ÇFARË FSHIHET PAS STILIT TË PORTRETEVE QAFË-HOLLË-GJATË, SYBAJAMEVE DHE BUZËHOLLË TË AMEDEO MODIGLIANI-it?

in Pikturë by

Kush do ta kishte menduar Modigliani-n si globalist?!…

Uniformiteti i portreteve të mëvonshme të Amedeo Modigliani-it është një nga kuriozitetet më të mëdha në historinë e artit modern. Por për këdo që mund të mendojë se artisti italian vetëm po eksperimentonte me abstraksionin e portretizimeve, duke paraqitur çdo pozues sikur të ishte nga të njëjtat fytyra të gjata, sybajame apo buzëvogla, është intriguese të mësojmë se ai kishte disa arsye të thella personale për depersonalizimin e portreteve të tij.

“Modigliani ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e identitetit,” thotë kuratori Mason Klein, e cili realizoi ekspozitën: “Ç’maskëzimi i Modigliani-t”, organizuar në Muzeun Hebre, me qëllim shqyrtimin e këtyre aspekteve të veprave të artistit.

Kjo tendencë stilistike, e cila është asociuar shumë me artistin, buron nga rritja dhe edukimi i tij në Itali dhe përvoja e tij si frankofon, Hebre Sefardik Italian (Sefardik – hebrenjtë me prejardhje spanjolle ose portugeze) në Paris, gjatë çerekut të parë të shekullit të 20-të. Ajo çka gjeti Klein-i nga kërkimi i tij ishte trashëgimia e Modigliani-t për të sfiduar etiketimet racore dhe hegjemoninë e kulturës evropiane, që të gjitha duke përqafuar globalizmin, disa dekada përpara se Perëndimi të fillonte ta bënte diçka të tillë.

Klein-i i trajton vizatimet e tij si një lloj indi lidhës ndërmjet pikturave të tij të hershme më ekspresioniste, si “Hebrenjtë” (1908), një vepre fauviste mahnitëse e vitit 1906 dhe portretet e nudot e tij të mëvonshme. Të pikturuara kryesisht gjatë viteve 1908 dhe 1912, vizatimet variojnë nga skicat parapërgatitore për kokat e tij prej gëlqereje dhe karitatet (skalitja e një guri në një figurë femërore të shtirë, e përdorur si një shtyllë për të mbështetur pjesën e sipërme të një ndërtese greke ose e stilit grek), deri tek ilustrimet e portreteve të pozuesve. Së bashku, ato tregojnë një hapje ndaj hibriditetit, e cila nuk ka qenë rastësore.

Ndonëse shumica e njërëzve mund ta mbajnë mend Modigliani-n si bohemin e përkryer tragjik, si varfanjakun që pinte hashash dhe absinth, vdekja nga turbekulozi në moshën 35 vjeçare e të cilit, bëri që e dashura e tij shtatëzënë, Jeanne Hébuterne, të hidhej nga dritarja. “Popullarizimi nga Hollywood-i i jetës së tij, në të vërtetë, nuk shqyrton përbërësit socialë që e bënë Modigliani-n të merrte flakë nga arti joperëndimor sipas mënyrës së tij”, ka thënë Klein-i.

I lindur nga prindër hebrenj sefardikë, në vitin 1884, në Livorno të Italisë, Modigliani u rrit më shumë nga e ëma e tij erudite me prejardhje franceze dhe nga tezja, pasi familja e tij e kamur u rrënua financiarisht. Kur biznesi i familjes falimentoi, të dyja gratë hapën një shkollë gjuhe në qytet dhe i mësuan Modigliani-it frengjisht dhe anglisht. Gjithashtu ishin ato që ushqyen dashurinë e tij për artbërjen.

I sëmurë që në moshë të re – me pleurit në moshën 11 vjeçare, me tifo në moshën 14 vjeçare dhe me turbekuloz në moshën 16 vjeçare – djali kaloi orë të tëra në shtrat, duke mësuar përmendësh Dante-n dhe duke lexuar veprat e Niçes dhe të filozofit hollandez të periudhës së para-iluminizmit, Spinozës, i cili, sipas pjesës femërore të familjes së Modigliani-t, ishte një i afërm i largët. (Kjo është kundërshtuar gjerësisht). Kur nuk ishte me regjim shtrati, ai ndiqte shkollën e artit dhe e zhyste veten në artin klasik dhe në atë të Rilindjes që mbushte muzetë e Italisë.

Një qytet portual me një politikë dyersh të hapura, Livorno nuk kishte geto për hebrenjtë, ndryshe nga qytetet e Evropës Lindore dhe disa rajone të tjera të Italisë. Por vendi e kishte kaluar pjesën më të madhe të shekullit të 19-të, duke unifikuar shtetet e tij të pavarura dhe që deri diku ishte një “turli” kulturore dhe me disa pjesë të saj shumë më të hapura ndaj influencave të huaja se shumë vende evropiane të asaj kohe.

Në anën tjetër, Parisi ishte një vatër ksenofobie dhe antisemitizmi kur ai mbërriti atje në vitin 1906, në kërkim të skenës famëkeqe të artit avantgard të qytetit. “Në Francë ishte një lëvizje e madhe nacionaliste për të spastruar elementët e huaj dhe të “papastër”, ka thënë Klein-i, i cili ka nxjerr në pah popullaritetin në atë kohë të teorive pseudo-shkencore, të cilat klasifikonin tiparet faciale (të fytyrës) për të ndërtuar dhe justifikuar hierarkitë sociale, si faqet raciste të Édouard Drumont-it, i cili i shpifte brutalisht për hebrenjtë.

 

“Kjo ishte diçka e re për Modigliani-in,” thotë Klein-i. “Por ai ishte i vendosur në mënyrë unike që të merrej me këtë gjë. Unifikimi (Risorgimento) i shekullit të 19-të, në Itali dhe, idealet e tij universale mbi ligjërimin social, politik dhe fetar, ai i ndau të gjithë këta në trekëndësha.”

Për avantazh të tij, Modigliani fliste frengjisht rrjedhshëm dhe dukej më shumë si latin sesa si hebre. “Chagall-i ka thënë në Paris në çdo hap që ai ishte hebre. Modigliani mbërriti aty duke menduar se i përkiste atij vendi (Parisit),” ka thënë Klein-i.

Artisti ishte gjithashtu i famshëm për veshjen e tij me stil, madje edhe atëherë kur ai nuk mund të përballonte që të paguante qiranë në Montparnasse dhe më vonë në Montmartre. Pablo Picasso një herë ka thënë: “Modigliani ishte vetëm një njeri që dinte sesi të vishej”, ndërsa Modigliani ka thënë për rivalin e tij se: “Talenti nuk është justifikim për t’u veshur siç duhet”.

Nuk është për t’u çuditur që historia e mban mend Modigliani-in për mënyrat e tij bohemiane sesa për hebrenjtë e tij etnikë (pasi ai nuk e praktikonte fenë). Megjithëse, lehtësia me të cilën ai e maskonte etnicitetin e tij, e nxiti që ta deklaronte atë hapur; shpesh ai vetëprezantohej duke thënë: “Unë jam Modigliani, hebreu.”

“Ekspozita synonte kuptimin e veprës së tij në mënyrë të integruar, [duke eksploruar] sesi po përpiqej ai në veprat e tij të hershme për të gjetur një mënyrë që do ta ndihmonte sesi të merrej me këto çështje konceptualisht dhe nëpërmjet pikturës,” ka thënë Klein-i.

Një mënyrë për ta bërë këtë është që të kërkojmë për burimet e tij të frymëzimit. Në muzeun e parë antropologjik të qytetit “Musée d’Ethnographie du Trocadéro” (që u themelua në vitin 1878, në mes të një vrulli magjepsjeje pas pushtimeve ekzotike koloniale të Evropës), ku ai hasi kokat joperëndimore, ku ne shikojmë influencën e tyre në skulpturat e tij rreth viteve 1909 deri në vitin 1914 – buste që përziejnë së bashku elementët e Afrikës Veriore, Azisë Juglindore dhe artit të ishujve të paqësorit me artin Cikladik dhe Klasicizmin e Rilindjes.

Në këto vepra ne shikojmë hundë të zgjatuara dramatikisht dhe sy vezakë, të cilët u kthyen në trofeun e skulpturave të tij dhe, sigurisht, edhe në pikturat e tij të mëvonshme, pas përkeqësimit të shëndetit të tij, ai u detyrua ta ndalte skulpturimin dhe t’i rikthehej furçës. (siç doli që pluhuri i gurit nuk i bënte mirë mushkërive tuberkulare,). “Sipas Klein-it ne kemi të bëjmë më tepër me një hibrid të burimeve të ndryshme etnike dhe kulturore, sesa me fantazitë e tejtërsimit kafshëror që na sjell në mendje piktura “Les Demoiselles d’Avignon” nga Pablo Picasso (1907). “Modigliani nuk ishte i interesuar në shfrytëzimin e mitit të gruas së hiperseksualizuar sipas mënyrës së Picasso-s,” ka thënë Klein-i.

Tiparet e stilizuara të Modigliani-t, të paraqitura fillimisht në vizatimet e tij, u zhvilluan plotësisht në portretizimet, “duket sikur vetëdija globale ka qenë aty – tek veprat e Modiglian-it përpara vetë fjalës “globale”, ka thënë Klein-i. “Kjo ishte një lëvizje e paramenduar nga Modigliani, një aspekt më shumë bashkues sesa tjetërsues, gjë që sot është shumë e rëndësishme.”

Marrë nga: Artsy

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top