Doris Lessing: Retrospektivë në jetën dhe veprën e nobelistes së vonuar  

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Jeni shkrimtarja më e madhe në moshë, që jeni nderuar me Çmimin Nobel, që në zanafillën e këtij institucioni. Mendoni se ky çmim duhej t’ju ishte dhënë më parë?

Po. Besoj se duhej të më jepej 10 -20 vjet më parë. Nuk mund të shkoja në momentin e dorëzimit të çmimit dhe dërgova vajzën time me mbesat e mia. Shtylla ime kurrizore ishte gati e shkatërruar. Rrija ulur në të njëjtën karrige që rri dhe tani kur më morën në telefon: “Po ngremë dolli me shampanjë për shëndetin tënd, sa mirë do ishte sikur të ishe dhe ti këtu”. Ishte vërtet shumë qesharake. Nëse do ma kishin dhënë më parë, do mundja të isha e pranishme në ceremoninë e dorëzimit. Ekziston një listë me “shkrimtarë që duhej ta kishin marrë Nobelin”.  Qarkullon për vite me radhë. E dija, që ndodhesha në listë. Por, më dërguan njëherë një përfaqësues për të më thënë, që Kisha nuk më kishte shumë përzemër dhe që për këtë arsye nuk do ta merrja kurrë Nobelin. Prandaj u habita kur ndodhi. Nësë ju kujtohet, ditën që e mora vesh, po kthehesha me djalin tim nga spitali dhe më prisnin gazetarët jashtë dere.

Besoni se afirmimi dhe fama vijnë më lehtë për shkrimtarët që shkruajnë në anglisht?

Jo medoemos. Arsyeja, që anglishtja favorizohet më shumë, ka të bëjë me Amerikën. Më takojnë njerëz dhe më pyesin: Nuk e di çfarë duhet të mësoj: anglishten britanike apo snglishten amerikane? Gjithmonë zgjedhin gjuhën amerikane. Kuptohet, Amerika është vendi, që bën ligjin.

Ka diferencë kaq të madhe midis dy dialekteve?

Shumë të madhe! Gjuha na ndan. Shumë fjalë të veçuara thuhen ndryshe, por dhe mënyra e përdorimit të gjuhës është e ndryshme.  Amerikanët e përdorin gjuhën si një vend që komandon, sillen sikur të ishin perandori. E di mjaft mire se çfarë është një perandori, mbasi u rrita në një perandori që ishte drejt fundit. Edhe mund t’ju them që nuk ka asnjë ndryshim midis perandorisë amerikane, britanike dhe ruse. Të gjitha janë njësoj, sikurse ishte dhe Roma. Kam njohur dikur dy komunistë nga Rusia Lindore, dy komunistë të përkushtuar. Nuk ndryshonin nga prindërit e mi apo nga Amerikanët sot…

Besoni se SHBA-të do mund të ndryshojnë me Obamën?

Shpresoj! Disa prej republikanëve çirren: “Kill Obama, kill Obama!”  – Amerikanët e kanë zakon t’i vrasin presidentët e tyre. Të shohim nëse Obama do t’ia dalë mbanë! Për momentin, SHBA-të “inspirojnë” kërcënim dhe premtim. Ajo, çka mund të presim tani, për shkak të krizës ekonomike, është një Amerikë më kokulur dhe më pak kryneçe.

Tek libri “Fëmija i Pestë” shkruani, që momenti i gjykimit të njerëzve, vjen njësoj për të gjithë, pa dallim, kur nuk mund të mbrohen më nga forca e të mirave materiale.

Po. Është diçka të cilën e jetojmë tani. Papunësia shtohet. Ndoshta me krizën mund të përmirësohen gjërat, mbasi do varfërohemi shumë. Edhe kjo është gjë e mirë. Brezat e rinj nuk hasën vështirësi, nuk u sprovuan. Asnjë! Edhe kështu si papritur, për herë të parë, vihen para dilemës se çfarë shpenzojnë. Ndërsa njerëzit më të moshuar kanë kaluar kohë shumë të vështira. Luftëra dhe çdo lloj krize.

Nga librat, që keni shkruar dhe janë botuar, cili mendoni se është libri juaj më i mirë?

“Ditari i Artë”, ka me siguri ngarkesën më te madhe emocionale. Vazhdimisht, ribotohet diku në një vend të botës. Gjithashtu, si punën time më të mirë, konsideroj serinë e librave: ”Kanopus në Argos: Arkiva”, ndërsa nga libra konkretë të kësaj serie “Shikasta” (1979) dhe “The Sirian Experiments” (1980). Libri i parë i serisë, besoj se është shumë interesant. Në fillim e konsideroja si një libër të dështuar, por pikërisht ky libër shërbeu si pikënisje e një “feje” të re në Amerikë. Kur isha e ftuar në një ceremoni në Amerikë, u thashe: “Shikoni, bëhet fjalë për novelë dhe jo për model feje”. Përse nuk filloni dhe ju të merreni me ndonë fe? Nuk bëj shaka, do dëndeni më lekë. Njoh një person, që iu fut meselesë së fesë, krejt aksidentalisht. Nuk kishte as punë, as para. Mendonte: çfarë mund të shes? Një ditë që kalonte nga një dyqan kasapi, pa këmbë lepuri. Kishte dëgjuar të thuhej se këmbët e lepurit sjellin fat. Filloi të shiste këmbë lepuri përmes postës. Brenda një kohe të shkurtër s’arrinte të merrte dot frymë nga numri i madh i klientëve. Në shumicën e porosive merrte dhe letra mallëngjyesë të stilit “Burri më tradhton”, etj. Shkroi letra me fjalë ngushëlluesë, caktoi një orë për lutjen e përbashkët, fillimisht njëherë në javë dhe pastaj çdo ditë. Më vonë mori dhe punonjës, ngaqë se përballonte dot i vetëm peshën e punës dhe kërkesat sa vinin e rriteshin. Filloi këtë lloj feje si padashur dhe më pas i vinte shumë turp për këtë. Nësë do të pasurohesh, kjo është receta.

Cili është mendimi juaj për fenë?

Nuk më pëlqen shumë. E çfarë të më pëlqejë? Hidhi një sy botës. Është e tmerrshme! Nuk më pëlqente feja që kur isha 11 vjeçe.

Si ishte fëmijëria juaj?

E pasur! Linda në Iranin e sotëm dhe pa mbushur 5 vjeç udhëtova drejt Rusisë. Ishim familja e parë që shkonim atje si turistë. Gjithashtu, është akoma i gjallë ne mendjen time kujtimi i një karkaleci deti, që përpiqej i dëshpëruar të shpëtontë nga duart e një peshkatari në Angli. Qëndruam në Angli 6 muaj. Më vonë u gjenda në një anije gjermane, që udhëtonte drejt Afrikës së Jugut, më pas drejt Rodezisë së Jugut, duke udhëtuar me trena te ndryshëm në pjesën e brendshme të kontinentit, në kabina me shtretër, si ato që përdornin eksploruesit në Amerikë. Të gjitha këto, deri në moshën 5 vjeçe! Eksperienca, që në moshë të njomë. Jetoja afër natyrës, jetoja me kafshët.

Si e priti shoqëria e Londrës faktin që ishit një nënë që e rriste vetëm fëmijën e saj; një single mother?

Nuk ekzistonte ky term atë kohë. Thjesht kisha një fëmijë. Asnjëherë nuk mendova që isha single mother.

Në moshën 15 vjeçare braktisët shkollën dhe u arsimuat vetë.  Përse e refuzuat edukimin akademik?

Jo! Thjesht, nësë shkoja në universitet, do të shkoja në Universitetin e Cape Town-it, i cili në klasifikim nuk cilësohej ndër më të mirët. Kuptohej që do studioja filologji. Mendova, që mund t’ia dilja mbanë të lexoja dhe vetëm. E vetmja gjë për të cilën pendohem është fakti që nuk i kushtova rëndësi matematikës. Kjo se është një gjuhë që të ndihmon në kuptimin e fizikës. Dhe fizika është kaq mahnitëse!

Përse u larguat nga partia komuniste?

Në konferencën e 20-të në vitin 1956, Hrushovi tha që Stalini ishte një bastard. Ky pohim pati si rrjedhojë krisjen brenda së majtës. Shumica e shokëve menduan, që ishte propagandë kapitaliste. Shumë pak vetë ishin gati të pranonin se Stalini ishtë vërtet nje bastard. Pak vetë, mes tyre dhe unë, u “ngazëllyem” nga pohimi i Hrushovit. Prisnim më shumë ama. Mbasi ne e dinim – nuk ka rëndësi si e dinim – që gjërat ishin shumë keq në BRSS, sikurse dhe në Hungari dhe Çeki. Hrushovi nuk e tha të gjithë të vërtetën, thjesht shfaqi një dozë të vogël të së vërtetës. Por tani, nuk ekziston më BRSS-ja. Do t’ju kallëzoj historinë time të dashur. Një mikja ime udhëtonte me aeroplan dhe ngjitur me të rrinte një burrë dhe e pyet: “Isha në Himalajë për vite të tërë dhe s’kam parë gazetë me sy. Më thoni, çfarë ndodhi gjatë mungesës sime? Dhe ajo kthehet e i thotë: Nuk ekziston më BRSS-ja, mori fund Apartheid-i në Afrikën e Jugut, ra muri i Berlinit”. Dhe ai i përgjigjet: “Ju lutem, mos u tallni!”

Çfarë gëzimesh përjetoni duke u rritur?

Asnjë. Nuk ka diçka që ia vlen të përmendet. Njeriu kur rritet bëhet më i prapë, jo më i mençur. Sidomos, kur ndodh që në rininë e vet të ketë qenë një njeri i fortë dhe i pavarur. Mbasi kur plakesh vetvetiu bëhesh fodull se pandeh që vazhdon të jesh akoma i fuqishëm dhe që mund t’ia dalësh mbanë në të gjitha. Por, në të vërtetë, nuk është kështu. Eci me bastun dhe rrallë dal jashtë. Ndaj dhe jam me huqe.

Përktheu: Eleana Zhako

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top