhe kjo është një ndjenjë e mrekullueshme që nga ekzistoj – në nuk ekzistoj. Dhe në atë çast mua nuk mund të më ndodhë asgjë. Si do ta përshkruaja filmin “Persona”? Shqetësues, i parehatshëm, si një ëndërr, performues. Filmi “Persona” e ngriti Bergman-in në një regjisor mjeshtëror dhe ndihmoi në çimentimin e emrit të tij si një sinonim të konceptit të autorit (auteur). Kontrolli i mediumit nga ana e tij, me një vulë të qartë dhe të menjëhershme, mund të njihet menjëherë gjatë botës kinematografike që ai ka realizuar. Por pavarësisht përdorimit nga ana e tij të përsëritjes së mjediseve, temave, personazheve, aktorëve,”Persona” ka arritur ekselencë dhe famë nëpërmjet eksplorimit të disa prej pyetjeve me të vështira në korpusin e veprës së tij; Çfarë na përkufizon? Çfarë na bën ata që jemi? Filozofia e Ingmar Bergman-it ka qenë që filmi mund të jetë diçka shumë më shumë sesa thjesht argëtim: imazhet e duhura mund të jenë një derë për tek forcat psikologjike që formojnë vetë imagjinatën tonë. Për të cituar vetë Bergman-in: “Asnjë art nuk kalon në vetëdijen tonë siç bën filmi dhe që shkon direkt tek ndjenjat tona, thellë në dhomat e errëta të shpirtit.” Dhe është përqendrimi i tij mbi shprehjen pamore, kombinuar me një premisë të thjeshtë të “Persona-s”, që përjetësojnë kaq shumë skena të filmit në mendjen kolektive. Përdorimi i imazheve që u flasin direkt emocioneve, jo intelektit, kanë krijuar një përvojë speciale dhe transformuese për shikuesin. Sepse Bergman-i ka qenë i interesuar për përshkimin e gjuhës së pastër kinematografike. Atij i dukej interesante eksplorimi i teknikës që ishte unike për formën kinematografike, por ku ai po mësonte vazhdimisht edhe nga evolimi i përhershëm i Arteve Pamore. Duke e përdorur kamerën e filmit në të njëjtën mënyrë siç e përdor shkrimtari penën apo piktori penelin. Tek “Persona”, ai zgjedh të ballafaqojë zgjedhjet stilistike që janë parësore në marrëdhënien ndërmjet Kinemasë dhe Iluzionit. Duke zgjedhur të njëjtën teknikë narrative si kinemaja “klasike”, por duke e përçarë skenarin nëpërmjet përdorimit të një rrëfimi të guximshëm pamor të historisë. Gramatika e filmit “Persona” i shërben gjendjes së humorit, po aq shumë saç i shërben shtimit të shtresave të narracionit. Duke krijuar një dikotomi të çuditshme, por ftuese në mënyrën sesi shpaloset historia. Por filmi luan me forcat simbolike të psiqikës sonë në një qasje sikur të ishte një ëndërr ndaj një kinemaje, e cila nuk përfundon thjesht në një zgjedhje estetike. “Persona” i lejon vetvetet që të provokohen thellë sipas vetë të kuptuarit tonë të mendjes së pavetëdijshme, duke ndërmjetësuar marrëdhënien tonë me botën rreth nesh që krijon maska, shumë e ngjashme me marrëdhënien Alma dhe Elizabeth. Dhe teksa këto dy perceptime përplasen, ne mësojmë që personazhet përfaqësojnë njëherësh realitetin e brendshëm dhe të jashtëm të Qenies, atë që e ruajmë për veten dhe të tjerët dhe atë që ne ndajmë me ata që janë rreth nesh. Sepse filmi është më i mençur kur bën pyetje sesa kur jep përgjigje. Ne shpesh shikojmë kamerën të vëzhgojë hapësirën diegjetike (një tingull në një film) si një pasqyrë. Elizabeth është me fytyrë nga kamera, ndërsa Alma shikon tutje. Personazhet pasqyrojnë vetveten: në veshje, në xheste, në dukje. Përdorimi nga ana e Bergman-it të filmimit ekstremisht nga afër të Alma-s dhe Elizabeth-ës na përball me asgjënë e Qenieve tona. Filmimet këmbëngulëse, që të vënë në siklet nga afër duke i reduktuar personazhet në shkrirjen e pjesëve të trupit: sytë, goja, hunda, flokët, poret, shkrirja e trupave të tyre së bashku. Përdorimi i filmimit nga afër tregon një nga aspektet më provokuese të “Persona”-s; eksplorimin e dualitetit ndërmjet fizikalitetit të fytyrës njerëzore dhe nocionit abstrakt të individualitetit. Duke i burgosur personazhet në filmimet e pandërprera nga afër, Bergman-i kërkon dimensionet e jetës kinematografike njëherësh si përvoja intime dhe asgjesuese. Dhe teksa kamera përpiqet që thuajse të penetrojë lëkurën e personazheve, ajo tregon njëherësh anën e jashtme të njeriut dhe atë të brendshme, në një vështrim të dyfishtë që na imponon pyetjen: Kush është personi? Kush është persona? Atëherë, gjuha kinematografike e “Persona-s” funksionon si në mikrokozmos imagjinar për të zgjeruar interpretimet tona për historinë. Më tepër se një film për t’u kuptuar, “Persona” është një film që duhet ndier dhe vlerësuar në thellësitë e vetëdijes sonë. Simbolet nuk janë aty si enigma pët t’u zgjidhur dhe lidhur, por për të funksionuar si projeksione të realitetit tonë, duke e amplifikuar filmin thuajse në një udhëtim filozofik. Intelekti nuk mund të merret gjithmonë me përvojën tonë kinematografike, ndonjëherë ne thjesht kemi nevojë që ta ndiejmë. Sepse simbolet i transhendojnë nocionet intelektuale, ato prekin aspekte të ndryshme, parësore të dijes njerëzore. Ato e transhendojnë vetë kuptimin dhe kjo është ajo që Bergman-i bën tek “Persona”. Mjeshtëria krijuese e filmit kthehet, jo në një refleks të vetë dëshirës së Bergman-it për të eksploruar horoskopin e ekzistencës, por thuajse një nevojë instiktive për të gërmuar në mundësitë e vetë artit. Por, nëse do të këmbëngulni për të deshifruar kuptimin enigmatik të “Persona-s’ ndoshta ideja më e rëndësishme duhet gjetur në dy çaste të rëndësishme të filmit: në fillim tek hyrja e tij, ku ne prezantohemi me projektorin që tregon një bashkim filmash dhe simbolesh. Në atë çast, kinemaja prezantohet si një portal. Një pasqyrë që na kthen atë për të cilën kemi nevojë nga ai dhe “Persona” na përball me të vërtetën tonë, duke vënë në pikëpyetje çfarë është ajo që na bën individë, pa maskat e kulturës sonë. Kështu, kinemaja kthehet në një dritare të prekshme të marrëdhënies paradoksale të Virtuales dhe Reales, të indentitit individual dhe kolektiv. Sipas një lëvizjeje lozonjare dhe, ndoshta të guximshme, Bergman-i zgjedh që të luajë dialogun përfundimtar ndërmjet Alma-s dhe Elizabeth-ës dy herë. Në një çast tjetër të rëndësishëm, ai zgjedh të nxjerrë jashtë tensionet thelbësore ndërmjet emocionit, intelektit dhe perceptimit. Vizualisht ne kemi disa elemente kyç të gramatikës së filmit, fytyra e konturuar lehtësisht e kontrastuar me silueta të errëta, afërsia e kamerës ndaj subjektit, personazhet që pasqyrojnë njëri-tjetrin, por duke parë në drejtime të ndryshme. Këndet e ndryshme thuajse si për të na treguar perspektivat e ndryshme që mund të sjellë Kinemaja apo imponimi i idesë që filmi mund të jetë përtej kohës, duke e pezulluar çastin, duke e riluajtur atë. Atëherë çintegrimi psikologjik i personazheve tona përfaqësohet në imazhin e famshëm të përbërë të dy fytyrave të shkrira të grave, duke u bërë një. Kjo skenë e veçantë dhe simbolet e saj janë ndoshta më perversja tek “Persona”. Duke u përpjekur që të bëjë një portret kyç të njerëzimit tonë nëpërmjet thuajse një imazhi metafizik, Bergman-i eksploron njëherësh fuqinë transformuese të subjektivitetit dhe eksplorimin e shtresave të shumëfishta të kuptimit. Ai nuk është i shqetësuar për ndonjë përgjigje thelbësore, por në vend të kësaj, për krijimin e rrugëve të hapura të kuptimit. Në fund të fundit, ky është një film dhe nëse nuk ju kujtohet, ja tek e keni. Bergman-i e thyen sërish murin e katërt. Por kjo nuk është për të thënë se të gjitha këto interpretime nuk janë të vlefshme. Këtu ka kaq shumë gjëra për të folur, “Persona” mund të jetë një zhytje e thellë në kuptimin filozofik, në rrëfimin pamor të historisë dhe në gjuhën kinematografike. Një që dialogon me narrativën femërore. Gratë që veshin maska çdo ditë për t’u mbijetuar traditave të shoqërisë: të jesh bashkëshorte, të jesh nënë. Një gjë tjetër që dialogon me dualitetin e se çfarë duan të tjerët që të shohin tek ne dhe atë që ne jemi në të vërtetë. Ideja që ato personazhe janë vetëm një. Dhe, e preferuara ime, ajo që eksploron kinemaja dhe media, si mbajtësit e çelësave të botës së iluzioneve dhe simboleve, me një kalim të lirë në mendjen tonë të pavetëdijshme. Dhe pavarësisht rrugës që ju do të zgjidhni të merrni ndërkohë që lexoni këtë film, fundi i “Persona-s”: gjuha dhe heshtja, realiteti dhe filmi, maska dhe personi, aktori dhe “shpirti” mbeten të gërshetuar dhe ne mbetemi me të njëjtat pyetje: Çfarë na bën këta që jemi? Çfarë na përkufizon?

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top