E varur nga arti- PJESA IV/PEGGY GUGGENHEIM

in Pikturë by

PJESA IV – KOHA E LUFTËS – PARIS

1939 – 1941

 BBC 2015

Intervistuesja: Pastaj kur filloi lufta, ti u largove nga Londra.

Peggy: Unë u dërgova në Paris që të mblidhja pikturat e renditura në listën që më kishte përgatitur Herbert Read-i. Gjatë muajit të parë të luftës, u përpoqa që të blija një pikturë në ditë.

Intervistuesja: Si arrite që ta bësh këtë?

Peggy: Kisha miq në Paris, Madame Van Doesburg-un, e cila ka qenë mikja ime për vite me radhë. Dhe kisha edhe një mik që ishte si një lloj tregtari arti, i quajtur Howard Putzel, kisha Marcel Duchamp-in, i cili më prezantoi me artistët dhe ndërmjet këtyre tre njerëzve dola vërdallë më vete dhe bleva gjëra. Njerëzit më telefononin gjatë gjithë kohës dhe vinin edhe në shtëpinë time, në mëngjes, më sillnin piktura në shtrat. Dhe në fakt e vetmja pikturë që kam blerë në shtrat ishte kjo pikturë e vogël e Dali-së.

Ajo pati fat në zgjedhjet e saj të asaj kohe, sepse në vitin 1939 artistët ishin të dëshpëruar për të shitur gjëra. Një numër i madh tregtarësh arti ishin hebrenj dhe ata po përpiqeshin që të nxirrnin sa më shumë piktura jashtë Parisit përpara se të mbërrinin atje gjermanët.

Intervistuesja: Ti mund të kishe përfunduar në ndonjë kamp përqëndrimi. A e di këtë?

Peggy: Po, e di.

Intervistuesja: A kishe ndonjëherë frikë që do të kapeshe nga gjermanët?

Peggy: Nuk është në natyrën time që të kem frikë. Gjatë luftës doja të blija një Brancusi. Kjo është skulptura “Zogu në hapësirë”, nga Costantin Brancusi. Mendoj se kjo është një nga pjesët e preferuara të skulpturës të vet Brancusi-t. Shkoja që ta takoja thuajse çdo ditë. Ai ishte një burrë i vogël i mrekullueshëm, si një lloj gjysmë perëndie dhe gjysmë fshatari.

Intervistuesja: A ke pasur marrëdhënie me Brancusi-n kur shkoje ta takoje dhe flisnit bashkë se doje të blije “Zogun në hapësirë”?

Peggy: Po, dhe gjëja e tmerrshme ishte se mendoja se nëse do të kisha një marrëdhënie me të, “Zogu” do të ishte më i lirë. Kur shkova që ta merrja me vete “Zogun në hapësirë”, Brancusi-t i rrodhën lotë nëpër faqe kur e nxori nga krahë. Nuk e mësova kurrë nëse kjo ishte për shkak se po ndahej nga unë apo sepse po ndahej nga “Zogu” i tij i preferuar.

Intervistuesja: A të kujtohet Giacometti?

Peggy: Po, shumë mirë. Ai ishte i mrekullueshëm. Dukej si një luan.

Intervistuesja: Vërtet?

Peggy: Po, kishte një kokë shumë të madhe dhe flokë si një tufë me lesh dhe… bisedat e tij ishin të mrekullueshme.

Intervistuesja: Si bënit Pazar? Dhe sa e vështirë ishte që të merrnit piktura në atë kohë… dhe çmimi që ju ishit e gatshme që të paguanit?

Peggy: Në ato ditë nuk diskutohej të bëhej Pazar, sepse çdo gjë ishte aq e lirë.

Ajo u shfaq në një çast të mirë përsa i takon çmimeve dhe nuk kishte dhe aq pará për të shpenzuar, unë mendoj se ajo i shpenzoi me shumë zgjuarsi dhe saktësi. Dhe, një Zot e di, ajo është një Guggenheim dhe e dinte se si duhej të bëheshin gjërat. Dhe kjo ishte një nga gjërat që ajo e kishte të trashëguar. Ajo ia doli që të sillte së bashku një bërthamë të një prej koleksioneve më madhështorë të artit modern për një shumë thuajse qesharake prej 40,000 dollarësh amerikanë.

Intervistuesja: Për 40,000 dollarë ti nuk do të mund të blije as edhe njërën prej pikturave që ke tani?

Peggy: Sot jo.

Intervistuesja: Madje as edhe një nga 125?

Peggy: Ndoshta as edhe një. Çmenduri apo jo?

Ajo thjesht theu të gjitha rregullat. Nuk kishte edhe aq shumë raste të grave të cilat punonin, jo më të grave që punonin në fushën e artit. Arti ishte një fushë e dominuar nga meshkujt.

Peggy: Ishte liria ime. Çlirimi im.

Peggy është si një lloj modeli për gratë liberale. Një grua liberale shumë e shqetësuar! Ajo bënte çfarëdolloj gjëje që donte të bënte e kishte mjetet për ta bërë, dhe mendoj se ajo ishte me të vërtetë e përparuar për kohën. Kishte edhe gra të tjera, dhe mbi të gjitha ishte edhe një grua tjetër amerikane-hebreje në formën e Gertrude Stein-it, shembullin e së cilës mund të kete ndjekur edhe Peggy. Mendoj se Peggy do të kishte dashur shumë të kishte talentin e Gertrude Stein-it për fjalët dhe aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të promovuar veten.

Ajo pëlqente të ndihmonte artistët dhe i pëlqente që të ishte si Gertrude Stein-i, të kishte një sy të mirë të zgjidhte fituesit.

Ajo kishte gjithashtu guximin që të blinte piktura kubiste, të cilat në ato ditë nuk vlerësoheshin aq lart sa sot. Picasso ka qenë disi i vagullt lidhur me Peggy-n. Ai kishte dëgjuar për të.

Ajo shkon tek Picasso, përpiqet që të blejë diçka nga ai dhe ai i thotë: “Zonjë, të brendshmet e femrave i ke në katin e pestë.”

Lisa Phillips

Drejtore, Muzeu i Ri, New Jork

Qartësisht ajo ishte shumë e guximshme në zgjedhjet e saj dhe i qëndronte bindjeve që kishte. Ajo dëgjonte njerëzit e duhur, shumë herë ishte subjekt talljeje dhe nënvlerësimi, por dukej që kjo gjë nuk e shqetësonte shumë. Ajo çante përpara.

Peggy: Ditën që Hitleri pushtoi Norvegjinë shkova në studion e Leger-it dhe bleva një pikturë të mrekullueshme.

Intervistuesja: Por atëhëre kjo ishte në vitin 1940. Si ia bëre që ta nxirrje gjithë atë art jashtë Parisit?

Peggy: Kjo ishte shumë, shumë e vështirë. Para së gjithash doja që të gjitha këto gjëra të ishin të sigurta dhe shkova që të flisja me njerëzit në Muzeun e Luvrit, sepse Leger-i kishte sugjeruar që Luvri do t’i ruante të gjitha ato vepra arti me koleksionin e tyre. Më pas i përgatita të gjitha, por Luvri ndryshoi mendje dhe më thanë që nuk ia vlente që të shpëtoheshin.

Intervistuesja: Dhe Luvri ishte i sigurt që Mondrian-i nuk ia vlente të shpëtohej? Dhe Picasso nuk ia vlente të shpëtohej?

Peggy: Ekzaktësisht!

Intervistuesja: Sa e jashtëzakonshme! Vë bast që sot u vjen keq për këtë.

Intervistuesja: Duket sikur ke qenë më shumë e interesuar për koleksionin tënd se sa për veten.

Peggy: Po, isha më e shqetësuar. Dhe nuk pranova të largohesha pa marrë pikturat. Por pastaj një njeri me shumë fat u shfaq, ishte marrë me të gjithë transportin me anije dhe paketimin e tyre, pra e kisha të gjithë galerinë, ai organizoi çdo gjë për mua dhe i dërgoi të gjitha gjërat sikur të ishin objekte shtëpiake. Dërguam çërçafë dhe batanije…

Intervistuesja: … dhe në mes të luftës me nëndetëse dhe çdo gjë tjetër?

Peggy: Po, e pabesueshme apo jo?

Hans Ulrich Obrist

Shkrimtar dhe Kurator, Galerina Serepentine Londër

Kjo ishte më shumë si një përqasje e tipit bëje vete. Ajo ishte e vendosur dhe mendoj gjithashtu se nuk kishte kohë për të humbur, dukshëm ai ishte një çast lufte dhe kjo ishte edhe një histori mërgimi, e shumë mërgimeve.

Peggy: Shkova në Marsejë dhe Komiteti Varian Fry (Varian Fry ka qenë një gazetar amerikan, i cili drejtonte një rrjet shpëtimi në Vishi të Francës që ndihmoi rreth 2,000 deri në 4,000 refugjatë anti-nazistë për t’u larguar nga Gjermania Naziste dhe Holokausti) më pyeti nëse mund të merrja me vete disa piktorë surrealistë nga Evropa. Dhe mes këtyre njerëzve ishin Max Ernst dhe Andre Breton-i dhe gjithë familja e Andre Breton-it.

Ajo ndihmoi artistë që të largoheshin nga Evropa për në New Jork të Shteteve të Bashkuara. Ajo i shpëtoi artistët.

Përktheu dhe përzgjodhi: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top