Fragment nga romani:”Terma humanitarë si fjala bombardim”/ Arlinda Guma
Arlinda Guma
– Burri ka një qen… ka edhe një grua…
Çdo mëngjes del në oborr dhe ulet në shkallët e gurta, me cigaren në cep të buzës. Cigarja rrëzohet përtokë kur ai ul kokën për të lidhur këpucët.
Ndërkohë që gishtat përpëliten përmes lidhëseve të ngatërruara, ai ndien pranë veshit zhumën e putrave të qenit, i cili afrohet mëdyshës. Qeni i ndalon hapat kur burri ngre kokën dhe ndesh vështrimin e tij.
Për disa minuta ata të dy shikohen drejt e në sy. Qeni nuk bën as para as mbrapa. Ai qëndron me njërën putër ngritur, mëdyshës ende… E ka të vështirë ta deshifrojë vështrimin e burrit.
Vështrimi i burrit është i zbrazët. Qeni mundohet të gjejë ndonjë shkrepëtimë të mekur ngrohtësie aty, por nuk ia arrin; brenda të përhirtës së syve të burrit nuk ka as egërsi, as butësi.
Kalojnë disa çaste të tjera.
Qeni dorëzohet i pari. Ai nis të përplasë qepallat butësisht, ndërsa burri, i bezdisur prej syve të tij të nënshtruar, largon vështrimin e zbrazët.
Qëllon ndonjëherë që burri të ngrejë dorën për të shkundur ndonjë qime nga xhaketa, pikërisht në atë çast qeni ia mbath i frikësuar. Burri e ndjek me sy vrapin e tij, pastaj nxjerr makinën nga garazhi dhe niset për në punë.
Por frika e qenit nuk është e gjitha e kotë. Qëllon (në të vërtetë… qëllon shpesh) që në çastin e kryqëzimit të vështrimeve, qeni të hajë papritur ndonjë shkelm të fortë në bark. Pikërisht atë çast qeni ka arritur ta lexojë vështrimin, por e gjithë kjo pa dobi, qeni e ka të pamundur të largohet para se të hajë shkelmin (çështje refleksesh të vonuara).
Pas goditjes qeni lëshon një klithmë té mbytur dhe largohet çalë-çalë. Ai futet në koliben e tij dhe rrëzon kokën mbi këmbët e parme.
Ndërsa makina e errët e burrit është duke u larguar, perdja e dritares mënjanohet paksa… dhe atje në cep të qelqit të veshur me avull dallohet mjegullazi shikimi i vrarë i gruas.
Ajo ndjek me sy makinën derisa zhduket në kthesë.
Më pas perdja lëshohet dhe fytyra e gruas nuk duket më.
“Terma humanitarë si fjala bombardim”
Arlinda Guma është autore e katër romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, “Bob Legjenda” – 2021 dhe “Marksi ka humbur kujtesën” – 2025. Ajo është krijuese e revistës defekt-teknik.com


