ËNDËRRONJËSI MARC CHAGALL: “ARTISTI ME SYTË E RËNË NGA QIELLI!”

in Pikturë by

Kush është artisti pas lopëve fluturuese dhe violonistëve vallëzues?

Një dashuri që sfidon gravitetin!

Marc Chagall, i lindur në Movcha (Moses), në Bjellorusinë e ditëve të sotme, referohet me një pafundësi stilesh dhe çastesh artistike; duke filluar nga një stil thellësisht impresionist folku, deri tek interpretimet kubiste të fabulave nga ana e tij. Duke parë qytetin e tij të dashur Vitebsk të shkrumbohej nën masakrën antisemite, veprat ëndërrimtare të Chagall-it janë një paraqitje dëshirëzjarrtë e jetës fshatare në qytetin e tij mëmë, në shtëpinë e tij. Megjithëse, ai ishte një figurë qëndrore në artin modernist, pikturat e Chagall-it janë një tribut i vazhdueshëm i traditës dhe të shkuarës. Artsper sjell disa fakte rreth njeriut pas lopëve fluturuese dhe violonistëve vallëzues.

1. Ai u rrit në një shtëpi ku nuk kishte art


Pavarësisht të qenit një nga artistët më të njohur në të gjithë botën, Chagall-i u rrit në një shtëpi ku nuk kishte art dhe krijmtari. Familja Chagall praktikonte Judaizmin Hasidik, i cili ndalonte çdo paraqitje pamore të krijimeve të Zotit. Kur Chagall-i filloi të pikturonte paraqitje të tilla, ato u pritën me kriticizëm të ashpër nga familja e tij, deri në atë masë saqë xhaxhai i tij refuzonte që madje t’i shtrëngonte dorën.

2. Ai pikturonte lakuriq dhe hante gjysmë peshk harenge në ditë.


Chagall-i u vendos në Paris në moshën 24 vjeçare dhe jetoi në një koloni artistësh me emër: La Ruche (Kosherja), me figura të tjera të fmashme, të tilla si: Robert Delaunay dhe Fernand Léger. Ndërsa jetonte në Paris, ai ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm me paratë, shpesh varej vetëm nga një gjysmë peshk harenge në ditë dhe pikturonte lakuriq, në mënyrë që të mos t’i duhej t’i nfërronte apo t’i lante rrobat e tij.

3. Pavarësisht se jetoi gjashtë vite në Nju Jork, ai nuk mësoi kurrë anglisht.

Në fakt, ai nuk u përpoq kurrë të mësonte anglisht, duke thënë: “M’u deshën tridhjetë vite që të mësoja një frengjishte të keqe, përse duhet ta provoj me anglishten?” Diçka e tillë mund të ishte gjithashtu si pasojë e mospëlqimit të tij të madh për qytetin, që pasqyrohet në veprat e tij. Pikturat e Chagall-it filluan të bëheshin në mënyrë të dukshme më të shqetësuara dhe të errëta gjatë viteve që ai jetoi tek “Molla e Madhe” (nofkë për qytetin e Nju Jorkut); duke paraqitur fajin e thellë që ai ndjente gjatë mërgimit të tij. I shkëputur, i pashpresë dhe në siklet, Chagall-i digjej për Parisin dhe Evropën.

4. Ai ka qënë ndër të paktët artistë që kanë ekspozuar në Luvër gjatë jetës së tyre.


Shumë pak artistë ia kanë dalë që të ekspozohen në Luvër gjatë jetës së tyre; Georges Braque ishte i pari me veprën e tij “Natyrë e qetë me harpë dhe violinë”. Chagall-i, së bashku me artistë të tjerë miq: Salvador Dalí, Pablo Picasso dhe Edgar Degas, e filloi udhëtimin e tij artistik duke kopjuar veprat e Mjeshtrave të Mëdhenj në Luvër.

5. Ai u martua me muzën e tij.


Chagall-i u takua me muzën, bashkëshorten dhe të dashurën e tij: Bella Rosenfeld, në vitin 1909 dhe u martuan shumë shpejt pas kësaj. Çifti ndante të njëjtin perceptim unik për botën, dhe pasi takoi Chagall-in për herë të parë, Bella i përshkroi në mënyrë romantike sytë e artistit, se ishin aq blu saqë “dukeshin sikur sapo të kishin rënë nga qielli.” Bella shfaqet në shumë piktura të Chagall-it, dhe ai shpesh e portretizon atë duke pluskuar nëpër ajër, duke sfiduar me dashurinë e saj gravitetin.

6. Pavarësisht magjepsjes së tij me Parisin, Vitebsk-u është qyteti që paraqitet më shumë në në veprat e tij.


“Toka që ushqeu rrënjët e artit tim është Vitebsk-u.” Chagall-i kërkonte të kapte thelbin e jetës fshatare dhe shpirtin e shtëpisë së tij, duke thënë se ky qytet kishte një prani ëndërronjëse dhe se ai ekzistonte para së gjithash në shpirtin dhe në ëndrrat e tij. Lopët, hangari, pulat, kuajt, gratë duke punuar dhe violinistët vallëzues, mbushin veprat e tij, duke ngërthyer vetë shpirtin e jetës fshatare.

7. Atij iu hoq identiti nga autoritetet sovjetike.


Me tre goditje ndaj emrit të tij për shkak të statusit të tij si hebre, artist dhe emigrant, Chagall-i u zhvesh nga identiteti i tij. Stili i tij artistik ishte kundër Realizmit Socialist që përfaqësonte artin sovjetik, dhe ai shpesh tallej për preferencat e tij ndaj stilit francez të jetës. Veprat e Chagall-it madje ishin të ndaluara në muze, libra dhe në hapësirat publike, jo vetëm për shkak të stilit të tyre jo-tradicional, por gjithashtu për portretizimet e kulturës hebreje.

8. Ai pikturoi tavanin e Operas Garnier, në Paris.

Duke mbuluar më shumë se 200 metra², piktura e Chagall-it në Operan Garnier është një tribut për katërmbëdhjetë kompozitorët e operave dhe të veprave të tyre, të cilën ai e përfundoi në shtatëdhjetë e shtatë vjetorin e tij! Për më tepër, pavarësisht punës vigane, Chagall-i refuzoi që të paguhej për punën e tij.

9. Ai kishte miq të niveleve të larta.


Mërgimi i tij në Amerikë u organizua nga Drejtori i MoMA, Alfred H. Barr Jr., i cili organizoi personalisht që emri i Chagall-it të shtohej në listën e artistëve që po i shpëtonin persekutimit nazist në Evropë. Për shkak të statusit dhe përpjekjeve të Barr-it, Chagall-i dhe familja e tij u vendosën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1941.

10. Veprat e tij janë shitur me miliona.


Në vitin 2017, vepra e Chagall-it, Les Amoureux (Të dashuruarit), u shit për një shifër tronditëse prej 28.54 milionë dollarësh në një ankand të Sotheby-it në Nju Jork. Sotheby deklaroi se piktura ngërthente dy pasionet më të mëdha të Chagall-it: Bella-n dhe Parisin.

_________

(Imazhi 1: Marc Chagall, pikturë e ateliesë së tij)

(Imazhi 2: Marc Chagall pozon jashtë studios së tij në Gordes, Francë)

(Imazhi 3: Marc Chagall, Gomari i gjelbër, 1911)

(Imazhi 4: Marc Chagall në atelienë e tij)

(Imazhi 5: Marc Chagall, Unë dhe fshati, 1911)

(Imazhi 6: Chagall pikturon të shoqen, Bella, vajza e tij, Ida, po shikon)

(Imazhi 7: Marc Chagall, Mbi Vitebsk, 1913)

(Imazhi 8: Marc Chagall, Autoportret me Shtatë Gishta, 1913)

(Imazhi 9: Freskot e Chagall të pikturuara në tavanin e Operas Garnier, në Paris)

(Imazhi 10: Marc Chagall, Shëtitorja, 1917)

(Imazhi 11: Marc Chagall, Të dashuruarit, 1928)

Marrë nga: REVISTA ARTSPER

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top