BRITMA E EDVARD MUNCH-ut: Një britmë, një tingull i brengosur, një ankth gjunjëzues!

in Pikturë by

EDVARD MUNCH

Ndoshta një nga veprat më të famshme të artit modern, së bashku me Supat “Campbell” të Andy Warhol-it dhe “Guernica”-n e Pablo Picasso-s, “Britma” e Edvard Munch-ut shquhet menjëherë. Qielli me vorbulla në hije të kuqe dhe të verdha, fytyra e shfytyruar, ankthioze, në plan të parë, goja e ngrirë e hapur tejpërtej, duke shprehur vetëm atë që ne mund ta imagjinojmë si një tingull i brengosur shqetësimi. Edhe një shekull pas krijimit të saj, kjo pikturë nuk e ka humbur fuqinë e saj dhe vazhdon të rrezatojë në botën e sotme një lloj shprehjeje ankthi gjunjëzues. Një testament i famës së saj, në maj të vitit 2012, varianti i veprës në shkumës mbi karton, i vitit 1895, u shit nga Sotheby për një shumë prej 120 milionë dollarë amerikanë, duke e kthyer atë në veprën e artit më të shtrenjtë që ishte shitur ndonjëherë në ankand në atë kohë. Vepra është gjithashtu gjerësisht e famshme në kulturën popullore, nga shprehja e posterit të Kevin McCallister-it tek filmi :“I vetëm në shtëpi”, deri tek “emoji” me fytyrën si britmë😱.

Në këtë artikull, Artsper ju ndihmon ta kuptoni këtë vepër ikonike.

Kjo vepër është mbështetur në një vizion


Në thelb, “Britma” është një vepër autobiografike, e mbështetur në një vizion të Munch-ut, ndërkohë që ai kishte dalë jashtë me dy miq të tij. Ai e regjistroi këtë frymëzim që qëndron pas kësaj vepre në një shënim në ditarin e tij më 22 Janar, 1892. Ai shkruan sesi ”papritur qielli u bë gjak i kuq” dhe “qielli i përflakur u var si gjak dhe shpatë përmbi gjirin blu e të zi dhe mbi qytet”. Ai e përshkruan veten si të ngrirë dhe “duke u dridhur nga ankthi”, ndërkohë që ndiente “një britmë të madhe të pafundme që vinte nga natyra.”

Qielli shtypës me vorbulla në ngjyra të ndezura dhe peizazhi në formë kurbash  janë mishërime të vizionit që përshkruan Munch-u. Artisti portretizon një botë që është jashtë kontrollit. Figura, trupi i së cilës imiton çrregullimet e kurbëzuara të peizazhit, është ankoruar në mënyrë të vendosur tek kaosi që e rrethon. Në kontrast të zymtë janë linjat e urës, që presin tejpërtej imazhin, nga e djathta në të majtë, një krijim i bërë nga njeriu, i paprekur nga shqetësimet e mjedisit përreth. Në mënyrë të ngjashme, dy figurat në sfond, ndoshta përfaqësimet e dy miqve të Munch-ut në vertikalitetet e tyre, shfaqen në mënyrë të barabartë të paprekur nga britma që ka ndier artisti. Ndarja ndërmjet këtyre dy pjesëve të imazhit duket se hijëzon faktin që, ndoshta ky shformim në peizazh dhe figura nuk janë parë, por janë ndier (jo si diçka që shikohet, por që ndihet) siç e përshkruan edhe Munch-u në ditarin e tij. Kjo i hap rrugën interpretimit të veprës si paraqitja e një lufte, ankthi dhe hutimi të brendshëm.

Një luftë e brendshme, e paraqitur përmes artit?


Jeta e Munch-ut ishte e “martuar” me tragjedinë. Ai i humbi të dyja; nënën dhe një motër, shumë herët në jetë, i ati vuante nga depresioni, një nga motrat e tij ishte shtruar në spital për shkak të një sëmundjeje mendore dhe vëllai i tij vdiq kur ishte ende i ri. Vetë Munch-u kishte një gjendje mendore dhe fizike të brishtë dhe vuante nga alkoolizmi. Këto detaje biografike shpesh parashtrohen si shpjegimi kryesor i veprave ekspresioniste të artistit, por në ralitet mund të mos jetë kaq e thjeshtë.

Munch-u ishte artist dhe mendimtar, i cili ishte i interesuar jo vetëm mbi vetë jetën e tij, por më përgjithësisht për shoqërinë dhe botën që e rrethonte. Lëvizja simoboliste e kohës i nxiste artistët që të shikonin brenda tyre për frymëzim, diçka që Munch-u mund ta ketë kanalizuar tek veprat e tij. Për më tepër, fundi i shekulli të 19-të dëshmoi fillesat e psikiatrisë dhe të psikanalizës, si mënyrat për të kuptuar natyrën dhe përvojën njerëzore, dhe këto teori të reja shumë mirë mund ta kenë frymëzuar artistin.

Kështu, ndonëse piktura mund të shikohet si një portretizim i ndjenjave të Munch-ut, kjo nuk shpjegon gjithçka. Në fakt, depersonalizimi i figurës në plan të parë mund të jetë tregues i një dëshire për ta kthyer veprën kundrejt një audience më të përgjithshme.

Shpjegimet e tjera


Historianët e artit janë përpjekur ta shpjegojnë veprën në mënyra të tjera. Për shembull, ngjyrat e ndezura të qiellit mund të jenë frymëzuar nga perëndimet impresionuese, të cilat ndodhën në botë pas shpërthimit të një vullkani në Indonezi që çliroi pluhur vullkanik në atmosferë. Figura është lidhur gjithashtu edhe me mumjen peruviane, e cila u zbulua gjatë Panairit Botëror të Parisit në vitin 1889.

Munch-u ka krijuar katër variante të “Britmës”


Munch-u krijoi katër variante të skenës, si edhe një variant litografik në vitin 1895. Vepra e parë u përfundua në vitin 1893 dhe është realizuar në karton duke përdorur vaj, bojë tempera dhe shkumës. Dy variantet me shkumës, janë realizuar në vitet 1893 dhe 1895. Këto u pasuan më vonë nga një pikturë me bojëra tempera. Munch-u ishte i interesuar mbi mundësitë shprehëse të mediumeve të ndryshme. Përdorimi i shpeshtë nga ana e tij e të njëjtit subjekt, tregon shtrirjen që patën në veprën dhe tematikat e përdorura prej tij – jeta, vdekja dhe ankthi – dhe shqetësimi që ato përfaqësonin për artistin gjatë asaj periudhe.

Munch-u rrallë i është rikthyer sërish këtij stili shqetësues.
Pavarësisht fiksimit të Munch-ut me këtë skenë të veçantë përgjatë disa viteve, ai thuajse rrallë iu rikthye këtij stili kaq të shformuar në vepra të tjera. “Britma” është vepra më jorealiste e Munch-ut. Thellësitë e shformimit mesa duket e kanë shqetësuar artistin. Në një nga variantet në pronësi të Galerisë Kombëtare të Oslos, ai ka shkruar: “Mund të ishte pikturuar vetëm nga një i çmendur”. Edhe gjatë viteve 1883-1910, periudhë gjatë së cilës ai krijoi disa variante të veprës, Munch-u vazhdoi të pikturonte portrete të miqve dhe të familjes, si edhe peizazhe të ëmbla dhe disa pamje nga deti.

Marrë nga: REVISTA ARTSPER

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top