CASPAR DAVID FRIEDRICH-Vala e dytë e romantikëve gjermanë

in Pikturë by

CASPAR DAVID FRIEDRICH-Fuqia mbreslënëse e natyrës si provë e shpirtit hyjnor

Në përpjekje për të kapur përvojën e së pafundmes, Caspar David Friedrich kompozoi vepra të cilat e përballnin shikuesin drejtëpërdrejtë me mbreslënësen. Friedrich-u e mori zhanrin e pikturës së peizazhit, i cili tradicionalisht konsiderohej si i parëndësishëm dhe e përzjeu me rëndësinë e thellë fetare dhe shpirtërore. Duke besuar se madhështia e botës natyrore mund të reflektojë vetëm madhështinë e Zotit, ai paraqiste pamje me rrezet e diellit dhe hapësira të mjegulluara për të përcjellë fuqinë e bukur të hyjnores.

ARRITJET

Peizazhet hënore të Friedrich-ut, të cilat shpesh e hedhin shikuesin në egërsitë e natyrës, krijonin një lidhje emocionale me tepër me të sesa me skenën. Ky integrim i rëndësisë shpirtërore me pikturën e peizazhit e kthen atë në një sukses popullor. Ndonëse bashkëkohësit konservatorë i sfiduan peizazhet alegorike dhe fetare të Friedrich-ut, artisti mbrohej duke u shprehur se veprat e tij nuk ishin thjesht replika të një pamjeje, por ato ofronin mundësinë për t’u kënaqur me praninë e Zotit në botë. Duke përdorur perspektiva dramatike dhe të mjegulluara, hapësira të pazbutura, që zvogëlonin çdo figurë, Friedrich-u e inkurajonte shikuesin që të pranonte fuqinë mbresëlënëse të natyrës si evidencë të shpirtit hyjnor.

Duke hedhur poshtë traditat piktoreske të pikturës së peizazhit, Friedrich-u përqafoi nocionin romantik të sublimes. Nëpërmjet paraqitjeve të tij të ndjeshme të mjegullës, turbullirave, errësirës dhe dritës, artisti përcillte fuqinë e pafundme dhe pakohësinë e natyrës; shikuesit i kujtohet fizikisht brishtësia dhe parëndësia e tij.

Paleta me ngjyra të lehta e Friedrich-ut dhe theksi tek drita, shpesh krijonin një ndjesi mbizotëruese të zbrazëtisë që ka influencuar Artin Modern. Minimalizmi pamor i pikturave të tij ishte aq i pazakontë saqë audiencat e tij ishin shpesh konfuze; sipas raportimeve, një grup entuziastësh arti, të cilët vizituan studion e tij, panë një nga veprat e tij me kokë poshtë në këmbalec, duke besuar se retë ishin dallgë, ndërsa uji ishte qielli. Modernistët mësuan nga përdorimi që ai u bëri ngjyrave të zbehta dhe thjeshtësia e kompozimeve të tij, të cilat ende përcjellin ide të thella.

BIOGRAFIA

Fëmijëria dhe Edukimi

I gjashti nga dhjetë fëmijët, Caspar David Friedrich-u lindi në një familje strikte luteriane. Ai u njoh me tragjedinë që në moshë të hershme, duke humbur të ëmën kur ishte shtatë vjeç dhe dy nga motrat e tij për shkak të sëmundjeve në fëmijëri. Ndoshta humbja më e rëndësishme ishte vdekja e vëllait të tij, Johann-it, i cili u mbyt teksa po përpiqej të shpëtonte artistin trembëdhjetë vjeçar kur ra në akull.

I arsimuar nga tutorët, Friedrich-u filloi të merrte mësime vizatimi në vitin 1790 nga profesori i universitetit Johann Gottfried Quistorp. Interesi i tij i hershëm u inkurajua në moshën njëzetëvjeçare, ai u regjistrua në Akademinë e Kopenhagenit. Përveç studimi të mjeshtrave, ai zhvilloi një interes afatgjatë tek natyra dhe peizazhet. Po kaq e rëndësishme ishte zhytja e tij në poezinë shpirtërore dhe mistike, që shërbeu si një ndikim për veprat e tij të mëvonshme dhe ofruoi themelet për rolin e tij si një nga liderët e Romantizmit Gjerman.

Karriera e Hershme

Në vitin 1798, artisti përfundoi studimet dhe u vendos në Dresden, ku vepra e tij gjeti një audiencë admiruese. Nga këto piktura të hershme, Friedrich-u përkrahu idealet romantike, duke përfshirë potencialin shpirtëror të artit dhe shprehjen e sentimenteve fetare nëpërmjet fuqisë së natyrës. Sipas artistit, “qëllimi absolut i njeriut nuk është njeriu, por hyjnorja, pafundësia. Ai duhet të orvatet drejt artit, dhe jo artistit! Arti është i pafundmë, të fundme janë të gjitha dijet dhe aftësitë e artistëve.” Për Friedrich-un peizazhi u kthye në mjetin e parë për paraqitjen e manifestimeve pamore të sublimes, siç mund të shihet tek “Kryqi në Male” (1807-08) dhe “Mjegulla e Mëngjesit në Male” (1808).

Gjatë këtyre viteve të Perandorisë së Napoleonit, investimi i Friedrich-ut në peizazh mbartte gjithashtu edhe një rëndësi politike duke qenë se ai tipikisht paraqiste vendet gjermane me një ndjesi krenarie dhe fuqie, e cila praktikisht shkonte përtej kufijve tokësorë. Deri në rënien e Napoleonit në vitin 1815, shumë nga bashkëkohësit e Friedrich-ut i interpretuan pikturat e tij nëpërmjet lenteve të vetëvendosmërisë politike dhe trashëgimisë kulturore, duke besuar se ato premtonin pavarësinë e ardhshme nga një rend i huaj.

Periudha e pjekur

Pasi fitoi njohjen/vlerësimin si një nga liderët e lëvizjes Romantike në Gjermani, zgjedhja e Friedrich-ut në vitin 1816 në Akademinë e Dresdenit rezultoi në një pagë të qendrueshme. Diçka e tillë mundësoi martesën e tij në vitin 1818, në moshën 44 vjeçare, me Caroline Bommer-in, me të cilën ai pati tre fëmijë; dy vajza dhe një djalë. Pavarësisht reputacionit të tij si nje figurë vetmitare, i cili një herë kishte thënë: “Që të mos t’i urrej njerëzit, duhet që të shmang shoqërinë e tyre,” martesa pati një impakt të menjëhershëm në karrierën e tij. Ai filloi ta paraqiste gruan e tij në disa nga pikturat, duke e transformuar motivin e tij të mirëpërcaktuar të një figure të vetmuar, të zhytur në peizazhin që në fakt paraqiste një çift.

Friedrich-u tërhoqi vëmendjen dhe patronazhin e figurave të rëndësishme ndërkombëtare. Vlerësimi që ai mori kur “Murgu në Det” (1808-10) dhe “Abacia në një Pyll Lisi” (1809-10) u ekspozuan në Akademinë e Berlinit, e futën atë në rrugën e Princit Friedrich Wilhelm Ludwig të Prusisë, i cili bleu dy piktura. Familja sunduese do të vazhdonte mbështetjen për artisitin deri kur këndvështrimet e tij liberale bënë që ai të mos e gëzonte më këtë favor. Arti i tij u mirëprit gjithashtu në Rusi, kur Cari Nicholas bleu disa nga veprat për oborrin e tij. Në vitin 1830, Princi Alexander i Rusisë e pagoi artistin që të bënte një seri me piktura transparente (tani të humbura), të cilat do të ekspozoheshin të ndriçuara nga pas në një dhomë të errët, të kombinuara me muzikë.

Ndjeshmëritë romantike të Friedrich-ut gjetën një shpirt të fisshëm tek poeti i famshëm gjerman, Johann Wolfgang von Goethe, shkrimet e të cilit janë epitoma të përsëritjes letrare të lëvizjes (Goethe në fakt ishte shumë më i madh në moshë se Friedrich-u dhe ishte një yll në kohën kur ata u takuan). Megjithatë, vepra sistematike e Goethe-s me teroinë e ngjyrave sugjeron një përqasje më objektive dhe metodologjike ndaj arteve pamore. Goethe sugjeron se Friedrich-u duhet t’i pikturojë retë si një mënyrë për të dokumentuar llojet e tyre të ndryshme; Friedrich-u nuk ishte dakord, duke ndjerë se studime të tilla nuk ishin në një linjë me idealet romantike të hyjnisë së natyrës dhe kështu do të ishin vetëm një ushtrim shkencor.

Periudha e Vonë

Humbjet e përjetuara nga Friedrich-u herët në jetën e tij, jehuan sërish më vonë. Vrasja e mikut të tij në vitin 1820, artistit Gerhard von Kügelgen, shkaktoi një depresion të rëndë, gjatë së cilës ai u kthye tek mësimdhënia si një mënyrë ngushëllimi dhe rehatie. Gjatë kësaj dekade, karriera e tij pësoi një rritje të interesit drejt Realizmit dhe Natyralizmit në artin gjerman; besnikëria e Friedrich-ut ndaj peizazheve romantike doli nga moda. Kjo kontribuoi që atij t’i mohohej pozicioni i kryetarit të pikturës së peizazhit në Akademinë e Dresdenit në vitin 1824. Shumë shpejt pas kësaj ai u sëmur dhe i munguan forcat për të pikturuar në vaj deri në vitin 1826.

Deri në vitin 1830, figura tashmë vetmitare ishte shkëputur më tej nga jeta publike. Ai u bë tejet melankolik dhe dyshues për miqtë dhe bashkëshorten e tij, për të cilën gabimisht ai besoi se nuk ishte treguar besnike. Duke zgjedhur që të qëndronte në privatësinë e studios së tij dhe duke argëtuar vetëm miqtë e familjen e tij më të ngushtë, disa studiues i kanë interpretuar veprat e tij të mëvonshme si meditime të zymta mbi vdekjen dhe kohën që kalon. Megjithatë, këto vite të fundit të jetës së tij ishin produktive duke parë krijimin e veprave të rëndësishme, të tilla si: “Fazat e Jetës” (1835).

Më 26 qershor 1835, Friedrich-u pësoi një goditje në tru që e la pjesërisht të paralizuar dhe që e bëri ta kufzonte sërish produktin e tij artistik në vizatime. Përpara vdekjes së tij, në maj të vitit 1840, ai pësoi një goditje të dytë dhe përfundoi në varfëri.

Trashëgimia

Si pjesë e një vale të dytë të Romantikëve Gjermanë, Friedrich-u shkoi përtej ideve të simbolizmit të përqafuara nga Jezuitët, për të krijuar më tepër një gjuhë të re e të rrallë të evokimit sesa të ilustrimit. Përkushtimi i tij ndaj pikturës së peizazhit si një alternativë ndaj pikturave tradicionale fetare apo të historisë, inkurajuan bashkëkohësit e tij që ta njihnin këtë zhanër.

Kjo ngritje e formatit të peizazhit pati impakt kombëtar dhe ndërkombëtar. Shumë artistë amerikanë studiuan në Dresden, Gjermani, gjatë shekullit të 19-të dhe mësuan nga shembulli i Friedrich-ut. Në veçanti, artistët e Shkollës së Hudson-it, në mënyrë të ngjashme krijuan peizazhe mbreslënëse të lidhura me rëndësinë shpirtërore dhe politike.

Përdorimi sugjerues i simboleve nga ana e Friedrich-ut, për të nënkptuar kuptime më të thella, ishte gjithashtu një shembull i rëndësishëm tek simbolistët e shekullit të 19-të dhe surrealistët e shekullit të 20-të, të cilët gjithashtu përaqafuan krijimet e tij hënore poetike. Për më tepër, minimalizmi i tij dhe fushat e gjera të ngjyrës ishin themelet e Ekspresionizmit Abstrakt dhe të Pikturës me Fushat me Ngjyra. Kjo është konfirmuar në artikullin e vitin 1961, ku kritiku i artit Robert Rosenblum, bëri lidhjen direkte ndërmjet lëvizjes në atë kohë në zhvillim të Pikturës me Fusha Ngjyrash në Amerikë, me “Murgun në Det” (1808-10) të Friedrich-ut.

Në Gjermani, Friedrich-u u konsiderua si luftëtari kuintesenscial, shpirti krijues triumfues; deri në atë pikë saqë thuhet se Niçja ka pasur atë në mëndje si arketipin e njeriut që mbushi teoritë e tij filozofike për një ekzistencë të apasionuar produktive. Më famëkeqja, edhe Hitleri i përdori krijimet e artistit si provë e superioritetit gjerman ndaj racave të tjera.

Vitet e fundit, vepra e rehabilituar e Friedrich-ut nga abuzimi që iu bë nga propagandistët nazistë, ka ndikuar gjeneratat e reja të artistëve modernë gjermanë, të tillë si Anselm Kiefer-i dhe Gerhard Richter-i. Ai ofron një shembull të trashëgimisë së fortë gjermanike, duke treguar në të njëjtën kohë evokime të qeta të mungesës dhe humbjes, tema të rëndësishme në pikturën evropiane të pasluftës.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top