Author

Admin - page 92

Admin has 1814 articles published.

Mbi hajduteritë e Rtv21 në Kosovë/Përkthimet e vjedhura nga defekt teknik!

in Denonco plagjiaturën by

Arlinda Guma

Ky është një përkthimi im për defekt teknik, një intervistë e Woody Allen-it, të cilin Rtv21 në Kosovë e ka vjedhur fjalë për fjalë.

Janë vjedhur edhe presjet e përkthimit tim!

Edhe një fëmijë 5 vjeç do ta dallonte copy paste-n.

Përkthimi është publikuar në defekt teknik në datën 16 Nëntor, 2020, ndërsa plaçkitja e tij te Rtv21 është publikuar në 1 Dhjetor, 2020.

Personi që e ka postuar në faqen e Rtv21 në Kosovë është Bujar Meholli dhe personi që e publikoi në facebook është Ben Apolloni.

Këtu është përkthimi im:

Woody Allen: «Bota reale nuk më pëlqen. Është më e mirë jeta në filma.”

Këtu është përkthimi i plaçkitësve:

Allen: Nëse Zoti ekziston, duhet të përgjigjet para një gjykatësi

Kujtojnë se po i ndryshuan titullin unë nuk do t’i njoh fjalitë e mia?

Hire njerëzore-Aksinia Mihaylova

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Hire njerëzore-Aksinia Mihaylova

 

Tashmë
që gjithë ndarjet brenda nesh
u rrëzuan
me disa mure më pak
në shpirt
ne pamë të afrohej
qielli,

tashmë
që dërrasat e thyera
të shkallareve
nga ne kaluam
prej një jete tjetër
dhe që tashmë janë ndrequr,
asgjë nuk na ndan më
nga kopshtet e Zotit,

me një gjest plot hire
ai kap fluturën e bardhë
që fluturon mes nesh
dhe e shtyp ngadalë me gishta.

Mushkëritë e mia janë tepër të plakura
për të mbajtur këtë qiell
që krahët e saj ma sjellin,
thotë ai,
mos qaj,
tani e tutje ti do të jesh e paprekshme.

Nuk mund të vrasësh dy herë
të njëjtën flutur.

 

Përktheu: Luan Rama

Karvani anakronik, apo Liri dhe Demokraci-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Karvani anakronik, apo Liri dhe Demokraci-Bertolt Brecht

 

Në Gjermani erdh pranvera.

Mbi rrënoja seç fryn era

Dhe mështeknat çelin fletë

Sytha t’gjelbër lajmërojnë jetë

 

Që prej luginave në jug

Shumë votues dalin në rrugë

Bashkohen në hap solemn me shokë

Dy pankarta përmbi kokë

 

Prej dërrasash vjetëruar

Dalëboje parrulla e shkruar

Me mesazhin plot lavdi

Liri dhe Demokraci.

 

Në çdo kishë këmbanat ranë duke qarë.

Vejusha ushtarësh, gra pilotësh të vrarë

Jetimë, të plagosur, gjymtuar, dhunuar

Shihnin gojëhapur kush qe duke marshuar.

 

Shurdhët qorrave u tregonin

Cilët qenë që po marshonin

Pas slloganit si ai

Liri dhe Demokraci.

 

Në krye të marshit një idiot

Brohoriste me zë të plotë

“Allons, enfants, God save the King

Dhe dollarin, tring tring tring”

 

Në rresht të dytë, goxha punë

Qenë dy murgj, mbështjellë me zhgun

Por poshtë rrobave në sy bie

Një shkëlqim çizmesh ushtrie.

 

Kryq më të gjerë kanë në flamur

Se svastika që ish dikur

Kryqi i thyer u vjetërua

U la pas e u harrua.

 

Nën flamur marshon një frat

Ardhë prej Romës ky i ngratë

Ku kish lënë të Shenjtin Atë

Me sy nga Lindja, plot inat.

 

Pas tij vjen një turmë me burra

Brohorasin urra-urra

Për Natën e Thikave t’Gjata

Rroftë liria, rroftë nata.

 

Pas tyre ecin drejtorë trustesh

Pa fytyrë, por padronë lufte

Luten për armë e për industri

Liri dhe Demokraci.

 

Si një gjel por puplarrjepur

Pangjermani marshon paepur

Dhe kërkon e s’i vjen plasje

Liri Fjale (Fjala është “Vrasje”).

 

Vazhdon marshimi me mësuesit

Servilët, trukorruptuesit

Duan të drejtën për të edukuar

Kasapë të rinj për të luftuar.

 

Pastaj ecin mjekë e doktorë

Rob të Hitlerit, çnjerëzorë

Që kërkojnë të lejohet

I kuqi të viviseksionohet.

 

Tre shkencëtarë hijerëndë pro-nazi

Të famshëm se shpikën dhoma gazi

Kërkojnë që të ketë dhe për kimi

Nga pak Liri e Demokraci.

 

Vijnë ekspertët e urryer

Dikur miq të kryqit të thyer

Prej këtyre pleshtave Shteti i Ri

Drejtohet në hierarki.

 

Më pastaj vijnë ish-redaktorët

E ish-gazetës Sturmer të gjorët

Që të gjithë protesojnë

Liri Shtypi po kërkojnë.

 

Taksapaguesit e ndershëm marshojnë butë-butë

Dikur qenë të famshëm se thernin çifutë

Por sot protestojnë, kërkojnë garanci

Pa kushte për çdo minoritet të ri.

 

Deputetët radhën kanë

Që në kohë të Hitlerit, ishin Arjanë

E tani shiten si juristë

E meriton lirinë ky talent i pistë!

 

Kur njeriu i tregut të zi

U pyet ç’do në marsh ai

U përgjigj pa mendjevrarje:

“Dua liri për sipërmarrje”.

 

Dhe gjyqtari (ja dhe tjetra)

Se ku i gjen ca ligje të vjetra

I hitlerizuar fund e majë

Njerëzit si vetja i shpall pa faj.

 

Poetë, piktorë, muzikantë plot etje

Kërkojnë fonde, pozita e mbështetje

Këta shpirtra fisnikë sot betohen

Se për Fuhrerin më as që kujtohen.

 

Nëpër rrugë ndihet një lehje e zgjatur

Esesi i djeshëm sot paguhet për të rrahur

Liria ka nevojë dhe për njerëz si ai

Pra Liri dhe Demokraci.

 

Edhe gratë naziste që marshojnë në krah

Me fundet e shkurtra, ngritur në hava

Sot me cica e shalë dhe këto qyqare

Marrin prej aleatëve kafe e cigare.

 

Gra prej Kraft durch Freude, spiunë e racistë

Hetues të Gestapos e të policisë

Spekullantë financiaristë

Çlirimtarë irredentistë

 

Aleatë zgjedhjesh e fushatash

Gjak e baltë, mbi lagje e fshatra

Gromësimë qelbur në raki

Liri dhe Demokraci!

 

Gjersa krejt të kutërbuar

Në Mynih marshimin e kanë përfunduar

Qyteti që nazizmin polli

Aty Gjermania vdekjen e vet ndolli.

 

E mjeruar, e çoroditur

Rri borgjezia e habitur

Mbi gërmadha që dikur qenë shtëpi

Sot pa ushqim e pa qartësi.

 

Parada erëkeqe ndalet

Te Braunhausi që të falet

Mes rrënojash, mes gërdie

Në heshtje dalin nja gjashtë hije

 

Të gjithë pushojnë çdo pipëtimë

Të nderojnë këtë takim

Dhe gjashtë hije në gjashtë qerre

I bashkohen paradës tmerre.

 

Në gjashtë qerre këta gjashtë anëtarë

Të partisë që qe më parë

Marshojnë e turma brohoret

Kjo është Liri e Demokraci e vërtetë.

 

Një kamzhik në dorën eshtake

E para është SHTYPJA dredharake

Mbi një autoblind të ri

Dhuruar nga jona industri.

 

Mbi një tank të vjetëruar

Marshon MURTAJA e mallkuar.

Që të mbulojë frymën erërëndë

Mbulon gojën me pëllëmbë.

 

Mbas saj ecën vetë MASHTRIMI

Me birrë në dorë, për hir të marshimit

Mbush gratis çdo gotë me pije

Por me kusht, t’ia falësh fëmijët.

 

Pas tij vjen ajo plaka e rrudhët

Që nuk lodhet, prapë merr udhët

IDIOTËSIA vjen në skenë

Dhe MASHTRIMIN me sy gjen.

 

Me ngadalë si në një dramë

Qaset VDEKJA pa rropamë

Me zë të lehtë nanuris

Ëndrra t’ëmbla të lirisë.

 

Dridhur prej krizës së fundit

HAJDUTËRIA zgjohet gjumit

Prej feldmarshalli kapën e kokës

Nën krah mban një glob të Tokës.

 

Të gjashtë këta hijerëndë

Kryelartë, gishtin në këmbëz

Medoemos kërkojnë tani

Të ketë Liri e Demokraci.

 

Një qivur i madh nga pas iu shkon

Gjashtë shtazëve që marshojnë

Në të cilin kush e di

Se ç’milet mbyllur po rri.

 

Era fryn për ta muzikë

Muzikë morti, plot me frikë

Në marsh vijnë dhe qeraxhinjtë

E dikurshëm, por dhe minjtë

 

Lënë rrënojat e masivisht

I bashkohen paradës në bisht

Duke ikur thërrasin “Liri!”

“Liri dhe Demokraci!”

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Gjeniu Italian që përzjeu Marksizmin dhe Letërsinë për Fëmijë/Joan Acocella

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Në një përrallë të mëvonshme, një astronaut rus raporton se në Planetin X213, njerëzit që nuk duan të ngrihen herët në mëngjes thjesht kapin alarmin e zgjimit, e hanë dhe kthehen sërish të flenë. Një planet tjetër, i quajtur Mun”, ka një makineri që prodhon gënjeshtra.

    Shkruar nga: Joan Acocella

   Përktheu: Arlinda Guma

“Përralla Telefonike”, një përmbledhje tregimesh e shkrimtarit italian për fëmijë, Gianni Rodari (1920-80), përmban një pjesë të titulluar: “Lufta e Këmbanave “, e cila fillon kështu: “Na ishte njëherë një luftë – një luftë e madhe dhe e tmerrshme – në të cilën vdiqën një numër i madh ushtarësh nga të dy palët. Ne ishim në njërën anë dhe armiqtë tanë ishin në anën tjetër, dhe qëllonim njëri-tjetrin natë e ditë, por lufta vazhdoi aq shumë saqë më në fund nuk kishte më bronz për të bërë topa.” Kjo nuk e ndaloi gjeneralin “tonë”. Ai e urdhëroi ushtrinë të shkrinte të gjitha këmbanat e kishës në vend dhe t’i rimodelonte së bashku për të ndërtuar një top.
Vetëm një, por mjaft të madh, sa për ta fituar të gjithë luftën me një goditje të vetme.
U deshën njëqind mijë vinça për ta ngritur atë top; u deshën nëntëdhjetë e shtatë trena për ta transportuar në front. Gjenerali Mega fërkoi duart me kënaqësi dhe tha: “Kur topi im të buçasë, armiqtë tanë do të përfundojnë në hënë”.
Çasti i madh mbërriti. Supertopi i ishte drejtuar armikut. Ne të gjithë kishim mbushur veshët me pambuk… Një artilier shtypi një buton. Papritmas, nga një skaj i frontit në tjetrin erdhi tingulli gjigand i këmbanave: Ding! Dong! Bong! Ne e hoqëm pambukun nga veshët për ta dëgjuar më qartë.
Po, ishte e vërtetë. Asnjë shpërthim topi, vetëm kumbime. Gjenerali kundërshtar, i cili kishte ndjekur të njëjtën strategji, mori të njëjtin rezultat. Pas kësaj të dy komandantët, mjaft të zënë ngushtë, hipën në xhipat e tyre dhe u larguan. Ushtarët, të lënë pa asnjë mjet për të vrarë njëri-tjetrin, u zvarritën nga llogoret dhe u përqafuan. “Shpërtheu paqja!”, qanin ata.
Në Itali, të gjithë e dinë kush ishte Gianni Rodari: një nga shkrimtarët më të dashur të vendit të librave për fëmijë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të vërtetë askush nuk e njeh emrin e tij. Nga të tridhjetë librat e tij, asnjë nuk u botua këtu gjatë kohës që ai jetoi. Disa prej tyre dolën në Angli dhe ju ende mund të merrni një kopje të njërit prej këtyre përkthimeve, nëse, për shembull, jeni të gatshëm të lini peng shtëpinë. Njëherë, u përpoqa të blija: “Përralla të Treguara nga një Makineri”, botim i vitit 1976. Amazon kishte një kopje që kushtonte nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë dollarë, plus shpenzimet e transportit. Ky është krim ndaj artit.
Gjërat mund të ndryshojnë sidoqoftë. Për nder të njëqindvjetorit të lindjes së Rodari-t, këtë vit, një shtëpi botuese e vogël, me iniciativë, në Bruklin: “Enchanted Lion”, ka sjellë botimin e parë të plotë në gjuhën angleze të: “Përrallave Telefonike”, në një përkthim të gjallë të Antony Shugaar-it. Tashmë, megjithëse dekada me vonesë, lexuesit anglofonë mund të zbulojnë pse italianët e duan këtë shkrimtar.
Gianni (Giovanni) Rodari lindi në vitin 1920, në Omegna, një qytet i vogël, i qetë, buzë liqenit Orta, në Italinë Veriore. Babai i tij ishte furrtar. Gianni e donte babanë e tij. Çdo ditë, thoshte ai, burri bënte një duzinë rrotullash me miell të bardhë për të dhe vëllain e tij të vogël.” Ato rrotulla ishin shumë të ngrohta dhe ne i gllabëronim si grykësa”, kujton ai. Një kujtim tjetër që ai ndërmend për babanë e tij ishte se një natë, gjatë një stuhie shiu, familja pa nga dritarja një mace që hidhej midis dy pellgjeve të mëdhenj, pa patur mundësi të ecte para apo mbrapa. Babai doli jashtë, në stuhi dhe e çoi macen në vend të sigurt. Kur u kthye, ai ishte lagur. Rodari e kujton duke u dridhur, me shpinë të kthyer nga stufa e madhe, duke u përpjekur të ngrohej.
Shtatë ditë më vonë ai vdiq nga pneumonia. Gianni ishte nëntë vjeç. Nëna e tij e zhvendosi familjen përsëri në qytetin e saj të lindjes, Gavirate, afër Milanos. Ashtu siç Vanessa Roghi rrëfen në biografinë e saj të re për Rodari-n – “Lezioni di Fantastica“, (Mësime të Fantastikës”, e papërkthyer ende – Gianni, në adoleshencën e tij, ëndërronte të shkonte diku tjetër, për të bërë diçka interesante. Ndoshta muzikë? Ai kishte studiuar violinë dhe luante në dasma e gjëra të tilla.) Por familjes i duheshin pará, dhe kështu ai shkoi të punonte si mësues në shkollat ​​fillore lokale. Ai zbuloi se ishte i mirë në krijimin e tregimeve për fëmijë, jo dhe aq ngaqë e dëshiroja, tha ai, por si një mënyrë për t’i bërë nxënësit e tij të uleshin dhe t’i kushtonin vëmendje. Në kohën e lirë, ai lexonte, i etur, veçanërisht libra për filozofinë dhe politikën. Në vitin 1940, Italia hyri në Luftën e Dytë Botërore. Rodari, i cili kishte shëndet delikat gjithë jetën e tij, u përjashtua nga shërbimi ushtarak për arsye mjekësore. Në fund të luftës, pasi dy nga miqtë e tij kishin vdekur në front dhe vëllai i tij Cesare, ai me të cilin kishte ndarë rrotullat e bukës, ishte internuar në një kamp përqendrimi gjerman, Rodari u bashkua me Rezistencën dhe u regjistrua në Partinë Komuniste Italiane.
Pas luftës, Partia ra në kontakt me të. A dëshironte të bënte disa shkrime për gazetat e saj? Në vitet e ardhshme, Rodari prodhoi shkrime – për sportet, krimin, artet, gjithçka – për gazetat komuniste, njëra prej të cilave: “L’Unità“, më në fund i kërkoi atij që të shkruante disa pjesë për fëmijë. Në vitin 1950, Partia e transferoi në Romë, për të redaktuar gazetën e përjavshme të fëmijëve. Dhe tashmë ai filloi të botonte libra, jo vetëm thjesht tregime.


Konteksti komunist i shkrimit të tij është i qartë në librin që e bëri shpejt shkrimtar me emër: “Aventurat e Çipollinos” (1951), në të cilin një djalë i vogël-qepë, Çipollino (që do të thotë “qepë e vogël” në italisht), udhëheq një kryengritje të perimeve të zemëruara të kopshtit – Patate, presh, rrepka, etj. – kundër tiranisë së Princit Limon dhe ordinancës të tij brutale, Zotit Domate. Duke patur parasysh Luftën e Ftohtë, nuk është për t’u habitur që ky libër nuk u shfaq në anglisht ( “Enchanted Lion’ shpreson të botojë një përkthim në vitin 2022), ose, e kundërta, që Rodari fitoi një ndjekje të madhe në Bashkimin Sovjetik, ku “Çipollino” u adaptua në një film të animuar dhe madje edhe me një balet. Fytyra e ëmbël dhe e butë e heroit të tij zbukuroi një pullë postare ruse dhe kur astronomi sovjetik Nikolai Chernykh zbuloi një planet të ri të vogël, midis Marsit dhe Jupiterit, ai e quajti atë “Rodari 2703”.
Gradualisht, reputacioni i Rodari-t u përhap përtej qarqeve të majta dhe ai fitoi disa miq letrarë. Italo Calvino, kultivues i të njëjtave fusha (tregimeve popullore, përrallave të reja), e admiroi dhe u rrëmbye prej veprës së tij. Por, si shumë autodidaktë, Rodari ishte i kujdesshëm ndaj turmës, kështu ai shoqërohej kryesisht me gazetarët. Në vitin 1960, pasi u mor nga Giulio Einaudi, një botues pa lidhje politike dhe shumë i respektuar (ai botoi Primo Levi-n, Cesare Pavese-n, Natalia Ginzburg-un, Calvino-n), Rodari filloi të tërhiqte audiencë. Përfundimisht, ai mori Çmimin Hans Christian Andersen për Shkrimin, një lloj ekuivalenti të Booker Prize-t të letërsisë për fëmijë.
“Përralla Telefonike” i përket kësaj periudhë. Libri ka një histori ikonike. Dikur, ishte një njeri, Signor Bianchi, i cili punonte si shitës udhëtues i mallrave farmaceutikë, një punë që e mbante në rrugë gjashtë ditë në javë. Ai kishte një fëmijë, një vajzë (ashtu si Rodari, i cili u martua në vitin 1953), dhe asaj i mungonte kur ai ishte larg. Por ata kishin një marrëveshje. Çdo natë, para se ajo të flinte, ai i telefononte dhe i tregonte një histori. Telefonatat në distanca të gjata ishin të shtrenjta, kështu që përrallat ishin gjithmonë e më të shkurtra, por ato ishin të mrekullueshme. Kur Signor Bianchi ishte në linjë, Rodari shkroi: të gjitha vajzat që punonin në panelin telefonik, thjesht ndalonin së kryeri thirrje telefonike, në mënyrë që të mund t’i dëgjonin rrëfenjat.”
Gjashtëdhjetë e shtatë përrallat në përmbledhje na tregojnë se nga erdhi Rodari dhe se ku shkonte. Disa janë indoktrinim i sinqertë. Rodari kishte kaluar njëzet e tre vjet të jetës së tij nën regjimin fashist dhe, siç ka theksuar përkthyesi i librit, Antony Shugaar, tema e një numri rrëfenjash është thjesht sesi të mos jesh fashist. Ja çfarë thonë ato: Mos vritni njëri-tjetrin dhe mos dëgjoni bullistët që ju thonë të veproni kështu. Por në përralla të tjera mund ta dallojmë indoktrinimin që shndërrohet në diçka më të çuditshme. Te “Gjuetari i pafat”, djalit Giuseppe, motra e të cilit do të martohet të nesërmen, i ka thënë e ëma që të shkojë për gjueti dhe të sjellë një lepur për të shoqëruar polentën në banketin e dasmës. Ai shkon dhe shpejt ndesh një lepur. Por, kur ai gjuan me pushkë, ajo që nxjerr nga arma nuk është plumb, por një “zë i vogël, i gëzuar, i njomë”, që thotë,:”Bum!”, Pothuajse sikur po e tall. Dhe pastaj, “i njëjti lepur si më parë, shëtit, pikërisht përpara Giuseppe-s, vetëm se këtë herë ai ka një vello të bardhë në kokë, të mbushur me lule portokalli”. “‘Epo, ku ta dish”,  thotë Giuseppe. ‘Edhe lepuri po martohet.’ ”Kjo është si një pikturë surrealiste, gjysmë qesharake, gjysmë turbulluese. Një nuse-lepur, një armë që flet: – Çfarë po ndodh?
Një pjesë e asaj që e bën këtë rrëfim vërtet të çuditshëm është se, ndryshe nga kumbimet te “Lufta e Këmbanave”, e cila përdor të njëjtën pajisje komike, tingulli i papritur është njerëzor. Ky lloj transferimi, nga një mënyrë shprehjeje në tjetrën, fillon të bëhet i zakonshëm në përrallat e Rodari-t. Tek «Një fëmijë i shpërqendruar del për një shëtitje», fëmija në fjalë, Giovanni, duke bërë një shëtitje, humbet pjesët e trupit gjatë rrugës. Ai shikon këtë dhe atë – makinat, retë – dhe, ups, i bie dora. Pastaj ai tërhiqet nga një qen që çalon dhe ndërsa ndjek kafshën, një nga krahët i shkëputet dhe zhduket. Kur kthehet në shtëpi, atij i mungojnë të dy krahët, të dy veshët dhe një këmbë. “Nëna e tij tund kokën dhe ia bashkon pjesët përsëri.” (Fqinjët zgjuarsisht i kanë mbledhur pjesët e trupit të Giovanni-t dhe ia kanë sjellë.) Ajo e puth të birin. A mungon ndonjë gjë, mama? A kam qenë djalë i mirë? ’‘ Po, Giovanni, ti ke qenë një djalë shumë i mirë.” Kjo është diçka e ëmbël, por edhe tronditëse. Kur largohemi nga shtëpia, lexuesit e vegjël mund të pyesin, a duhet të bëjmë kujdes që të mos na bien këmbët?
Që nga çasti kur filloi të jepte mësim, Rodari nuk pushoi kurrë së menduari për edukimin e fëmijëve. Ai shkroi për ta, mbajti leksione për ta, dha intervista për ta, deri në fund të jetës. Në vitin 1972, për kënaqësinë e madhe; ai u ftua të bisedojë për katër ditë me një grup prej pesëdhjetë mësuesish në qytetin e Reggio Emilia-s, një vend i spikatur i lëvizjes së fuqishme të arsimit të hershëm të Italisë së pasluftës. Vitin pasues, ai botoi një libër: “Gramatika e Fantazisë”, bazuar në bisedat që kishte mbajtur atje. Këtu janë fragmentet e fillimit të Kapitullit 1, përkthyer nga studiuesi i përrallave: Jack Zipes.
Një gur i hedhur në një pellg vë në lëvizje valë koncentrike që përhapen në sipërfaqen e ujit dhe reagimi i tyre ka një efekt mbi zambakët e ujit dhe kallamishtet, anijen prej letre dhe vozat e peshkatarëve në distanca të ndryshme. Të gjithë këto objekte janë atje thjesht për veten e tyre, duke shijuar qetësinë kur zgjohen dhe vijnë në jetë si të thuash, e detyrohen të reagojnë dhe të hyjnë në kontakt me njëri-tjetrin. Vibrime të tjera të padukshme përhapen në thellësi, në të gjithë drejtimet, ndërsa guri bie dhe prek algat, duke trembur peshqit dhe duke shkaktuar vazhdimisht lëvizje të reja molekulare. Kur prek fundin, troshit baltën dhe përplaset në gjëra që kanë mbetur atje të harruara, disa prej të cilave janë zhvendosur, të tjerat janë varrosur edhe një herë në rërë.
Sa e dua këtë imazh, me transaksionet e tij të errëta, të lagështa, të fshehta, baltën dhe molekulat e saj. Kjo është metafora e Rodari-t për njohjen. Sipas këndvështrimit të tij, fëmijët mësonin, jo duke rrasur diçka në tru – tabelat e shumëzimit, sonetet e Petrarkut – por duke iu përgjigjur, pothuajse në mënyrë të pavullnetshme, një pamjeje, një ideje ose shpesh vetëm një fjale, duke e përthithur atë, duke lëvizur përmbajtjen trunore përreth për t’i bërë vend, dhe duke krijuar kështu diçka të re.
Duket se nuk ka dyshim që shqetësimi i Rodari-t për arsimin lidhej me varfërinë e rinisë së tij. Si person modest, ai nuk foli për vështirësitë e tij, por për njerëzit e tjerë – për nënën e tij për shembull. Ajo filloi të punonte në moshën tetë vjeç, shkroi ai, së pari në një fabrikë letre, pastaj në një me punime tekstili, më pas si shtëpiake. Kur ai filloi të jepte mësim, edhe nxënësit e tij ishin të varfër. Në dimër, disa nuk mund të vinin në shkollë, sepse nuk kishin këpucë.
Shumë prej tyre flisnin edhe një italishte jostandarde dhe ai shqetësohej se mos njerëzit i bënin ata fëmijë të ndiheshin në siklet. Përveç mundësisë së nxënësve të tij për të shkuar në shkollë, ajo që e shqetësonte më shumë Rodar-in ishte zhvillimi i imagjinatës së tyre. Ai tha se një varg i Novalis-it, të cilin e lexoi kur ishte i ri, i rrinte gjithmonë në mendje: “Nëse do të kishte një teori të fantastikës, siç ka në rastin e logjikës, atëherë ne do të ishim në gjendje të zbulonim artin e shpikjes së rrëfenjave.” Këtë ai e lidhi me artin fantazist të kohës së tij, mbi të gjitha me Surrealizmin. Surrealizmi është krijimi i shumë ideve, por më e rëndësishmja për Rodari-n, me sa duket, ishte çiftimi i të kundërtave – veçanërisht bashkimi i një bote ëndrrash në një realizëm të përpiktë. Një lëvizje e guximshme, Surrealizmi zgjati nga vitet nëntëmbëdhjetë-njëzet, deri pas Luftës së Dytë Botërore, sepse u përshtatej atyre viteve të egra dhe katastrofike. Një “locus classicus” është filmi përparimtar i Vittorio De Sica-s, “Mrekulli në Milano” (i vitit 1951), i cili përfundon me një grumbullim të njerëzve të pastrehë, të cilët sapo kanë parë qytetin e tyre të rrënuar nga autoritetet, duke u ngritur, mbi brokulla, në qiell. Italia, pas luftës, ishte shumë, shumë e varfër. Filmat e tjerë të hershëm të De Sica-s – “Shoeshine“, “Hajdutët e Biçikletave”, “Umberto D.” – japin një kuptim të kësaj, ashtu siç bën Rossellini tek “Paisan” dhe “Roma, Open City”.
Edhe vendi u poshtërua. Shumë artistë italianë ishin të kënaqur që lëvizën në një territor të ri. Surrealizmi siguroi një pamje të së vërtetës me të cilën ata përballen tashmë – shëmtinë, dhunën, rrënimin – kombinuar megjithatë me kujtesën e një të shkuare më të lumtur: pemë, orë xhepi, sheshe të qytetit, gra të bukura.
Shumë nga surrealistët e hershëm ishin marksistë të përkushtuar. Tek “Gramatika e Fantazisë”, Rodari shkruan për një ditë që ai kaloi duke pirë verë me miqtë në një fshat jashtë Kazan-it, afër Vollgës. Grupi vizitoi një pikë kufitare lokale, një shtëpi prej druri mobiljet e së cilës, vuri re ai, ishin rregulluar në mënyrë që ngjallnin kureshti. Stola të fortë ishin vendosur poshtë parvazeve të dritareve, në mënyrë që fëmijët e pronarëve të dikurshëm, të cilëve u pëlqente të hynin e të dilnin më tepër nga dritaret sesa nga dera, ta bënin këtë gjë pa thyer qafën. Ky, më vonë ndërmendi Rodari, ishte një mësim i komunizmit. Siç u mësua, shtëpia kishte qenë dikur pronë e gjyshit të Leninit. Pavarësisht nëse Lenini e adaptoi apo jo filozofinë e tij politike prej rregullimit të mobiljeve të gjyshërve të tij, Rodari mësoi mendimin kritik nga doktrina marksiste. Për çfarëdo lloj gjëje që të shkruajë, ai i nënshtrohet pyetjes, vëzhgimit, një rrezatimi të butë ironie ose thjesht zgjuarsie. (Rodari e trashëgoi këtë qasje pjesërisht, tha ai, nga kritikët formalistë rusë të fillimit të shekullit XX, si Viktor Shklovsky, i cili e quajti atë ostranenie.) Njerëzit në perëndim priren ta lidhin marksizmin me kontrollin e mendimit. Është e vështirë t’i bindësh ata se në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, marksizmi u konsiderua nga pasuesit e tij si bartësi standard i çlirimit të mendimit.
Në përputhje me shqetësimin e Rodari-t për imagjinatën e fëmijëve, disa histori tek “Përralla Telefonike”, si guri në pellg te “Gramatika e Fantazisë”, udhëtojnë në mbretëri të largëta të çuditshmërisë. Dy prej tyre shfaqin një vajzë të vogël me emrin Alice Tumbledown. Alice bie vazhdimisht në vendet ku nuk do të mendonim të kërkonim një fëmijë të humbur. Vendi i saj i preferuar i qëndrimit është sirtari i argjendtë në kuzhinë. Ajo pëlqen atje, në pjesën e lugëve. Një herë, gjyshi i saj e gjen brenda një ore me zile. Më vonë, ai duhet ta peshkojë nga një shishe. “Unë kisha etje dhe rashë brenda”, shpjegon ajo. Diku tjetër, Alice endet në oqean. Ajo do të donte të bëhej një yll deti, mendon.
Por në vend të kësaj ajo bie në guaskën e një molusku gjigant pikërisht atëherë kur ai po gogësin dhe ai menjëherë këput valvulat, duke e burgosur Alice-n dhe të gjitha ëndrrat e saj. Ja ku jam, përsëri në telashe, mendoi Alice. Por ajo ndjen: – Çfarë heshtjeje – çfarë paqeje fantastike – kishte brenda moluskut gjigand. Do të kishte qenë e mrekullueshme të qëndronte atje përgjithmonë.
Kush do të dëshironte të jetonte brenda një gocë deti, në atë lëng të athët e të ftohtë, pranë asaj pikës rozë të një molusku? Alice. Por pastaj ajo mendon për prindërit e saj, sesa e duan ata dhe sesa do t’i marrë malli për të. Me keqardhje ajo e hap lëvozhgën, noton jashtë dhe shkon në shtëpi. Nuk njoh ndonjë shkrimtar para Rodari-t, i cili do ta kishte eksploruar një përvojë të tillë.
Ka edhe më keq ose më mirë. Në përrallën e titulluar: “Arratisja e Pulçinelës”, një marionetë, Pulçinela, arrin të presë telat që e bashkojnë me qendrën e kontrollit. Ajo arratiset nga teatri i kukullave dhe fshihet në një kopsht aty pranë, ku mbijeton duke ngrënë lule. Kur vjen dimri, nuk ka më lule, por ajo nuk ka frikë. “Oh, mirë,” thotë ajo, “unë thjesht do të vdes këtu”. Dhe e bën. Në pranverë, një karafil rritet në vendin ku shtrihet trupi i saj. Nën tokë, ajo thotë me vete: “Kush mund të jetë më i lumtur se unë?” Këtu, dhe tek “Alice që ra në det”, dy realitete ulen pranë njëri-tjetrit, mjaft të befasuar, por jo të bezdisur, që shohin njëri-tjetrin. Po, do të ishte mjaft errët dhe mjaft vetmueshëm nën tokë apo brenda një gocë deti. Por sa gjë e paqtë!
Në përputhje me simpatitë e tij të majta, ekziston një fije e mbushur me utopizëm në veprën e Rodari-t. “Kur janë të vegjël, fëmijët duhet të pajisen me optimizëm,” shkroi ai, “për sfidën e jetës”. Në një tregim, bajamet bien si shi nga një re në qiell. Në një përrallë të mëvonshme, një astronaut rus raporton se në Planetin X213, njerëzit që nuk duan të ngrihen në mëngjes herët thjesht kapin alarmin e zgjimit, e hanë dhe kthehen sërish të flenë. Një planet tjetër, i quajtur “Mun”, ka një makineri që prodhon gënjeshtra:
Për një monedhë, mund të dëgjosh katërmbëdhjetë mijë gënjeshtra. Makineria përmban të gjitha gënjeshtrat në botë – gënjeshtrat që tashmë ishin thënë, gënjeshtrat që njerëzit mendonin pikërisht në atë çast dhe të gjitha të tjerat që do të shpikeshin në të ardhmen. Sapo makineria të kishte recituar të gjitha gënjeshtrat e mundshme, njerëzit detyroheshin të thoshin gjithmonë të vërtetën. Kjo është arsyeja pse planeti “Mun” është i njohur edhe si Planeti i së Vërtetës.
Por gjithmonë ka një pengesë. Edhe një fëmijë i vogël mund t’ju thotë se “Mun” nuk është një emër i mirë për një planet dhe as nuk duhet të përpiqet të hajë një orë me zile. Për sa i përket shiut të bajameve, Rodari thotë se njerëzit gjithmonë prisnin që të kthehej, por nuk ndodhi kurrë. Humori nuk është aq i marrë sa te Edward Lear-i, dhe jo aq i përpunuar sa te Lewis Carroll-i. (Rodari i donte që të dy shkrimtarët.) “Përralla Telefonike” mbart gjithashtu një sarkazëm të rëndë. Në një tregim, hunda e një burri ia mbath. (Rodari vlerëson Gogolin.) Më në fund ndiqet, sillet përsëri dhe bashkohet përsëri me fytyrën e burrit. Burri e pyet: “‘Po pse ia mbathe? Çfarë të kam bërë? ’Hunda e vështroiln me ngulm… dhe thotë: “Dëgjo, thjesht mos më zgjidh kurrëmë për sa kohë të jetosh.” Rodari ishte i dhënë edhe pas shakave me banjën. Mbreti Midas, kur revokohet prekja e magjisë së tij të artë, nuk kthehet menjëherë në normalitet. Për një kohë të shkurtër, gjithçka që prek shndërrohet në jashtëshqitje. Këto rrëfime ishin ndoshta shumë të pëlqyera nga dëgjuesit e vegjël, mjaftueshëm sa për të kujtuar trajnimin e tyre në tualet, por edhe të rriturit mund ta kenë shijuar një bisedë të tillë.
Disa njerëz kanë pyetur nëse shkrimi i Rodari-t, aq therës dhe i çuditshëm, është më i përshtatshëm për të rriturit se për fëmijët, por fëmijët me sa duket e duan. Rodari, para se të botonte punën e tij, shpesh e provonte në klasat e shkollës fillore dhe mbante shënim se cilat pjesë i bënin fëmijët të qeshnin. Unë mendoj se, si “Alice in Wonderland”, shkrimi i tij i bën fëmijët të ndihen në inteligjentë. Rodari njëherë tha se do të ishte më mirë të mos shqetësohemi nëse librat e tij ishin për fëmijë apo për të rritur, por thjesht t’i konsideronim ata “thjesht libra”.
Do të ishte e vështirë për këdo, të çdo moshe, të mos i donte ilustrimet – së shumti magjike – që “Enchanted Lion” porositi për “Përrallat Telefonike” nga artisti italian Valerio Vidali. Vetë dizajni i librit rezervon befasi. Disa faqe kanë ca fletëza të brendshme të ngjitura në to. Të tjerat janë si shtyllat e portës, ku ti tërheq buzën e brendshme dhe një tjetër faqe paloset. Në vizatime, janë treguar botë të tëra me figura gjysmë-abstrakte: hundë gjigande, një pallat i bërë me akullore, zogj që hanë biskota, plus, natyrisht, mbretër dhe mbretëresha dhe një princeshë në një kullë. Faqet janë të qepura me qepje të denja për një fustan “Balenciaga“. Është për t’u habitur që libri kushton vetëm 27,95 dollarë. Shkoni të blini një, që tani.
Politika e shoqëroi Rodarin gjatë gjithë ditëve të jetës së tij. Ai për herë të parë vizitoi Bashkimin Sovjetik në vitin 1951 dhe u kthye përsëri çdo disa vjet më pas, për të pranuar çmime, për t’u bërë pjesë e jurive të konkurseve dhe, siç pa dyshim ai ndjeu, thjesht për të bërë pjesën e tij. Komunizmi, në njëfarë mase, i dha atij moralin e tij, pa ia shtrirë dorën e rëndë në shpirtin e tij të gëzuar. Por në fund të fundit, sipas biografisë së Vanessa Roghi-t, e la të shkonte. Ai nuk ishte i vetmi. Ngjarjet në Bashkimin Sovjetik – gjyqet e hapura të viteve tridhjetë, fjalimi i famshëm i Hrushovit tre vjet pas vdekjes së Stalinit, duke numëruar krimet e këtij burri, bëri që të majtët e botës perëndimore ta braktisnin besnikërinë e tyre ndaj Bashkimit Sovjetik.
Shumë marksistë perëndimorë e mohuan hapur sistemin sovjetik, por jo Rodari-n. Ai kishte qenë komunist në të vërtetë që nga mosha e adoleshencës dhe nuk do ta braktiste Partinë tani ose të paktën jo publikisht. Ai qëndroi pranë saj edhe pas të ashtuquajturave “vite të rëndësishme” të Italisë, duke filluar në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur vendi dukej se tronditej pothuajse çdo ditë nga aktet e terrorizmit politik. (Një episod veçanërisht i tmerrshëm ishte rrëmbimi dhe vrasja e Aldo Moro-s në vitin 1978 (centrist që kishte shërbyer pesë mandate si Kryeministër i vendit), nga Brigadat e Kuqe, një organizatë neo-marksiste. Italianët që jetuan në ato vite ende flasin për to me tronditje.) Në vitin 1979, kur Rodari bëri udhëtimin e tij të fundit në Bashkimin Sovjetik, ai gjeti pak për ta lavdëruar vendin për të cilin ai kishte patur dikur aq shumë shpresë. Roghi citon ditarin e tij të udhëtimit, në të cilin ai shpreh keqardhje për shenjtërinë e Bashkimit Sovjetik dhe hipokrizinë e të rinjve të tij. “Një gjë është e sigurt,” shkroi ai. “Ata nuk janë komunistë.”
Sidoqoftë, tifozët e Rodari-t duhet ta falënderojnë Sh.B.A.-në që e frymëzoi dhe që e zhgënjeu më pas, ajo e la të lirë të punonte në një zhanër, të ashtuquajturin “përralla për fëmijë”, ku ai nuk do të duhej të përballej me hidhërimin e tij. Dhe, në fund, që e çoi përtej hidhërimit, në një natyrshmëri të mrekullueshme. Një vit para atij udhëtimi të fundit në Bashkimin Sovjetik, Einaudi solli romanin e fundit të Rodari-t, një satirë të shkëlqyer, si për kapitalistët ashtu edhe për revolucionarët. (Është botuar në Anglisht në vitin 2011, me titullin “Lamberto, Lamberto, Lamberto.”) Në libër, njëfarë Baroni Lamberto, i cili është nëntëdhjetë e tre vjeç dhe ka frikë se mund të vdesë, dëgjon se faraonët egjiptianë besonin se nëse emri yt përsëritej pafundësisht, ti mund të jetoje përgjithmonë. Ai vendos ta provojë. Ai i vë shërbëtorët e tij ta thonë vazhdimisht emrin e tij në mikrofona të vendosur në papafingon e kështjellës së tij. Në fund – pavarësisht përpjekjeve më të mira të një bande terroristësh, të cilët e marrin peng dhe i presin veshin (kjo është në të vërtetë qesharake) – ai mbijeton.
Në të kundërt, Rodari nuk ia doli. Jo shumë kohë pasi u botua “Lamberto“, një aneurizëm iu zbulua në këmbë. Kjo kërkonte një operacion shtatë-orësh, i cili në fillim u duk se ishte i suksesshëm. Por më pas, tri ditë më vonë, ai vdiq papritur, nga pushimi i zemrës. Ai ishte vetëm pesëdhjetë e nëntë vjeç. Shpresoj që shpirti i tij të pushojë në Planetin e së Vërtetës.

Marrë nga: “The New Yorker”

________

Joan Acocella është shkrimtare e stafit të “The New Yorker-it” që prej vitit 1995. Libri i saj më i fundit është: “Njëzet e tetë artistë dhe dy shenjtorë”.

Përkthimi: © Arlinda Guma

Për një të pavendosur-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Për një të pavendosur-Bertolt Brecht

 

Ti na thua

Se duket keq puna e çështjes sonë.

Terri po thellohet. Pushtet shumë pak.

Tash, pasi kemi punuar për kaq shumë vjet

Jemi në një pozitë më të vështirë se sa kur e nisëm.

Por armiku është ende aty, i fortë si kurrë më parë.

Pushteti i tij duket se është rritur. Ai seç ka marrë një pamje prej të pamposhtshmi.

Pastaj ne gjithsesi kemi bërë gabime; askush nuk mund t’i mohojë.

Radhët tona po rrudhen.

Slloganët tanë janë kundërthënës. Armiku i ka shformuar

Ca prej fjalëve tona gjer përtej kuptueshmërisë.

Çka është e rreme tash prej atyre që thamë:

Diçka, apo gjithçka?

Në cilin njeri do vazhdojmë të kemi besim? A jemi thjesht mbeturina, të flakura tej

Prej rrymës të së gjallëve? A do të mbetemi pas

Duke mos kuptuar askënd, të pakuptuar prej askujt?

Mos na duhet pak më shumë fat?

Këto janë pyetjet e tua. Mos prit

Përgjigje tjetër, përveç tëndes.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

FSHEHJA E FAKTIT-MARIO VARGAS LLOSA

in Letërsi by

MARIO VARGAS LLOSA

Diku Hemingueji tregon se në fillimet e veta letrare, kur ishte duke shkruar një histori, aty për aty, i kishte lindur ideja ta linte jashtë faktin kryesor: ku protagonisti i tij varte veten. Dhe thotë se në këtë mënyrë zbuloi një mjet narrativ që do ta përdorte aq shpesh në tregimet dhe romanet e veta në të ardhmen. Në fakt, nuk do ta tepronim po të thoshim se historitë më të mira të Heminguejit janë plot heshtje domethënëse, plot lodra shpejtësie për fshehje faktesh nga ana e një rrëfimtari dinak. Por ai i rregullon gjërat në atë mënyrë, që edhe heshtjet të jenë llafazane dhe ta nxitin imagjinatën e lexuesit aq shumë, sa ai vetë i mbush ato mungesa historie me pandehma dhe supozime nga xhepi i tij. Le ta quajmë këtë sjellje krijuese “fshehje fakti”. Ama, menjëherë, duhet thënë se, megjithëse Hemingueji na dha një stil të vetin e të larmishëm (shpesh, mjeshtëror), prapë nuk është ai shpikësi, sepse ajo është një teknikë e vjetër sa dhe proza letrare dhe se është e pranishme tek të gjithë klasikët.
Por, e vërteta është se pak autorë modernë e përdorën atë me zotësinë me të cilën e përdori autori i veprës “Plaku dhe deti”. A ju kujtohet juve ai tregimi tjetër i mrekullueshëm, pothuaj më i miri i Heminguejt, i titulluar “Vrasësit”? Gjëja më e rëndësishme në atë histori është pikëpyetja e madhe: pse duan ta vrasin suedezin Ole Anderson ata dy të arratisurit që hyjnë me pushkë grykëshkurtra në restorantin e vogël “Henry’s”, në atë lokalitet të panjohur? Dhe pse ky Ole Andersoni misterioz, kur i riu Nik Adams e paralajmëron se po e kërkonin nja dy vetë për ta vrarë, nuk pranon të njoftojë policinë dhe i nënshtrohet fatit të vet? Kurrë nuk do ta marrim vesh. Nëse duam një përgjigje për këto dy pyetje që janë vendimtare për këtë histori, duhet ta gjejmë vetë ne lexuesit, bazuar tek faktet e kursyera që tregimtari i shumëdijshëm dhe përgjithësues na jep: se suedezi Ole Anderson, para se të vinte në atë vend, dukej se paskësh qenë boksier në Çikago, ku çoç kishte bërë (ndonjë prapësi, thotë ai) që vulosi fatin e tij.
“Fshehja e faktit” apo të rrëfyerit me heshtje, nuk duhet të jetë i kotë dhe arbitrar. Nevojitet që heshtja e rrëfimtarit të jetë domethënëse, që të ushtrojë një ndikim të pagabueshëm mbi pjesën në fjalë të historisë, të bëjë që ajo mangësi të ndihet dhe të nxisë kureshtjen, shpresën dhe fantazinë e lexuesit.
Hemingueji qe një mjeshtër i shkëlqyer në përdorimin e kësaj teknike të të rrëfyerit, siç shihet tek “Vrasësit”, një shembull i ekonomisë në rrëfim, ku teksti është si maja e ajsbergut, pjesa e vogël e dukshme që, me vezullimin e vet rrëzëllyes, e lejon lexuesin ta marrë me mend tërë masën komplekse anekdotike; masë që ka dashur ta mashtrojë lexuesin dhe mbi të cilën fle ajo majë. Të rrëfesh duke heshtur, përmes aluzioneve që e shndërrojnë fshehjen në pritje të diçkaje dhe e detyrojnë lexuesin të marrë pjesë aktivisht në përpunimin e ngjarjes me hamendje dhe supozime, ky është një nga marifetet më të shpeshtë që përdorin shkrimtarët duke pasuruar kështu përvojat në rrëfimet e tyre dhe duke u dhënë atyre forcë bindëse.
Nuk e di nëse ju kujtohet më e madhja “fshehje fakti” tek romani më i mirë i Heminguejit, sipas meje: “The sun also rises”. Po. Ja kush është: impotenca e Xhek Barnesit, rrëfyesit të romanit. Kurrë nuk shprehet qartë; ajo vjen e shfaqet – gati do të guxoja të thosha se lexuesi i nxitur prej asaj që lexon, vetvetiu do t’ia veshë atë personazhit – nëpërmjet një heshtjeje kumtuese, ajo distancë e çuditshme fizike, ai soj marrëdhënieje trupore që e bashkon me Bretën e bukur, gruan të cilën ndershmërisht e do dhe që, pa dyshim, edhe ajo do ta kishte dashur, po të mos kishte qenë ndonjë pengesë apo barrierë midis tyre, për të cilën nuk kemi asnjë të dhënë të saktë. Paaftësia fizike e Xhek Barnesit është shprehur mjaft qartë me heshtje, është një mangësi e madhe që sa vjen e bëhet më e dukshme. Lexuesi habitet me sjelljen e pazakonshme dhe kontradiktore të Xhek Barnesit ndaj Bretës dhe ai do ta shpjegojë këtë gjë me një mënyrë vetme: duke zbuluar (apo sajuar?) impotencën e tij.
Edhe pse heshtazi, apo ndoshta pikërisht nga mënyra sesi është dhënë, kjo “fshehje fakti” hedh një dritë tepër të veçantë mbi historinë e romanit “The sun also rises”.
“Xhelozia” e Robbe-Grillet (“La Jalousie”, në frëngjisht) është një tjetër roman ku një përbërës themelor i historisë – jo më pak se personazhi qendror – është i mërguar prej rrëfimit, veçse kjo mungesë reflektohet në të në mënyrë të tillë që bën të ndihet në çdo çast. Pothuaj, si në të gjithë romanet e Robbe-Grilletit, edhe tek “La Jalousie” nuk ka tamam një histori, të paktën, jo siç kuptohet tradicionalisht – një argument me fillim, vazhdim dhe përfundim, – por, më shumë, shenjat apo simptomat e një historie, të cilën nuk e marrim vesh dhe që jemi të detyruar ta rindërtojmë, ashtu si arkeologët rindërtojnë pallatet babilonike nisur nga një grusht gurësh të varrosur gjatë shekujve; ose zoologët ribëjnë dinozaurët dhe pterodaktilët prehistorikë duke u bazuar nga një klavikulë apo një metakarp. Kështu, mund të themi se romanet e Robbe-Grilletit janë të gjithë të ngjizur nisur nga “fshehje faktesh”.
Pra, tek “La Jalousie” kjo mënyrë procedimi është shumë funksionale, sepse, për të pasur kuptim çdo gjë aty, është e domosdoshme që ajo mungesë, ajo qenie e hequr, të bëhet e pranishme, të marrë formë në vetëdijen e lexuesit. Po kush është ajo qenie e padukshme? Një burrë xheloz, siç e sugjeron edhe titulli i librit me kuptimin e vet të dyfishtë (“jalousie” do të thotë grilë, një dritare e mbyllur me hekura, por edhe xhelozi), dikush që, i pushtuar nga demoni i mosbesimit, përgjon me kujdes gjithë lëvizjet e gruas së vet, pa u diktuar prej saj. Këtë nuk e ka të qartë lexuesi; ama arrin në përfundimin logjik apo e trillon i bindur nga vetë natyra e përshkrimit: nga një vështrim i ankthshëm për të kontrolluar imtësisht e marrëzisht lëvizjet, gjestet dhe ndërmarrjet më të vogla të së shoqes. Kush është ky vëzhgues i përpiktë? Pse ia nxin jetën asaj gruaje, duke mos ia hequr sytë? “Fshehjet e fakteve” nuk jep asnjë përgjigje brenda ligjërimit romanesk dhe vetë lexuesi, mbështetur në ato pak pista që i ofron romani, duhet t’i ndriçojë e t’u përgjigjet. Ato “fshehje faktesh” që janë të plota, që janë shmangie të përhershme në roman, mund t’i quajmë eliptike, për t’i dalluar nga ato të përkohshmet që i bëhen lexuesit, nga zhvendosjet kronologjike romaneske që bëhen për të krijuar gjendjen e të priturit, për ta mbajtur varur lexuesin, siç ndodh në romanet policeske, ku vetëm në fund zbulohet vrasësi. “Fshehjet e fakteve” të çastit, të zhvendosura, mund t’i quajmë “fshehje faktesh hiperbaton”. Hiperbaton (zhvendosje) është një figurë poetike që, siç do t’ju kujtohet, konsiston në zhvendosjen e një fjale në varg, për arsye eufonie apo rime («Ishte e vitit stina e lulëzuar…» në vend të renditjes së rregullt: «Ishte stina e lulëzuar e vitit…»).
Ndoshta “fshehja e faktit” më e spikatur në një roman është ajo që gjendet tek “Faltorja e frikshme” (Sanctuary) e Folknerit, ku krateri i historisë – zhvirgjërimi me një kalli misri, i adoleshentes së pafajshme Temple Drake, nga Popeye, një gangster i fuqishëm dhe psikopat – është zhvendosur dhe shpërndarë në thërrime të dhënash, sa lexuesi, në mënyrë prapavepruese dhe pak nga pak, bëhet i vetëdijshëm për ngjarjen e tmerrshme. Prej kësaj heshtjeje, ku ndihet neveri dhe urrejtje, krijohet atmosfera që përshkon “Faltoren”: një atmosferë egërsie, përndjekjeje seksuale, frike, paragjykimi dhe primitivizmi që Xhefersoni, Memfisi dhe skenaristë të tjerë të kësaj historie, i japin një karakter simbolik për botën e së keqes, për rrënimin dhe rënien e njeriut, në kuptimin biblik të termit. Përpara tmerreve të këtij romani – përdhunimi i Temples është një nga ato; veç kësaj, ka një varje në litar, një linçim me zjarr, disa vrasje dhe një varg të shumëllojshëm poshtërimesh morale – më shumë se ndjenja ndaj një dhunimi të të drejtave njerëzore, na pushton ligështimi që do të pësonim përpara një fitoreje të forcave të skëterrës, përpara një shpartallimi të së mirës prej shpirtit të së keqes, i cili paska arritur të bëhet zot i kësaj toke. E tërë “Faltorja” është pajisur me “fshehje faktesh”. Veç përdhunimit të Temple Drakes, fakte aq të rëndësishme si vrasja e Tomit dhe e Redit ose impotenca e Popeyes janë, së pari, kapërcime të heshtura që lexuesi do t’i zbulojë vetëm në mënyrë prapavepruese. Kështu, lexuesi, falë atyre “fshehjesh faktesh hiperbaton” do të kuptojë mirë ndodhinë dhe do të vendos kronologjinë e saktë të ngjarjeve. Jo vetëm aty, por në gjithë historitë e veta, Folkneri ka qenë mjeshtër i përdorimit të “fshehjes së faktit”.
Tani, për ta mbaruar me shembullin e fundit të “fshehjes së faktit”, do të doja të kthehesha pesëqind vjet pas, tek një nga romanet më të mirë të kalorësisë mesjetare: “Tirant lo Blanc” i Joanot Martorelit, një nga romanet kryevepër për mua. Aty “fshehja e faktit” – në të dy modalitetet e veta: si hiperbaton apo si eliptike – është përdorur me zhdërvjelltësinë e romancierëve modernë më të mirë. Le të shohim si është gatuar lënda rrëfyese e njërit prej karaktereve aktivë të romanit: martesat e fshehta që bëjnë dy çiftet, Tiranti me Karmesinën dhe Diafebusi me Stefaninë (episod që fillon në mes të kapitullit CLXII dhe mbaron në mes të kapitullit CLXIII). Përmbajtja e episodit është kjo: Karmesina dhe Stefania i futin Tirantin dhe Diafebusin në një dhomë të pallatit. Atje, pa ditur se Plaerdemavida i përgjon nga vrima e një brave, të dy çiftet e kalojnë natën të zhytur në lojëra dashurie; të buta midis Tirantit dhe Karmesinës, ekstreme midis Diafebusit dhe Stefanisë. Dashnorët ndahen në agim dhe, disa orë më vonë, Plaerdemavida i tregon Stefanisë dhe Karmesinës se ka qenë dëshmitare okulare e martesave të fshehta. Në roman kjo sekuencë nuk shfaqet në radhën kronologjike “reale”, por në mënyrë të ndërprerë, përmes “ndryshimit të përkohshëm” dhe një “fshehje fakti” hiperbaton, falë të cilit episodi bëhet një pasuri e madhe përvojash. Tregimi bën fjalë për marrëveshje paraprake, vendimi i Karmesinës dhe Stefanisë për të futur Tirantin dhe Diafebusin në dhomë dhe kuptohet si Karmesina, duke e ditur se do të kishte një “festë martesash të fshehta”, djallëzisht, bën sikur e ka zënë gjumi. Rrëfimtari përgjithësues dhe i shumëdijshëm, brenda rrjedhës “reale” të kronologjisë, vazhdon të tregojë habinë e madhe të Tirantit, kur shikon princeshën e bukur, sesi bie në gjunjë dhe si i puth duart asaj. Këtu ndodh i pari “ndryshim i përkohshëm” ose prishje e kronologjisë: «Dhe shkëmbyen shumë fjalë dashurie. Kur gjykuan se ishte koha për të ikur, u ndanë nga njëri-tjetri dhe u kthyen në dhomat e tyre». Tregimi bën një kapërcim në të kaluarën, duke lënë në atë ndarje, në atë greminë heshtjeje, një pyetje të mençur: «Qoftë prej dashurisë, qoftë prej dhimbjes, kush mund të flinte atë natë?» Pastaj, rrëfimi e çon lexuesin tek dita e nesërme.
Plaerdemavida ngrihet, hyn në dhomën e princeshës Karmesina dhe gjen Stefaninë «e gjitha plot me lërmë të qetë». Ç’kishte ndodhur? Pse ajo shthurje epshore e Stefanisë? Në të vërtetë, shpotitë, pyetjet, talljet dhe fjalët fyese të Plaerdemavidës së këndshme do ta orientojnë lexuesin dhe do t’ia ndezin kureshtjen e mprehtësinë. Dhe, në fund, pas kësaj hyrjeje të gjatë e dinake, Plaerdemavida e bukur tregon se natën e kaluar paskej parë një ëndërr, në të cilën pa Stefaninë duke futur Tirantin dhe Diafebusin në dhomë. Këtu vjen “ndryshimi i përkohshëm” i dytë ose kapërcimi kronologjik në episod. Episodi kthehet tek nata e kaluar dhe, përmes ëndrrës së supozuar të Plaerdemavidës, lexuesi zbulon çfarë kishte ndodhur gjatë martesave të padeklaruara. “Fakti i fshehur” del në dritë, duke e restauruar tërësinë e episodit.
I gjithë episodi? Jo i gjithë. Sepse, veç atij “ndryshimi të përkohshëm” që ju patë, ka ndodhur edhe një “ndryshim i rrallë”, një ndryshim i veçantë këndvështrimi, sepse ai që rrëfen çfarë ndodh në martesat e fshehta, tashmë, nuk është rrëfyesi përgjithësues dhe i jashtëzakonshëm i fillimit, por Plaerdemavida, një rrëfyes-personazh, që nuk synon të japë një dëshmi objektive, por me ngarkesë subjektiviteti (komentet gazmore, të lirshme, jo vetëm e bëjnë subjektiv episodin, po, mbi të gjitha, e shkarkojnë nga egërsia me të cilën mund të ishte treguar, ndryshe, zhvirgjërimi i Stefanisë prej Diafebusit). Ky ndryshim i dyfishtë – i përkohshëm dhe i veçantë – fut kështu një “kuti kineze” në episodin e martesave të fshehta, domethënë një rrëfim të pavarur (ai i Plaerdemavidës) të përfshirë brenda rrëfimit të përgjithshëm të të shumëditurit-rrëfyes. (Brenda parantezave, do të them se, po ashtu, tek “Tirant lo Blanc” përdoret shumë herë metoda e “kutive kineze” apo e “kukullave ruse”. Bëmat e Tirantit gjatë një viti dhe një dite, kohë sa zgjasin festat në oborrin e Anglisë, nuk i tregohen lexuesit nga i shumëdituri-rrëfyes, veç nëpërmjet raportimit që i bën Diafebusi Kontit de Varonik; marrja e Rodosit prej gjenovezëve tejduket përmes një relacioni që i bëjnë Tirantit dhe Dukës së Bretanjës dy kalorës të oborrit francez; po ashtu, aventura e tregtarit Gobedi është burim i një historie që Tiranti i tregon Vejushës Reposada.) Pra, në këtë mënyrë, me shembullin e një episodi të këtij libri klasik, provuam se pasuritë e procedurave që shpesh duken si shpikje moderne të shkrimtarëve bashkëkohorë, në të vërtetë bëjnë pjesë në malin e madh të përvojës së artit letrar, pra janë përdorur me shkathtësi që nga shkrimtarët klasikë. Ajo çfarë kanë bërë shkrimtarët modernë, në shumicën e rasteve, është se i kanë pastruar e stërholluar, duke eksperimentuar me mundësi të reja të heshtura në disa sisteme të rrëfyeri, të cilat shpesh e kanë zanafillën tek shfaqjet më të vjetra të fiksionit të shkruar.
Ndoshta do t’ia vlente barra qiranë që, para se t’i jepet fund këtij shkrimi, për të dhënë një gjykim të përgjithshëm, të vlefshëm për të gjithë romanet, lidhur me një karakteristikë të natyrshme të pjesës së shkruar, nga e cila buron teknika e “fshehjes së faktit”. Pjesa e shkruar e gjithë romanit është vetëm një seksion ose fragment i historisë që tregon: kjo, e zhvilluar saktësisht, me akumulimin e tërë përbërësve pa përjashtim – mendimet, gjestet, objektet, koordinatat kulturore, materialet historike, psikologjike, ideologjike e të tjera, që presupozon dhe përmban historia komplet – përfshin një material shumë më të bollshëm se ai i shprehur në tekst dhe që asnjë romancier, as ai më i kamuri, më i thelli dhe më pak i kursyeri në ekonominë rrëfyese, nuk do të ishte në gjendje të shtrihej në tërë tekstin e vet.
Për të nënvizuar këtë veçori pashmangshmërisht të pjesshme të të gjithë ligjërimit rrëfyes, romancieri Klod Simon – i cili në këtë mënyrë donte të tallej me pretendimet e letërsisë “realiste” për të riprodhuar realitetin – nisej nga një shembull: përshkrimi i një pakete cigaresh “Ciganët”. Ç’elementë duhet të kishte ai përshkrim për të qenë “realist”?, shtronte pyetjen. Pa dyshim: madhësinë, ngjyrën, përmbajtjen, shkronjat, materialet me të cilat ai ambalazh përbëhet. Po, do të mjaftonte me kaq? Në një kuptim përmbledhës, në asnjë mënyrë. Edhe sikur të mos linim asnjë të dhënë të rëndësishme pa thënë, përshkrimi do të ishte i mangët. Edhe sikur përshkrimi të përfshinte një informacion të hollësishëm mbi proceset industriale që ndodhen nga ana e pasme e veshjes së kësaj pakete, e pse jo, edhe të sistemeve shpërndarëse e tregtare që e çojnë atë mall nga prodhuesi deri tek konsumatori, prapë do të kishte mungesa. Do të kishte marrë fund kështu përshkrimi i gjithanshëm i paketës “Ciganët”? Sigurisht, jo. Konsumi i cigareve nuk është një fakt i izoluar, përfundim i evolucionit të zakoneve dhe përhapjes së modës. Ai është i lidhur plotësisht me historinë shoqërore, mitologjitë, politikat, mënyrat e jetës të shoqërisë; dhe, nga ana tjetër, bëhet fjalë për një praktikë – zakon ose ves – mbi të cilin publiciteti dhe jeta ekonomike ushtrojnë një ndikim vendimtar, dhe që ka efekte përcaktuese mbi shëndetin e konsumatorit.
Asnjëherë nuk është e vështirë të konkludosh, me atë rrugë demonstrimi të çuar deri në ekstreme absurde, se përshkrimi i çdo objekti, deri edhe më i parëndësishmi, i zgjatur për të thënë gjithçka, përçon thjesht atë pretendim utopik: përshkrimin e universit.
Edhe për fiksionet mund të thuhet, pa dyshim, një gjë e ngjashme. Se, në qoftë se një romancier, kur tregon një histori, nuk u përmbahet disa limiteve (domethënë, nëse nuk merr përsipër të fshehë disa fakte), historia që do të na tregonte nuk do të kishte as fillim as fund, në njëfarë mënyre do të ishte një përzierje me gjithfarë historish, një gjithëtërësi e fantazuar, një univers imagjinar e i pambarimtë, në të cilin bashkëjetojnë, të kokolepsur me krushqira, të gjitha fiksionet.
Atëherë, në qoftë se pranojmë këtë hipotezë, që një roman ose, më mirë, një fiksion i shkruar është vetëm një segment i tërë historisë, prej nga romancieri është i detyruar të eliminojë një numër të madh faktesh që për të janë të tepërta, të panevojshme, duhet që ai vetë të na i bëjë të qarta, duke na ndezur imagjinatën për to. Ka gjithfarë mënyrash për të dalluar ato fakte të lëna jashtë si të qarta apo të panevojshme, nga ato që i quajtëm “fakte të fshehura”, për të cilët u fol në këtë shkrim. Kështu që “faktet e mia të fshehura” nuk janë as të qarta, as të kota. Përkundrazi, kanë funksion të plotë, kanë një rol të madh në thurjen e tregimit dhe, pikërisht për këtë, heqja apo zhvendosja e tyre bën efekte në historinë që rrëfehet duke u dhënë shkëlqim detajeve të rastit apo këndvështrimit.
Së fundi, do të më pëlqente t’ju përsërisja një krahasim që kam bërë njëherë duke komentuar “Faltoren” e Folknerit. Le të themi se tërë historia e një romani (ajo e shkruar me fakte të thëna dhe të pathëna) është një kub. Të themi, gjithashtu se në një roman të veçantë kemi pastruar prej tij faktet e panevojshme dhe ato të nënkuptuara me qëllim që të arrihet një efekt i caktuar. Në këtë rast kubi, domethënë tërë historia e romanit, ka marrë një formë të caktuar: është një objekt, një skulpturë, ku reflektohet origjinaliteti i romancierit. Forma e kësaj skulpture është skalitur falë ndihmës së instrumenteve të ndryshme. Por nuk ka dyshim se një mjet nga më të çmuarit që përdoret për eliminimin e atyre përbërësve që thamë, derisa të ravijëzohet figura bindëse dhe e bukur që ne duam, është ajo e “fshehjes së faktit” (nëse ju nuk keni një emër më të mirë për t’ia vënë kësaj procedure).

Përktheu: Bajram Karabolli

Vendit tim pa dashje-Jamarbër Marko

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Vendit tim pa dashje-Jamarbër Marko

 

Ej ju

Ku e keni futur

Ana Kareninën?

Marr me kujdes librin

– Njësoj, – them

Siç qëndronte në stacion

Edhe tani

Mes këtyre librave shqiptarë.

 

________

Shkëputur nga vëllimi me poezi:

Rastësisht me dashje”

SHPEJTËSIA E REVE-Yves Bonnefoy

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SHPEJTËSIA E REVE-Yves Bonnefoy

 

Shtrati, xhami pranë, lugina, qielli,
Shpejtësia e mrekullueshme e reve.
Kthetra e shiut mbi xham, papritmas,
A thua se hiçi po vuloste botën.

Në ëndrrën time të djeshme
Gruri i moteve të shkuar digjej me flakëza
Mbi sheshin me pllaka, por pa nxehtësi.
Këmbët tona të zbathura e largonin si ujë i kulluar.

O mikja ime,
Sa e brishtë qe largësia mes trupave tanë!
Tehu i shpatës së kohës që gjurmon
Më kot kërkoi aty vendin e fitores.

 

Përktheu: Alket Çani

Noam Chomsky beson se Trump-i “është “krimineli më i keq në historinë njerëzore.”

in A(rt)ktivizëm by

Më kujtohet një koment që Bertrand Russell-i bëri dikur, rreth vitit 1960 apo më pas. U pyet pse po marshonte në moshën e tij në demonstrata anti-bërthamore, kur ai mund të punonte për probleme të filozofisë, serioze për kohërat. Përgjigjia e tij ishte pak a shumë kështu: Nëse nuk jam këtu duke demonstruar kundër armëve bërthamore, nuk do të ketë mbetur njeri që ta lexojë filozofinë.

Noam Chomsky, gjuhëtari amerikan, aktivisti dhe shkrimtari politik, është një nga kritikët më të famshëm dhe më të ashpër të politikës së jashtme amerikane. Kritikat e tij ndaj administratave presidenciale, nga Nixon-i te Obama dhe ashpërsia e pikëpamjeve të tij – në lidhje me bombardimet e Bill Clinton-it të 11 Shtatorit në një fabrikë në Khartoum, për shembull – e kanë bërë atë shënjestër të një zemërimi të madh, po aq sa edhe një hero të së majtës globale. “Chomsky gjithmonë refuzon të flasë për motive në politikë,” ka shkruar Larissa MacFarquhar në profilin e saj për të për “The New Yorker-in,” në vitin 2003. “Ashtu si shumë teoricienë të njerëzimit universal, ai shpesh duket i hutuar, madje edhe i zmbrapsur, nga mendimi i njerëzve të sotëm dhe nga psikologjia e tyre.”
Kur i telefonova Chomsky-t, i cili është nëntëdhjetë e një vjeç, muajin e shkuar, për një intervistë të planifikuar prej kohësh, kisha ndër mend të diskutoja karrierën, jetën dhe librin e tij të fundit: “Kriza e Klimës dhe Marrëveshja e Re e Gjelbër Globale”, shkruar me Robert Pollin-in dhe CJ Polychroniou-n – por ai e kaloi pjesën më të madhe të seancës një-orëshe duke folur kundër Administratës Trump me një forcë që më befasoi paksa.
Chomsky ka qenë gjithmonë, jashtëzakonisht pragmatik, në analizën e tij politike, duke u larguar nga disa të majtë të tjerë, në lidhje me besimin e tij në domosdoshmërinë e votimit të demokratëve mainstream kundër republikanëve. Por përveç mbështetjes së Joe Biden-it këtë vit, ai më tha se Donald Trump-i është “krimineli më i keq në historinë njerëzore” dhe shprehu shqetësime serioze në lidhje me të ardhmen e demokracisë amerikane (megjithëse pranoi se “nuk ishte dhe aq interesante.”) . Me ndoshta jo dhe aq shqetësim, por me të njëjtin pasion që duket se sjell për çdo temë, ai sulmoi po aq edhe “kulturën e bojkotit” dhe shpjegoi pse e nënshkroi letrën e fundit të Harper-it për fjalën e lirë. E megjithatë, Chomsky vuri në dukje se ato për të cilat më shumë pëlqen të mendojë janë filozofia, shkenca dhe gjuha. “Të them të drejtën,” tha ai, “ndërsa jap intervista dhe flas për gjëra, një pjesë e mendjes sime punon për probleme teknike, të cilat janë shumë më interesante.” Biseda jonë e redaktuar vijon si më poshtë.

Isaac Chotiner, 30 Tetor, 2020

Përktheu: Arlinda Guma

A kemi qenë gjatë katër viteve të fundit në një periudhë të çuditshme dhe të re të historisë amerikane? Apo po shohim një vazhdim të historisë së saj, që përputhet shumë me atë që ka qenë gjithmonë?

Sigurisht, është i njëjti vend. Ne nuk kemi pësuar një revolucion të madh, por katër vitet e fundit nuk janë shumë në përputhje me historinë e gjithë demokracive perëndimore. Deri tani, po bëhet gati e çuditshme. Në treqind e pesëdhjetë vitet e demokracisë parlamentare nuk ka patur asgjë si kjo që po shohim tani në Washington. Nuk kam pse t’jua ​​them. Ju lexoni të njëjtat gazeta që lexoj edhe unë. Një president, i cili ka thënë se nëse nuk i pëlqen rezultati i zgjedhjeve, thjesht nuk do të largohet nga detyra dhe është marrë mjaft seriozisht, aq sa, për shembull, dy oficerë ushtarakë të nivelit të lartë, shumë të respektuar, në pension – njëri prej tyre shumë i njohur, nënkoloneli John Nagl – në të vërtetë arriti deri aty sa t’i shkruante një letër të hapur gjeneralit [Mark] Milley, Krye Shefit të Përbashkët të Shtabit, ku e kujtonte për detyrat e tij kushtetuese për të dërguar ushtrinë amerikane e për ta nxjerrë presidentin nga zyra nëse refuzon të largohet.
Ekziston një artikull i gjatë, të cilin ju ndoshta e keni parë, nga Barton Gellman-i, ku rishikohen strategjitë që lidershipi republikan po mendon për të provuar dhe dëmtuar zgjedhjet. Ka patur shumë ndërhyrje më parë. Ne nuk jemi të panjohur me këtë fenomen. Në fakt, një rast që të vjen në mendje është disi i rëndësishëm për momentin: Viti 1960. Richard Nixon-i kishte një arsye mjaft të mirë për të besuar se ai i kishte fituar zgjedhjet. Nixon-i, i cili nuk ishte personi më i lezetshëm në historinë e politikës presidenciale, vendosi ta vërë mirëqenien e vendit mbi ambicien e tij personale. Kjo nuk është ajo që po shohim tani dhe është vetëm një shenjë e një ndryshimi shumë domethënës. Ekzekutivi është pastruar pothuajse totalisht nga çdo zë kritik i pavarur – asgjë s’ka mbetur veç lajkatarëve. Nëse nuk janë mjaft besnikë ndaj mjeshtrit, ata largohen dhe merret dikush tjetër. Një shembull goditës kohët e fundit ishte pushimi nga puna i inspektorëve të përgjithshëm kur ata filluan të shikonin në kënetën e pabesueshme që Trump krijoi në Washington. Kjo lloj gjëje vazhdon e vazhdon.

Si e shikoni Administratën Trump, në lidhje me rolin e Amerikës në botë, është kjo një gjë e re?

Hëm, ka disa gjëra të reja për të cilat nuk po diskutohet shumë. Nuk e di nëse është Trump-i, por njerëzit përreth tij, në thelb po krijojnë një aleancë ndërkombëtare të shteteve jashtëzakonisht reaksionare, që mund të kontrollohen nga Shtëpia e Bardhë, e cila, natyrisht, është zhvendosur shumë djathtas, duke prishur çdo marrëveshje ndërkombëtare, duke shkatërruar gjithçka që shihet. Në Hemisferën Perëndimore, një figurë udhëheqëse do të ishte [Jair] Bolsonaro, në Brazil, një lloj kloni i Trump-it, Lindja e Mesme me diktaturat e Gjirit, shtetet më reaksionare në botë dhe Egjipti nën [Abdel Fattah El-] Sisi, ndoshta diktatura më e keqe në historinë e Egjiptit. Izraeli ka lëvizur shumë në të djathtë. Marrëveshjet aktuale, të ashtuquajtura të paqes, nuk kanë asnjë lidhje me marrëveshjet e paqes. Është një bazë shumë e natyrshme e Lindjes së Mesme për revanshin trumpian reaksionar ndërkombëtar. Në Lindje, India [Narendra] Modi është kandidat kryesor. Ai po shkatërron demokracinë laike indiane, duke u përpjekur të imponojë teokracinë nacionaliste hindu, duke shtypur Kashmirin. Ata janë një pjesë e dukshme e saj. Në Evropë, kandidati kryesor është Hungaria e [Viktor] Orbanit. Matteo Salvini nuk është ende në pushtet, por Italia vjen pas. Ka figura të tjera të këndshme në të gjithë botën, por kjo është në thelb bërthama e kësaj.
Tani, kjo është njëra anë e hedhjes poshtë të të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare dhe hedhja e çdo shqetësimi për qëndrimet dhe përparësitë e të tjerëve. U zbulua, me arrogancën tipike të Administratës Trump, në njoftimin e [Sekretarit të Shtetit Mike] Pompeo, se janë rivendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit. Pse? Sepse e thotë ai. Shtetet e Bashkuara e sollën atë në Këshillin e Sigurimit dhe nuk mund të merrnin asnjë mbështetje. Prandaj, ne rivendosim sanksionet e Kombeve të Bashkuara në mënyrë të njëanshme. Është “Kumbari” ai që flet. Nuk ka rëndësi se çfarë mendon dikush tjetër. Regjimi i kontrollit të armëve është bërë copë e çikë, me rrezik të madh për ne, ashtu si dhe për të gjithë të tjerët.

Ju përmendni një bandë diktatorësh me të cilët Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar – dhe duke mos respektuar traktatet e kontrollit të armëve – por këto janë gjëra për të cilat keni shkruar në të kaluarën. Unë interesohem për atë që thoni se mendoni; që Administrata Trump është një shkëputje me të kaluarën. Si mendoni se është ndryshe në njëfarë mënyre?

Epo, të kesh një regjim të kontrollit të armëve është më ndryshe sesa të mos kesh fare një regjim. Kjo është një pauzë dhe është një pauzë në një nga dy çështjet më domethënëse në historinë njerëzore. Ne kemi jetuar për shtatëdhjetë e pesë vjet nën hijen e shkatërrimit të mundshëm bërthamor. Regjimi i kontrollit të armëve që është ndërtuar ngadalë me kalimin e viteve – propozimi i Qiejve të Hapur të Eisenhower-it, traktati Reagan-Gorbachev I.N.F. dhe pjesë të tjera – kanë zbutur rreziqet. Trump-i ka bërë copë çdo pjesë të tyre. E vetmja gjë që ka mbetur është një fillimi i ri. Ai duhet të ratifikohet në shkurtin e ardhshëm. Nëse Trump-i fiton zgjedhjet apo refuzon të largohet nga detyra, ai do të zhduket në shkurt.
Kërcënimi tjetër kryesor për mbijetesën e njeriut në çdo formë të njohur është katastrofa mjedisore dhe, atje, Trump është i vetëm në botë. Shumica e vendeve po bëjnë të paktën diçka për këtë – jo aq sa duhet, por disa prej tyre janë mjaft domethënëse, disa më pak. Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Marrëveshja e Parisit; refuzojnë të bëjnë ndonjë nga veprimet që mund të ndihmojnë vendet e varfëra të merren me problemin; po garojnë drejt maksimalizimit të përdorimit të lëndëve djegëse; dhe, në të njëjtën kohë, sapo hapën rezervatin e fundit të madh natyror në Shtetet e Bashkuara për shpime. Ai duhet të sigurohet që të maksimalizojmë përdorimin e lëndëve djegëse, të shkojmë deri në greminë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të eleminojë rregulloret, të cilat jo vetëm kufizojnë efektet e rrezikshme, por gjithashtu mbrojnë amerikanët.
Hap pas hapi, duke eleminuar gjithçka që mund të mbrojë amerikanët ose që do të ruajë mundësinë e kapërcimit të kërcënimit aq serioz të katastrofës mjedisore. Nuk ka asgjë të tillë në histori. Nuk është se po prish traditën amerikane. A mund të gjeni dikë në historinë njerëzore që ia ka kushtuar përpjekjet e tij minimit të perspektivës së mbijetesës të jetës së organizuar njerëzore në Tokë? Në fakt, disa nga veprat e Administratës Trump janë haluçinante.

Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj të fundit, edhe nëse ishte retorike, duket sikur Partia Republikane që i shkon pas Trump-it, kishte pikëpamje shumë të ngjashme mbi shkencën e ndryshimit të klimës, edhe pse ai e ka marrë këtë në një drejtim më nihilist.

Cila figurë udhëheqëse në historinë njerëzore i ka kushtuar politika maksimalizimit të përdorimit të lëndëve djegëse dhe shkurtimit të rregulloreve që zbusin katastrofën? Më përmendni një.

Bolsanaro ndoshta, por, e kuptoj këndvështr…

Bolsonaro, një klon i Trump-it, po ndjek shembullin e Trump-it. Po, ai po e bën këtë gjë në mënyrë të rrezikshme, por edhe ai nuk ka shkuar aq larg sa Trump-i.

Ju keni shkruar shumë libra rreth politikës së jashtme amerikane dhe një nga temat është se politika e jashtme amerikane shpesh drejtohet nga interesat ekonomike të elitave. Unë mendoj se ekziston një mënyrë në të cilën kjo është ende e vërtetë, dhe padyshim që Trump-i i përket elitës ekonomike. Por, me Trump-in, duket se ndoshta dëshira e tij personale për pará po drejton politikën e jashtme amerikane tani. Pyes veten nëse kjo ju ka bërë të mendoni ndryshe për mënyrën sesi kryhet politika e jashtme amerikane.

Aspak. Në këtë aspekt, ai është një vazhdim, por ju duhet të bëni dallime. Franklin Delano Roosevelt ishte presidenti më i mirë që kemi pasur, për mendimin tim, dhe ishte i përkushtuar për të maksimalizuar fuqinë amerikane, dhe rolin e interesit ekonomik [amerikan] në botë, etj. Adolf Hitler-i, në të njëjtat vite, ishte i përkushtuar ndaj kësaj në Gjermaninë naziste, por kjo nuk na bën të konkludojmë se ato janë e njëjta gjë.

Mendova se këtë po thosha disi. Trump-i duket se kujdeset për interesat dhe mbijetesën e tij dhe ju keni folur për politikën e jashtme amerikane që drejtohej më parë nga interesat e një elite të tërë ekonomike në pushtet. Them se ndoshta ky është një dallim pa ndonjë ndryshim, sepse janë elitat ekonomike që po e mbështesin Trump-in dhe po e lejojnë ta bëjë këtë në njëfarë kuptimi.

Jo vetëm që po e mbështesin, por ai po u shërben atyre skllavërisht. Është e vështirë të gjesh një president amerikan, i cili ka qenë më i përkushtuar në pasurimin dhe fuqizimin e sektorit ultra të pasur dhe të korporatave – gjë që është, sigurisht shkaku pse ata janë të lumtur t’i tolerojnë marrëzitë e tij. Për shembull, një arritje e vërtetë legjislative është mashtrimi me taksat, i cili ishte thjesht një dhuratë për sektorin shumë të pasur dhe atë të korporatave. Në fakt, gjithçka që sapo përmenda është e njëjta gjë. Kur zvogëlon rregulloret, po fut më shumë pará në xhepat e të pasurve dhe dëmton klasën punëtore, të varfërit dhe të gjithë të tjerët. Ky ekstremitet. Kur refuzon të plotësosh Bordin Kombëtar të Marrëdhënieve të Punës me anëtarë, në mënyrë që punëdhënësit të mund të marrin gjithçka që dëshirojnë, ti po u shërben të pasurve. Mund të zbresim poshtë në listë. Ai është një shërbëtor shumë besnik i pushtetit privat, pasurisë private dhe sektorit të korporatave – kjo është arsyeja pse ata e lënë të vazhdojë me këto marrëzitë e tij të dukshme.
Është një lloj goditjeje kur shikon të madhin dhe të fuqishmin të bëhen bashkë. Shikoni konferencën e fundit në Davos, në janar. Kishte tre folës kryesor. I pari, natyrisht, ishte Trump-i. Ata nuk e duan. Ata nuk e duan aspak sepse u pëlqen të paraqesin një imazh humanizmi, sjelljeje të civilizuar, mirësjelljeje, “besoni tek ne”, e gjëra të tilla. Por kur ai foli, e duartrokitën në mënyrë të zjarrtê. Ata nuk mund të duronin asgjë nga ato që ai thoshte. Është ky mburraveci atje lart që është duke thënë sesa i mrekullueshëm është. Ata ndoshta po binin gërmuq në vendet e tyre, por e duartrokitën zjarrtë sepse ka një linjë që ai tha se ata e kuptojnë, e cila është kuptimplote: Unë do t’ju sjell shumë pará në xhepa, prandaj më mirë më toleroni. Kjo është mënyra sesi ai është parë nga elitat e fuqishme këtu. Po ne nuk mund ta durojmë, ai është një krijesë e neveritshme, por ai e di se në cilën anë është e lyer me gjalpë buka: në anën tonë.

Ajo që ju po thoni duket më shumë e ngjashme me diskursin mainstream të qendrës së majtë mbi Trump-in dhe kërcënimin unik që ai paraqet për demokracinë amerikane sesa atë ndaj disa diskurseve të majta. Jam kurioz nëse keni qenë në dijeni të kësaj në analizën tuaj dhe nëse mendoni se kjo është interesante apo qesharake.

Hëm, nuk e kam vërejtur këtë. Për shembull, ne sapo kaluam dy nga ekstravagancat katërvjeçare: Konventat. I madh mbulimi i tyre. A keni dëgjuar ndonjë frazë në lidhje me kërcënimin e luftës bërthamore? Unë nuk dëgjova. Ndoshta diku. Ky është kërcënimi kryesor me të cilin përballet bota. Nuk diskutohet. Keni dëgjuar disa komente për faktin që ndoshta Trump-i nuk po bën gjëra të mira për klimën. A keni dëgjuar diçka mbi të qenit krimineli më i keq në historinë njerëzore?

Krimineli më i keq në historinë njerëzore? Kjo thotë diçka.

Po. A është e vërtetë?

Hëm, keni Hitlerin, Stalinin dhe Maon.

Stalini ishte një përbindësh. A po përpiqej të shkatërronte jetën e organizuar njerëzore në tokë?

Hëm, ai po përpiqej të shkatërronte shumë jetë njerëzish.

Po, ai po përpiqej të shkatërronte shumë jetë, por jo jetën e organizuar njerëzore në tokë, as Adolf Hitleri. Ai ishte një përbindësh i plotë, por nuk ia kushtoi përpjekjet e tij në mënyrë të vetëdijshme qëllimit të shkatërrimit të perspektivës së jetës së njeriut në tokë.
Le të marrim disa nga publikimet e tyre. Disa vjet më parë, ju mund të kujtoni që Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostradë publikoi një analizë prej disa qindra faqesh. Ata arritën në përfundimin se në kursin tonë të tanishëm, ka të ngjarë të arrijmë katër gradë Celsius, shtatë gradë Fahrenheit, mbi nivelet paraindustriale, deri në fund të shekullit. Kjo është një kataklizëm e plotë. Çdo shkencëtar i klimës do t’jua thotë këtë. Dhe ata nxorën një përfundim prej tij. Ne nuk duhet të vëmë kufizime në shkarkimet e automjeteve dhe kamionëve. Ne duhet të limitojmë kufizimet. A mund të gjeni diçka të ngjashme me këtë në historinë njerëzore? Ju lutem më thoni.

Unë…

Epo, mund të mendoj për një gjë që mbase i afrohet. Deklarata e Wannsee-t, në vitin 1942, kur partia naziste i dha goditjen e fundit planetit për të zhdukur të gjithë hebrenjtë dhe për të vrarë dhjetëra miliona sllavë. Kaq e tmerrshme. A është kjo po aq e keqe sa ai publikim që sapo përmenda?

Unë nuk jam dakord për ligësinë e Trump-it. Nuk jam i sigurt nëse ai synon ta shkatërrojë planetin aq shumë sa ai synon të shikojë Fox News-in dhe që po ndjek thjesht ca politika të tmerrshme prej kombinimit të përtacisë dhe nihilizmit, duke qenë i rrethuar nga hileqarë dhe nihilistë.

Unë nuk po flas për Trump-in si qenie njerëzore. Nuk do shqetësohesha për të. Unë po flas për politikat. Politikat janë të qarta; mirëkuptimi është i qartë. Askush nuk jeton majë shkëmbit sa të mos ta kuptojë që maksimalizimi i përdorimit të lëndëve djegëse dhe eleminimi i kufizimeve do të çojë në katastrofë. Dokumenti që sapo përmenda thekson se jemi duke rendur drejt një katastrofe totale.

Një gjë për të cilën jeni kritikuar, në të kaluarën, është të mosparit e qëllimeve të njerëzve, veçanërisht në kontekstin e politikës së jashtme. Ju thoni se nuk ju intereson aq shumë. Dhe aty duket sikur po rrëshkisnim në krahasimin e Stalinit apo Hitlerit, ku synimet e tyre ishin padyshim për të vrarë njerëz.

Më vjen keq. Nuk jam dakord.

Nuk jeni dakord?

Synimet e Stalinit ishin të mbante pushtetin dhe kontrollin. Ai nuk donte të vriste njerëz si qëllim. Atij iu desh të vriste njerëz si një mjet drejt këtij qëllimi. Merrni, të themi, Henry Kissinger-in. Kur ai i dërgon një direktivë Forcës Ajrore Amerikane në lidhje me një fushatë masive bombardimesh në Kamboxhia, ku thotë: “Çdo gjë që fluturon për çdo gjë që lëviz”, a ka ai qëllim të kryejë gjenocid? A më intereson? Jo. Thjesht më intereson që kjo është ajo që tha ai.

Për t’u kthyer në një pikë të mëparshme: e majta shpesh e ka përshkruar Trump-in si një simptomë të rënies amerikane apo të sjelljes së keqe amerikane dhe thotë se kërcënimi i vërtetë për demokracinë amerikane janë të gjitha këto gjëra që kanë qenë të vërteta për ne për një kohë të gjatë. Qendra e majtë shpesh e ka përshkruar Trump-in si një figurë unike malinje, e cila po kërcënon një demokraci që po funksiononte më mirë sesa mendonin disa njerëz të majtë. Ju dukej sikur do të zbrisnit në anën më ekstreme të këtij debati – i cili, duke pasur parasysh statusin tuaj në të majtën amerikane, mendova se ishte interesant.

Me falni Unë mendoj se demokracia [amerikane], së pari as nuk ia vlente. A doni që me të vërtetë të flasim për këtë? Etërit Themelues, le të kthehemi tek ata. Ata ishin të përkushtuar në reduktimin e demokracisë. Puna kryesore shkencore mbi Konventën Kushtetuese, standardi i artë për sot, është libri i Michael Klarman-it dhe quhet “Grushti i shtetit Framer” – grusht i tyre i shtetit kundër demokracisë. Popullata e përgjithshme dëshironte më shumë demokraci.
Framerat donin ta kufizonin atë; nuk u pëlqente ideja e demokracisë. Pamja e tyre ishte pak a shumë ajo e John Jay-t: njerëzit që zotërojnë vendin duhet ta sundojnë atë. James Madison-i shpjegoi se një nga qëllimet kryesore të qeverisë është të mbrojë pakicën e njerëzve të pasur kundër shumicës dhe Kushtetuta u krijua për të parandaluar atë që quhet tirania e shumicës, që do të thotë demokraci. Ju duhet të mbroni pakicën; i bollëkshmi duhet të mbrohet.
Ekzistojnë të gjitha llojet e mënyrave nëpërmjet të cilave u bë kjo. Ka patur një betejë për këtë gjatë shekujve. Por që nga, përafërsisht viti 1980, që kur filloi regresioni neoliberal, ka patur një rënie të ndjeshme të demokracisë pjesërisht funksionuese që ekzistonte më parë. Ky është një reflektim i menjëhershëm i politikave që u zgjodhën. Ju kujtoni Adresën [e parë] Përuruese të Reagan-it: qeveria është problemi. Çfarë do të thotë kjo? Vendimet po merren diku. Nëse ato nuk bëhen në qeveri, e cila është nën ndikimin të paktën të pjesshëm të popullsisë, ato po merren në sektorin privat nga institucione private të papërgjegjshme.
Hidhni një vështrim më nga afër dhe 0,1 përqind e popullsisë tani zotëron njëzet përqind të pasurisë së vendit. Ka pasur një efekt të madh në sistemin politik për arsye krejtësisht të dukshme. Ke dikë të zgjedhur në Kongres. Gjëja e parë që ata duhet të bëjnë është të marrin në telefon, të telefonojnë donatorët për t’u siguruar që do të financohen në fushatën tjetër elektorale. Ky është lloji i demokracisë që kemi pasur para Trump-it. Ai e ka goditur këtë me topuz dhe e ka bërë shumë më keq.

Sa për të ndryshuar teknikën për një minutë, sa vjeç jeni tani?

Hën, për dy muaj do të jem nëntëdhjetë e dy.

Si janë ditët tuaja?

Ditët e mia janë shumica kështu, përveç që zakonisht është më shumë Zoom-i sesa telefoni. Sot, ndoshta katër orë intervista; ditë të tjera, biseda. Kam bërë një bisedë të gjatë të hënën në Brazil, disa dhjetëra mijëra njerëz që kritikojnë qeverinë e tyre dhe politikat e saj. Pardje mbajta një fjalim për takimin hapës të International Progressive. Dita ime ndërthuret me intervista, biseda, deklarata, takime për punën teknike shkencore, që vazhdojnë në të njëjtën kohë. Pra, ka mjaft denduri.

Çfarë bëni për t’u zbavitur?

Nuk mund ta them fjalën, përndryshe do të hapet dera me ngut dhe qente do më vijnë te këmbët, por kjo është një nga gjërat që bëj.

Për çfarë jeni më krenar në karrierën tuaj dhe për çfarë pendoheni më shumë?

Me të vërtetë që nuk mund t’i përgjigjem kësaj. Një nga përparësitë, të cilës unë përpiqem t’i përmbahem është të qëndroj larg pyetjeve personale. Gjërat që janë të mira, gjërat që janë të këqija – ky gjykim u takon njerëzve të tjerë.

Nuk doja të thosha mirë apo keq. A ka ndonjë libër apo bisedë ose diçka për të cilën jeni më krenar?

Epo, kur shikoj prapa, siç bëj shpesh për të parë gjërat, kuptoj sesa më e mirë mund të ketë qenë [puna ime e hershme]. Lloji i punës që më pëlqen shumë është puna profesionale. Dua të them, nëse bota do të zhdukej, unë do të isha krejtësisht i lumtur të punoja vetëm për problemet me interes real intelektual. Ato janë emocionuese. Unë mendoj se ka patur një pasqyrim të vërtetë në bazat e gjuhës, mendjes, mendimit njerëzor, sesi është ndërtuar, natyra e saj, origjina e saj, etj. Kjo është me të vërtetë punë emocionuese dhe shumë më tërheqëse për mendjen sesa ajo për të cilën kemi folur – e cila është shumë e rëndësishme, por shumë në sipërfaqe.

Unë intervistoj shumë njerëz dhe kur intervistoj shkrimtarë, ata shpesh do të thonë: “Oh, shumë kohë në politikë. Do të doja të përqendrohesha në art, letërsi apo shkencë ose diçka tjetër, por politika ka një mënyrë për të marrë shumë hapësirë ​​trunore dhe kohë.” A e keni fjalën për këtë?

Kohë — por jo shumë hapësirë ​​për trurin. Dua të them të vërtetën: Ndërsa jap intervista dhe flas për gjëra, një pjesë e mendjes sime punon për probleme teknike, të cilat janë shumë më interesante.

Pra, ndërsa po flasim, një pjesë e trurit tuaj është e përqendruar në gjuhë apo shkencë apo diçka tjetër?

Po, gjithmonë. Vetëm se është në prapaskenë, duke menduar për problemet që kanë dalë. Ajo për të cilën po flasim ka të bëjë me gjërat më urgjente që mund të imagjinoni – mbijetesa njerëzore, fati i nipërve të mi, të gjithë llojet e gjërave. Më kujtohet një koment që Bertrand Russell-i bëri dikur, rreth vitit 1960 apo më pas. U pyet pse po marshonte në moshën e tij në demonstrata anti-bërthamore, kur ai mund të punonte për probleme të filozofisë, serioze për kohërat. Përgjigjia e tij ishte pak a shumë kështu: Nëse nuk jam këtu duke demonstruar kundër armëve bërthamore, nuk do të ketë më njeri përreth që ta lexojë filozofinë.

Po arti? A jeni konsumator i tij?

Hëm, gjatë verave, përpiqem të kënaq veten duke lexuar gjysmë duzinë romanesh ose ndoshta duke shkuar në ndonjë muze apo duke shkuar nëpër koncerte. Këtë verë nuk munda t’i bëja këto. Tensionet kanë qenë aq të larta, ritmi ka qenë kaq intensiv, saqë nuk mund të bëj gjëra të tilla.

Tensionet në lidhje me atë që po ndodh në vend e keni fjalën?

Dhe në botë. Në të vërtetë bombardohem me kërkesa për biseda dhe intervista. Siç sapo thashë, dy ditët e fundit, një në Brazil, një në Islandë, një diku tjetër.

Ju mund t’u thoni jo disave prej tyre, apo jo?

Unë u them jo një përqindjeje të madhe të tyre, por ato janë shumë të rëndësishme. Këtë mëngjes, rastësisht kam patur një me një grup të vogël në Indi. Ndonjë herë tjetër mund të jetë një grup në Kolumbinë Jugore. Janë gjithandej. Ka shumë njerëz që me të vërtetë po bëjnë gjëra shumë serioze. Bashkëveprimi me ta është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua – unë bashkëveproj me ta sepse ata vazhdojnë të pyesin. Pra, po, gjithandej. Duhet të marr ndoshta një mijë letra në ditë. Mundohem t’i përgjigjem asaj që mundem.

Ju jeni i famshëm për nënshkrimin e çdo peticioni që ju dërgohet.

Të shumë prej tyre. Jo të gjithëve, por të një numri të konsiderueshëm. Nëse mendoj se ata kanë ndonjë meritë serioze si ndoshta shpëtimi i jetës së ndokujt. Nëse nuk më pëlqen mënyra sesi janë përshtatur, zakonisht nuk e nënshkruaj.

Unë mendoj se polemika më e madhe që keni patur ishte ndoshta Çështja Faurisson. Kjo i përshtatet, mendoj, asaj që thashë për ju; të qenit i gatshëm të përgjigjeni me e-mail dhe me letra, si dhe të nënshkruani peticione apo kështu me radhë. A keni ndonjë keqardhje për këtë dhe si “u luajt”? [Katër dekada më parë, Chomsky mbrojti vazhdimisht të drejtat e fjalës së lirë të Robert Faurisson-it, profesor francez i letërsisë dhe mohues i Holokaustit.]

Jo, nuk jam penduar për luftën për lirinë e fjalës dhe kundërshtimin e ligjeve të stilit stalinist në Francë – të cilat thonë se shteti, shteti i shenjtë, ka të drejtë ta përcaktojë të vërtetën historike dhe të ndëshkojë devijimin nga ajo që pohon. Unë nuk kam asnjë rezervë për ta kundërshtuar këtë.

Ju nënshkruat letrën e Harper-it për fjalën e lirë dhe “bojkotin kulturor”. Çfarë i bëtë asaj letre?

Ajo letër ishte aq “anodine” dhe e parëndësishme; mezi e vura re. E vetmja gjë interesante në lidhje me të është reagimi ndaj saj. Reagimi ishte i jashtëzakonshëm. Ai tregoi se problemi është shumë më i madh nga sa mendoja se ishte.

Mund të tregoni më shumë për këtë?

Problemi ishte se njerëzit qenë të zemëruar për faktin që dikush duhet të bëjë një deklaratë “anodine”, një deklaratë të thjeshtë, ku thotë se duhet të përkushtohemi ndaj lirisë së fjalës, madje edhe ndaj pikëpamjeve që nuk na pëlqejnë. Mendova se ato gjëra njerëzit ia thonë njëri-tjetrit edhe në gjumë. Por me sa duket shumë njerëz thanë: “Jo, nuk mund ta them këtë, shumë e rrezikshme” – të gjithë llojet e interpretimeve të çmendura. Disa nga interpretimet ishin vërtet të brutale. Një pjesë e madhe e protestës ishte për njerëzit që e nënshkruan. Si mund të nënshkruash një deklaratë që e nënshkruan edhe filani edhe fisteku? Duhen tridhjetë sekonda mendim për të kuptuar nëse e pranon atë parim, nuk ka deklarata për arsye shumë të thjeshta. Ti ke marrë mjaft peticione për të nënshkruar. A e di kush tjetër do t’i nënshkruajë? Nëse pyetja se kush tjetër nënshkruan një deklaratë është një kriter për nënshkrimin e saj, atëherë askush me logjikë të drejtë nuk nënshkruan kurrë asgjë. Është thjesht ajo pika e logjikës që nuk mund t’u përshtatet individëve që ishin aq të indinjuar me dikë që thotë se nuk është ide e mirë t’u mbyllësh gojën njerëzve.

Duke lënë mënjanë letrën e Harper-it, unë mendoj se qëllimet e njerëzve kanë rëndësi dhe ne duhet t’i marrim parasysh. Nëse një punonjës i regjistrimit thotë se ka shumë hebrenj që punojnë në Hollywood, duke e deklaruar këtë si një fakt, kjo është ndryshe nga fakti që Donald Trump-i e thotë atë në një tubim. Të gjithë e dimë që dikush ka qëllime të ndryshme dhe duket se duhet të reagojmë ndryshe ndaj tyre, bazuar në personin që e thotë këtë. Ndoshta kjo të kthehet si bumerang atëherë kur nuk kujdesesh aq shumë për qëllimet.

Po, njerëzit i lexojnë gjërat ndryshe. Ajo për të cilën po flas është sesi i lexojnë. Ndoshta nënshkrues të ndryshëm kishin qëllime të ndryshme, padyshim. Unë mund ta shoh këtë nga lista e nënshkruesve. Por, për sa më përket mua, ajo që është në mendjen time është shumë e drejtpërdrejtë dhe unë ua them atyre aktivistëve prej dekadash. Mos merrni teknikat që përdoren rregullisht nga mainstream-i për shtypjen. Mos i adoptoni për veten tuaj. Pra, kultura e bojkotit nuk ndodhi që të përmendet në deklaratë, por shumë njerëz e lexojnë atë në të.
O.K., le të themi që po flasim për kulturën e bojkotit. Kultura e bojkotit është ngado mainstream-it. Mund t’ju jap shumë shembuj nga përvoja ime e gjërave të anuluara; e librave të tërhequr, e paraqitjeve në radiot kombëtare ku jam ndërprerë sepse dikujt nuk i pëlqente, disa menazherëve, disa të djathtëve nuk i pëlqente, një numër i pafund i këtyre gjërave. Kjo vazhdon gjatë gjithë kohës. Kjo është sjellja standarde e estabiblishmentit të mainstream-it. Njerëzit e së majtës po bëjnë një gabim serioz kur përpiqen ta imitojnë këtë gjë. Është e gabuar në parim; është gabim taktikisht. Është një dhuratë për të djathtën ekstreme dhe ata vazhdojnë me të. Ata e duan këtë. Në fakt, Trump-i po e ndërton fushatën e tij mbi këtë. Prandaj, të majtët, për të cilët jam i interesuar dhe aktivistët të tyre, duhet t’i kushtojnë vëmendje parimeve dhe pasojave taktike. Ato janë të rëndësishme. Kushtojini vëmendje atyre dhe mos përvetësoni sjelljen karakteristike shtypëse të mainstream-it të zakonshëm. Kjo është ajo që unë kuptova nga letra.

Unë mendoj se një nga gjërat për të cilat njerëzit kundërshtuan ishte pjesa ku letra thoshte se liria e fjalës po ngushtohej gjithnjë e më shumë. Për pikëpamjen tuaj, kjo ka qenë gjithmonë në vazhdimësi dhe gjithmonë ka qenë pjesë e mainstream-it dhe disa njerëz menduan se duke thënë se po përkeqësohej, hartuesit e letrës po bënin një pikë specifike për të majtën dhe kulturën e bojkotit.

Hëm, ajo që po thoni është e saktë. Më keq, por kjo nuk do të thotë se ishte mirë më parë. Pra, të shtosh një fraksion të vogël në atë që bën mainstream-i është gabim.

Ka edhe shumë më shumë hapje në mënyra të caktuara. Njerëzit me raca të ndryshme dhe identitete gjinore janë në gjendje ta ngrenë zërin më qartë tani… dhe kjo në shumë mënyra…

Kjo është e gjitha për të mirën. E gjitha është pozitive dhe e shkëlqyer. Për këtë ka qenë aktivizmi. Unë kam qenë pjesë e tij tërë jetën time dhe e kam mbështetur, por është gabim kur shkon përtej kësaj në përpjekje për të bërë të tjerët të heshtin.

A mendoni se ka ndonjë tension te e majta midis ankesave për drejtësi racore dhe barazi gjinore e kështu me radhë dhe ankesave të bazuara në klasën shoqërore?

Është krejtësisht e kuptueshme që katërqind vjet shtypje e egër dhe shpesh, jashtëzakonisht e dhunshme, pafund, ka lënë një trashëgimi të hidhur – që duhet të jetë shqetësimi më i lartë për Shtetet e Bashkuara. Po flas për fatin e afro-amerikanëve, natyrisht. Është krejtësisht e kuptueshme që margjinalizimi, keqtrajtimi, shtypja e të drejtave të grave duhet të jetë një shqetësim i madh. Është gjithashtu shumë domethënëse të kihet parasysh se Shtetet e Bashkuara kanë një histori jashtëzakonisht të dhunshme dhe brutale të punës dhe një histori të gjatë të shtypjes së punës. Është bërë shumë më keq që kur neoliberalët e filluan të gjithë. Reagan-i dhe Thatcher-i, të dy ata ose kushdo që ishte pas tyre, e kuptuan menjëherë se nëse do t’ua dorëzonim gjithçka të pasurve dhe sektorit privat, duhej të hiqnin aftësinë e njerëzve për të mbrojtur veten, dhe aftësia për të mbrojtur veten është kryesisht në duart e sindikatave të punës. Kështu që lëvizjet e para që ata bënë ishin të ndikonin dhe të minonin rëndë lëvizjen e punës. Kjo është një pjesë brutale e një historie të gjatë. Pra, po, edhe kjo duhet të paraqitet.
Tani, të gjitha këto gjëra duhet të bashkohen së bashku. Jam i sigurt që ju kujtoni se Martin Luther King, Jr, në fund të jetës së tij, në pikën ku ai po humbte ndjeshëm mbështetjen liberale, po përpiqej të organizonte një fushatë të njerëzve të varfër, Bardhë e Zi, kudo që të jeni e nga — ju jeni njerëz të varfër punëtorë që luftoni. Kjo është fushata jonë. Kjo është ajo që duhet të bëhet. Të gjitha këto shqetësime ndërveprojnë. Ato janë të integruara. Të gjitha duhet të trajtohen. Ju mund ta kuptoni pse, për disa njerëz, disa prej tyre janë më të rëndësishme se të tjerët, por është çështje e bashkimit të të gjithëve së bashku, sepse ata janë në thelb të gjithë në të njëjtën anë. Në lidhje me krizat e mëdha me të cilat përballen njerëzit, shumë më keq se gjithçka në historinë e tyre, kriza fjalë për fjalë: për mbijetesën e njerëzimit: në lidhje me këto, nuk është çështje vetëm bardhë e zi e të tjera si këto; është çështje internacionalizmi. Këto probleme janë të gjitha në shkallë ndërkombëtare dhe, duke u kthyer te Administrata Trump, ato po shkatërrojnë çdo pjesë të bashkëpunimit ndërkombëtar. Është një sulm i madh ndaj llojeve të strukturave institucionale që do të nevojiten për të kapërcyer krizat e mëdha që po afrohen.

Marrë nga: The New Yorker

Përkthimi: © Arlinda Guma

1 90 91 92 93 94 182
Go to Top