Category archive

Meqë ra fjala - page 2

Ishulli i peshkatarëve në Itali, i preferuari i Hemingway-t

in Meqë ra fjala by

‎Isola dei Pescatori: Ishulli më liliput i Italisë, me bukuri të pashtershme

Isola dei Pescatori, i cili do të thotë “ishull i peshkatarëve”, i vendosur në liqenin Maggiore në pjesën Veriore të Italisë (bën pjesë në kompleksin e ishujve Borromean) dhe është i banuar nga rreth 35 banorë gjatë gjithë vitit. Duket madje se ishulli nuk është vetëm i peshkatarëve por dhe shkrimtarëve, pasi është përmendur në shumë vepra letrare, si vepra e famshme e Ernest Hemingway, “Lamtumirë Armë”, ku protagonisti Frederic Henry ndalon këtu gjatë Luftës së Parë Botërore për të pirë një vermut.

Ekziston një rrugë qendrore që kalon përmes trungut kryesor të ishullit ku në të cilën përfundojnë sokaqet e vogla shtruar me kalldrëm.

Në shtrirjen e tij të vogël prej 375 metra dallon kisha e bukur dhe unike e San Vittore.

Përmbytjet janë fenomen i zakonshëm, por shtëpitë janë ndërtuar për të lejuar ujin të kalojë.

Peshkimi është një element i rëndësishëm i ishullit dhe peshkatarët lokalë bëhen atraksion turistik për vizitorët, pasi ruajnë diçka nga bukuria dhe autenticiteti i traditës, por është gjithashtu burimi kryesor i të ardhurave për banorët e ishullit.

Vlen të përmendet se ishulli është shumë popullor për turistët, gjë që ka rritur në masë të madhe pamjet e bukura që qarkullojnë në mediat sociale dhe bën që njerëzit të prenotojnë dhoma gjatë gjithë vitit!

Përktheu: Shpendi Shakaj

Fshati norvegjez, i cili ka më shumë libra se sa banorë

in Meqë ra fjala by

Mundal: Fshati norvegjez, i cili ka më shumë libra se sa banorë.

Mundal në Norvegji nuk është rajoni më i populluar në vend, por në qoftë se jeni mik i librit, gjëja e vetme e sigurt është që kurrë nuk do të mërziteni aty.

Sipas Travel + Leisure, Mundal është shtëpia e më shumë librave se sa banorëve, një tipar që e dallon nga të gjitha rajonet e tjera të vendit (dhe jo vetëm). Madje, ka fituar titullin “Fshati norvegjez i librave”.

Mundal është i vogël, ka vetëm 280 banorë, por ka një koleksion mbresëlënës librash të përdorur, me pothuajse 150.000 tituj të shpërndarë nëpër rrugët dhe dyqanet e fshatit. Pra, librat nuk kufizohen vetëm në libraritë e shumta; mund t’i gjeni në stacione të braktisura, dyqane ushqimesh, në postë madje dhe në skelë, ku presin anijen.

Mundal filloi të mbushë raftet me libra në vitin 1995. Nëse do mund të vendosnim në një rresht të gjitha bibliotekat që disponon në total zona, do të mbulonin mbi 2.5 milje distancë.

I arritshëm vetëm nga deti deri në mesin e viteve ’90, Mundal është një nga vendet më të izoluara libërdashës në Tokë. Edhe pse është shumë e vështirë për të gjetur një suvenir nga zona, pasi të tillë dyqane janë të hapura për vizitorët vetëm gjatë muajve të ngrohtë të Majit deri në Shtator.

Përktheu: Shpendi Shakaj

E vërteta e pakëndshme në lidhje me dashurinë dhe divorcin/Meli Ajazi

in Meqë ra fjala by

Meli Ajazi

Ne sot e mendojmë martesën moderne si një institucion dashurie – po ç’ndodh kur dashuria mbaron?
Një pjesë e jona fiksohet pas historive të kohëve të vjetra, të evokuara këto edhe nga librat rozë apo filmat dhe telenovelat, shpesh duke psherëtirë për faktin, që për paraardhësit tanë ajo ka qenë më e thjeshtë dhe se njerëzit dikur ishin më të mirë e më të sinqertë, gjë që s’është aspak e vërtetë, po është thjesht perceptim i gabuar i krijuar nga fantazia jonë.

Dihet tashmë nga të gjithë që dorëheqja nga një marrëdhënie afatgjatë, është shumë e trishtuar, dhe ndryshimet në strukturën e familjes janë shumë të vështira për të gjithë ata që përfshihen në këtë histori, po sidomos për fëmijët. Pra në thelb divorci është i vështirë dhe besimet e qëndrimet tona kulturore e bëjnë atë edhe më të vështirë nga ç’duhet.
Faji, turpi dhe ndjenja e dështimit, dukshëm rritin koston emocionale të divorcit. Edhe pse kjo kosto shtesë është krijuar nga morali shoqëror dhe, edhe pse një shumicë njerëzish të edukuar dhe arsimuar mirë, janë në dijeni të kësaj bashkëfajësie të krijuar nga shoqëria, prapë se prapë divorci përjetohet si eksperiencë shumë e keqe, pasi të gjithë ne kemi qenë në një moshë të pavetëdijshme, në fëmijëri, kur kemi ‘thithur’ mesazhin e shoqërisë në lidhje divorcin.

Pyesni veten në vetmi për këtë: A jeni ju tipi i personit që divorcohet? Pa marrë parasysh se në çfarë statusi martesor jeni, unë vë bast se ju i jeni pëgjigjur kësaj pyetje me: “JO!” kategorike.

Kjo është ajo që të gjithë pa përjashtim mendojnë para se të divorcohen nga partnerët e tyre të mëparshëm. Ne të gjithë mendojmë se jemi më të mirë se personat që divorcohen, dhe me këtë JO ne i pohojmë vetes se: “Unë jam besnik, jam i përgjegjshëm, kam moral të lartë, jam person që tregoj kujdes për partnerin dhe jam person që i mbaj premtimet e zotimet e dhëna.” Deri tek ky pohim nuk ka asgjë të keqe, pasi është i sinqertë.

Njerëzit që mendojnë rreth divorcit apo kryejnë divorc, përgjithësisht ndihen thellësisht të pakënaqur nga jeta e tyre, të vetmuar e të mjerë. Para martesës të gjthë ne mendojmë rreth dashurisë dhe lumturisë të cialt realizohen vetëm nëpërmjet martesës, por pas shkëmbimit të unazave, çdonjëri kërkon në një farë mënyre atë modën e vjetër të martesës, atë të sakrifikimit dhe vetëflijimit, besnikërisë, përgjegjësisë, mundimit dhe vështirësive. Këto qëndrime, i kanë rrënjët në të kaluarën e largët, kur martesa ishte thjesht një institucion ekonomik i projektuar për të stabilizuar mirëqënien dhe pasurinë, si dhe për të rritur trashëgimtarët e kësaj pasurie.

Sigurisht që edhe në ato kohëra, kishte njerëz që dashuronin si dhe shumë njerëz që vuanin nga mosrealizimi i dashurisë, shumë më shumë se tani, po në ndryshim nga ditët e sotme, ata nuk kishin pritshmëri që ndjenjat e tyre të kurorëzoheshin me martesë. Ndjekja e dashurisë dhe lumturisë nuk konsiderohej një arsye e mjaftueshme për t’u martuar dhe kjo sigurisht nuk ishin as arsye për divorc.

Po tani, kur Amerika i ka mësuar gjithë globit, në të gjitha mënyrat, me ligj kushtetues, filma, muzikë e art, se – Kërkimi i lumturisë është një e drejtë themelore e njeriut, – a nuk po ndjehet lumturia e kërcënuar nga divorci, pasi koncepti i zgjidhjes së martesës, nuk perceptohet aspak si një gjë e lumtur?

Pikërisht në ditët e sotme, në të kundërt nga kohët e shkuara, sot kur shumica e njerëzve martohen me dashuri, pasi kanë premtuar në altar se do ta duan njëri-tjetrin derisa vdekja t’i ndajë, pa pyetur asnjëherë veten mbi faktin se çfarë do të thotë ky premtim, pasi në të vërtetë nuk duan ta dinë përgjigjen, sipas statistikave shumica ndihen të zhgënjyer nga martesa.

Si mundet vallë që dikush të angazhohet se do ndjehet njëlloj si në ditët e para, me të njëjtin emocion dhe intensitet me tjetrin, deri në përjetësi? Jo sigurisht që kjo nuk bën sens llogjik, prandaj ne premtojmë pa menduar, ose më keq, duke shpresuar se do ta ‘ndreqim’ partnerin që të na përshtatet.

Ne realisht mund ta detyrojmë veten tonë të jemi besnik, të vetë-sakrifikohemi, por nuk mund t’a detyrojmë dot atë, veten pra, për të qenë të dashuruar, pasi ne njerëzit, kemi fare pak kontroll mbi ndjenjat tona, apo siç shprehemi përgjithësisht mbi zemrat tona. Dhe nuk kalon shumë kohë dhe fillojnë e na lindin kontraditat midis asaj që ndjejmë dhe asaj që kemi pritur të ndjejmë.

Kjo e vërtetë është kaq pakëndshme sa që mundohemi ti tregojmë vetes histori se si dashuria mund të krijohet edhe nëpërmjet vendosmërisë apo karakterit të pastër, punës së mundimshme dhe të vështirë, etj, po shumë shpesh as ne vet si besojmë këto brroçkulla. Nëse do t’i besonim, do të vazhdonim akoma me martesat me shkuesi, po ja që këto lloj martesash na duken shumë paradoksale sot, të papranueshme dhe prapanike.

Në të vërtetë, ka disa çifte, mbase të rrallë, që arrijnë ta mbajnë të pashuar pasionin e fortë të dashurisë, por për shumicën e çifteve, dashuria zbehet, tjetërsohet duke lënë pas pyetje të mëdha ekzistenciale. Një nga pyetjet më të zakonshme që njerëzit i bëjnë vetes është:
Nëse u martuam sepse u dashuruam, çfarë do të thotë, të vazhdosh të rrish në një martesë pa dashuri?

Nëse si shoqëri do të ishim të ndershëm me veten, do të pranonim që të presësh nga njerëzit që martohen me dashuri të mos ndahen, kur dashuria mbaron apo fillon e mungon, është totalisht e paarsyeshme dhe hipokrizi. Po fatkeqsisht, jemi një shoqëri hipokrite dhe për rrjedhojë kthimi tek moda e vjetër e martesës azuar në interesin ekonomik – pra shkëmbim interesash, ka filluar të na duket opsion jo vetëm i papranueshëm, po i domosdoshëm prandaj vazhdojmë predikojmë dashurinë si idealin më kuptimplotë të njeriut.

Dhe po ashtu vazhdojmë ta ushqejmë shoqërinë me hipokrizi mbi martesën, pasi t’u deklarojmë fëmijëve tanë se martesa më shumë sesa lumturi, është përgjegjësi, sakrificë, besnikëri dhe durim, gjëra që partnerët e martuar shpesh i harrojnë dhe, fëmijët nuk ndodh t’i shohin shpesh në familjet e tyre.

Nënat dhe baballarët i shtyjnë fëmijët të martohen që sapo mësojnë se ata mund të jenë dashuruar me dikë, sidomos vajzat, dhe janë shumë të lumtur në ditën e dasmës së tyre dhe me të vërtetë që shumë prej tyre shpresojnë tek ëndrra e lumturisë martesore pa ‘i shqetësuar’ fëmijët me leksionin se ndoshta një ditë mund të zbulojnë që ndoshta nuk ndihen më të dashuruar… Të shpeshta janë rastet kur prindërit zemërohen me fëmijët e tyre që duan të divorcohen …

Po le të mendojmë vetëm për pak – se ndoshta divorci përfaqëson shansin më të mirë të një çifti, mbi ardhmërinë e dashurisë dhe lumturisë së tyre si individë – le të imagjinojmë vetëm për pak një botë ku empathia, përkrahja dhe toleranca kanë më shumë përparësi sesa konceptet tona ndoshta të vjetëruara mbi çiftimin e martesën.

Po ti akoma beson te muri?-Disa komente në faqen e “The Guardian” për bisedën telefonike të Trump-it me një djalë 7 vjeç  

in Meqë ra fjala/Në kohërat e kolerës by

Beson akoma te Babagjyshi i Vitit të Ri?

I ndjek me vëmendje faqet e gazetave angleze në facebook, jo vetëm për cilësinë e lartë të shkrimeve, por edhe për cilësinë e lartë të komenteve. (gjë që; sipas meje; shpreh nivelin e lartë intelektual të një vendi.)

Ja disa komente brilante në lidhje me bisedën telefonike të Donald Trump-it me një fëmijë shtatë vjeç, ku midis të tjerash presidenti i thotë se në moshën 7 vjeç, të besosh ende te Babagjyshi i Vitit të Ri është “marginal”(e pavlerë.)

Filipe Brizida: Një fëmijë që beson te Babagjyshi i Vitit të Ri meriton më shume respekt se një i rritur që beson te Trump-i.

Lee Whelchel: Jam impresionuar prej faktit që ai e njeh fjalën “marginal” dhe duket se e ka përdorur në mënyrë korrekte.

Michael Edward: Po ti akoma beson te muri? (fjala është për murin ndarës me Meksikën.)

Shim Amabel: A nuk është “marginal” të besosh në një mur kufitar kur je në moshën 72 vjeç?

Helen Veronica Brannigan: I paskan dhënë një telefon prej vërteti????????

Kaarlo Moran: Po e interviston për pozicionin vakant të Shefit të Kabinetit.

Reza Kargar: Unë mendoj se thjesht u mbrojt ngaqë fëmija e pyeti nëse ai është një president prej vërteti apo jo…

Glenn Colotti: Unë lutem përditë për Presidentin Trump; por ai është ende gjallë.

Peter Diaz: Një i rritur që beson në një burrë të padukshëm pyet një fëmijë që beson te një burrë i padukshëm.

Ray Stash: E kuptova, e kuptova. Ai i flet një fëmije 7 vjeç në gjuhën e të rriturve dhe u flet të rriturve me gjuhën e një fëmije 7 vjeç.

Neil Phillip: Përkrahësit e Trump-it janë edhe më “marginal” (të pavlerë) mendërisht se ai.

Dave Ole: Perpara se të qeshni, kujtohuni që ca të rritur akoma besojnë te EU-ja.

Përktheu: Arlinda Guma

Bisedën e ndiqni këtu:

 

A keni një përkufizim për dashurinë?-Ester Perel

in Meqë ra fjala by

Pyetjes: “A keni një përkufizim për dashurinë?”, në një intervistë të fundit në ‘The New Yorker”, Ester Perel, psikoterapeute, i përgjigjet:

“Është një folje. Kjo është gjëja e parë që më vjen në mendje. Është një angazhim aktiv i të gjitha llojeve të ndjenjave – ato pozitive, primitive, po dhe ato të neveritshme apo të urryera. Pra është një folje shumë aktive. Dhe shpesh është e çuditshme se mund të jetë si një lloj batice dhe zbatice. Është si hëna. Ne mendojmë që është zhdukur, por papritmas, ajo shfaqet sërish. E sigurt është që dashuria nuk është një gjendje entuziazmi i përhershëm. Unë vet kam tridhjetë e pesë vjet martuar dhe praktikoj terapinë e këshillimit në çift. Kam edhe dy djem dhe dashuria ime nuk është vetëm romantike.

Mendoj se përkufizimi i sotëm për dashurinë duhet të evolojë nga – “Ti je gjithçka”, kur çiftet janë vërtet në ekzaltim të plotë, dhe këtë e sheh në premtimet/zotimet e dasmës, ku çiftet i përbetohen njëri-tjetrit me zotime të tilla si: “Do të të fshij çdo pikë loti që do të rrjedhë nga sytë e tu, para se ti vet ta vësh re që po të rrjedh,” në një zotim më real që mund të jetë:

“Më duhet të pranoj që do të të bëj edhe gjëra të keqija ose të papërshtatshme/të pahijshme, me raste, por edhe rregullisht, në bazë të humorit të ditës që do të kem.”

Përktheu: Meli Ajazi

Një qytet i tërë var të mbathurat nëpër rrugë, madje është edhe krenar për këtë!

in Meqë ra fjala by

LONDЁR – Dikush vendosi një palë reçipeta në majë të një shtylle. Deri në fund të ditës; boksera, çorape dhe këmisha u varën jashtë shtëpive dhe dyqaneve, madje u nderën edhe nëpër rrugë.

Një përpjekje për të turpëruar një grua që të mos i varte rrobat e  sapolara jashtë shtëpisë së saj, në Anglinë Jugperëndimore, dështoi në mënyrë spektakolare të mërkurën, kur fqinjët dhe njerëzit e biznesit u bashkuan në mbrojtje të saj dhe varën edhe ata rrobat e tyre jashtë, në mënyrë që t’i shihnin të gjithë.

“Rrugë pas rruge, ishte si një lloj operacioni ushtarak”, tha Paul Arnott, i cili mori pjesë në “Revoltën e Lavanderisë”.

Episodi zuri fill javën e shkuar, kur gruaja, Claire Mountjoy, mori një letër të panënshkruar në kutinë e saj postare në Colyton. Letra pretendonte të fliste “në emër të bizneseve lokale dhe lagjes”, përpara se të kërkonte “me dashamirësi” që ajo të përdorte një tharëse rrobash apo t’i varte ato brenda shtëpisë.

“Ne të gjithë përpiqemi shumë për ta mbajtur qytetin tonë të mrekullueshëm, të lulëzuar dhe të bukur”, thoshte letra, duke theksuar se shtëpia e znj. Mountjoy ishte e dukshme për vizitorët që mbërrinin në qytet. “Kjo letër nuk është shkruar me keqdashje, por ne ju kërkojmë qe të na ndihmoni ju lutemi, që të gjithë ta mbajmë Colytonin një qytet ku të gjithë të jemi krenarë për të”.

Znj. Mountjoy tha se iu duk “mjaft e çuditshme që dikush ishte kaq i mërzitur për këtë gjë. “Do të ishte më mirë”, shtoi ajo, “të kishim patur një bisedë më të këndshme”.

Pasi letra u përhap në mediat sociale, shumë banorë të qytetit të  Colyton-it u frymëzuan për të ndërmarrë një nderje kolektive të rrobave në tel. Z. Arnott, një prej banorëve, mësoi për këtë në një grup në Facebook të Colyton-it.

“Kështu, të nesërmen në mengjes u ngrita dhe mora disa nga rrobat e mia më të vjetra dhe i varëm në tel, duke përfshirë edhe një palë boksera”, tha zoti Arnott për Devon Live, një website i ri. Ai e quajti reagimin e fqinjëve të tij “të jashtëzakonshëm dhe absolutisht zbavites”.

Anott tha se njerëzit u nxitën për revolten prej anonimitetit te letrës dhe “mënyrës agresive me të cilën ishte shkruar ajo”.

“Është tipar britanik të mos na pëlqejë ky lloj intimidimi,” tha ai, “dhe qyteti i Colyton-it është me të vërtetë i mirë në rezistimin ndaj këtyre gjërave.”

Colyton, një qytet me rreth 2,000 banorë, në Devon County, ka një reputacion të madh për rezistencë. Dhjetëra burra të Colyton-it u vranë gjatë Rebelimit të Monmouth-it, në vitin 1685, kur u bashkuan me Dukën e Monmouth-it kundër mbretit të sapokurorëzuar; Mbretit Xhejms II.

Që atëherë, Colyton-i është quajtur “Qyteti më rebel në Devon”, një emër që ende duket se i përshtatet.

Tashmë, disa banorë po bëjnë thirrje për një ditë rebelimi vjetor të varjes në tel të mbathurave…

The New Jork Times

Përktheu: Arlinda Guma

 

Heroi aksidental

in A(rt)ktivizëm/Meqë ra fjala by

Ka një skenë brilante në një film të Chaplinit. Ai gjeti një flamur përtokë, e mori në dorë dhe po e shihte me vëmendje.

Disa njerëz që po ecnin në rrugë e panë dhe iu bashkuan sepse kujtuan se ai po protestonte.

Ai shihte i habitur kur turma filloi ta shtynte të ecte përpara dhe t’i printe protestës, pastaj pa ç’ pa, ngriti famurin dhe filloi të brohoriste duke udhëhequr turmën…

Nuk ka përshkrim më të qëlluar se ky i heroit aksidental…

Go to Top