NUDO E KUQE
ERNST LUDWIG KIRCHNER
Kjo pikturë e zjarrtë me dy nudo të ekzaltuara nga një paletë e nxehtë, në të kuqe të portokalltë dhe rozë të thellë, është shembull i përqasjes rebele të artistëve të “Die Brücke”.
Në kohën kur Ernst Ludwig Kirchner pikturoi këtë kanavacë, në vitin 1912, ai dhe “banda” e tij e ikonoklastëve (duke përfshirë Erich Heckel-in, Max Pechstein-in, Karl Schmidt-Rottluff-in dhe Emil Nolde-n), kishin ngritur tashmë një gamë motivesh që sfiduan traditat sociale dhe artistike të epokës. Ata favorizonin paletat e gjalla dhe të thjeshtësuara, si edhe format e shformuara, të frymëzuara nga një përzierje e artit post-impresionist dhe atij fauvist, si edhe artin tribal (fisnor) nga Afrika dhe Paqësori Jugor.
Subjektet e preferuara ishin nudot e çliruara dhe anëtarët e tjerë periferikë të shoqërisë si prostitutat, të cilat sfiduan normat seksuale konservatore. Këta elementë u përdorën për të shokuar shikuesin dhe për të trazuar emocionet e tyre.
Kirchner-i dhe kolegët e tij zgjodhën emrin “Die Brücke“, që do të thotë “Ura,” për të nënkuptuar rrugën që ata shpresonin të farkëtonin larg së shkuarës dhe në të ardhmen.
Në manifestin e grupit të vitit 1906, Kirchner-i shprehet për “lirinë e jetës dhe veprimin kundër forcave të ngulitura të së vjetrës.”
Tek “Nudot e Kuqe”, artisti i jep formë kësaj të qare, duke paraqitur një botë më të lirë nga censura, ku njerëzit argëtohen hapur dhe me entuziazëm.
“Në rebelimin e tyre kundër shtrëngimeve të shoqërisë borgjeze, artistët e “Brücke” iu përqasën seksualitetit me një hapje të re,” ka shkruar Deborah Wye në katalogun e MoMA-s për ekspozitën e vitit 2008 “Kirchner-i dhe Rruga e Berlinit.” “Trupi nudo u kthye në një emblemë të besimeve të tyre.”
Marrë nga: ARTSY
Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti.