AUGUST MACKE-Ekspresionisti i butë, piktori i parajsës moderne dhe ribashkuesi i njeriut me natyrën

in Pikturë by

AUGUST MACKE-Piktor i Ekspresionizmit Gjerman dhe Anëtar i Grupit të Kalorësve Blu

Anëtar i lëvizjes së artit të Ekspresionizmit Gjerman, piktori dhe dizenjuesi jetëshkurtër, August Macke ishte një nga themeluesit e Kalorësve Blu (Der Blaue Reiter), një grup avantgard i piktorëve ekspresionistë me bazë në Mynih. I influencuar nga artistët modernë në Francë si edhe në Gjermani, Macke zhvilloi një stil të ekspresionizmit që mund të njihet me lehtësi, të shenjuar nga ngjyra të thella, të ndezura dhe nga mjeshtëria me vetëbesim. Gjatë një karriere që ka zgjatur më pak se nëntë vite, ai ia doli që të prodhonte një gamë të gjerë veprash, sipas mënyrave dhe gjinive të ndryshme. Kompozimet e tij të ndryshme, të qeta, thuajse lirike, përfshijnë shembuj të shumtë pikturash peizazhi dhe arti të portreteve, si edhe të pikturës së zhanrit (pikturimi i skenave nga jeta e përditshme). Në përgjithësi, imazheria harmonioze e Macke-s prodhon një ndjesi të fortë qetësie e rendi në artin e tij dhe veprat e tij, të çliruara nga zemërimi, janë karakterizuar si “ekspresionizmi i butë”. Ai u kthye në një kontribues të rëndësishëm të artit modern në Gjermani dhe në një nga piktorët më novatorë të fillimshekullit të 20-të. Ai u vra në Frontin Perëndimor në shtator të vitit 1914, në javët e para të Luftës së Parë Botërore.

TRAJNIMI

I lindur në Meschede, Westphalia (rajon i Gjermanisë veriperëndimore), Macke e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Këln. Ai ishte shumë pak i interesuar për librat e shkollës dhe prefereonte ta kalonte kohën duke vizatuar dhe skicuar. Kur shte 16 vjeç, ai u takua me një vajzë të re, Elisabeth-ën, me të cilën në fakt u martua. Nga viti 1904 deri në vitin 1906 studioi në Akademinë e Artit në Dusseldorf, por atij iu dukën metodat e mësimdhënies ekstremisht të vjetra. Fatmirësisht ai zbuloi një shkollë arti shumë më progresive në qytet, klasat e mbrëmjes të së cilës ishin shumë më stimuluese dhe ku ai u angazhua në eksperimentimin e një numri të ndryshëm teknikash pikturimi dhe gravurash. Ai kontribuoi gjithashtu në dizenjimin e kostumeve dhe të skenave për teatrin e qytetit. Nga viti 1906 ai udhëtoi edhe në Itali, Hollandë e Belgjikë, udhëtime të cilat u paguan nga xhaxhai i Elisabeth-ës, Bernhard Koehler-i, koleksionist i shquar arti. Në vitin 1908, këto udhëtime kulminuan me vizitën e parë të Macke-s në Paris, ku Koehler-i e prezantoi atë me artin më hipermodern të qytetit, duke përfshirë Fauvizmin me ngjyra të gjalla, Kubizmin pak më të vrazhdë dhe veprat e Paul Cezanne-t (1839-1906) dhe Robert Delaunay-t. Ai vizitoi disa galeri dhe studio, ku u takua me artistë të shumtë live. Gjatë asaj kohe ai kaloi gjashë muaj në Berlin, duke studiuar me piktorin e famshëm Lovis Corinth (1858-1925). Në vitin 1909 ai u martua me të dashurën e tij, Elisabeth-ën.

KALORËSIT BLU (DER BLAUE REITER)

Në vitin 1910, Macke u takua me piktorin gjerman Franz Marc (1880-1916) dhe që të dy u bënë miq të ngushtë. Në fakt, marrëdhënia e tij me Marc-un rezultoi me shumë përfitim për artin e tij. Në të njëjtin vit ai u bashkua me Neue Kunstlervereinigung-un (Federatën e Artistëve të Rinj) në Mynih dhe në vitin 1911 ishte anëtar i grupit që u shkëput dhe që formoi Kalorësit Blu. I udhëhequr nga emigranti rus Wassily Kandinsky (1866-1944), anëtarët e tjerë ishin Franz Marc, Paul Klee (1879-1940) dhe “Matisse rus” – Alexei von Jawlensky (1864-1941). Shumë piktorë të tjerë modernë morën pjesë në ekspozitat e Kalorësve Blu, duke përfshirë fauvistin Andre Derain (1880-1954) dhe Maurice de Vlaminck-un (1876-1958), kubistin Picasso dhe Braque-n (1882-1963), artistët rusë Natalia Goncharova (1881-1962) dhe Mikhail Larionov (1881-1964), si edhe Gabriele Munter-in (1887-1914), por ishin këta pesë anëtarët kyçë që mishëruan shpirtin e këtij grupi. Nëpërmjet Koehler-it, Macke siguroi fonde për një nga kontributorët më të rëndësishëm të artit modern – publikimin e Almanakut të Kalorësve Blu në vitin 1911 – për të cilën Macke gjithashtu shkroi një artikull. Për më tepër, ai ndihmoi në financimin e ekspozitës më të madhe evropiane të arti avantgard të inskenuar në Gjermani në atë kohë – Sallonin e Parë të Vjeshtës Gjermane (1913) – tek Galeria Sturm në Berlin, në pronësi të tregtarit/koleksionistit Herwarth Walden (1879-1941).

STILI I MACKES SË PIKTURËS EKSPRESIONISTE

Megjithëse kontribues i rëndësishëm i lëvizjes ekspresioniste, Macke nuk ishte më të vërtetë i interesuar për idetë teorike, as të Kandinsky-t apo të Marc-ut: në veçanti, letrat e tij tregojnë se ai kishte pak kohë për artin abstrakt të Kandinsky-t. Në vend të kësaj, ai zhvilloi një stil personal të pikturimit, duke huazuar nga Kubizmi, stili i tij ishte njëherësh figurativ dhe invensivisht shumëngjyrësh. Ai i konsideronte reflektimet mbi problemet metafizike si një humbje kohe. Koha e pakët që ai kishte u përdor për të kënaqur kuriozitetin e pangopur të tij ndaj jetës. Për pasojë, tematikat e tij kryesore ishin të thjeshta, skenat e jetës së përditshme: as rritja e shpejtësisë së jetës urbane të shekullit të 20-të dhe as qetësia e këndvështirmeve rustike, nuk përbënin asnjë magjepsje për të. Ai pikturoi njerëz modernë, të veshur mirë, në mjedise të qeta, të harmonishme dhe të bëra nga njeriu: në parqe, në rrugë kryesore, në kopshte zoologjikë, në brigje lumenjsh apo në dritare dyaqanesh, si edhe skena nga baleti dhe cirku. Në kontrast me pikturat e tjera ekspresioniste, pikturat e Macke-s nuk përmbajnë as nxitim, shpejtësi dhe as tension: në vend të këtyre, në mënyrë tipike ato paraqesin bashkëbisedime të qeta apo njerëz të ulur duke lexuar apo duke parë kafshët ose duke ecur shtruar apo thjesht duke parë nga dritaret e dyqaneve. Nuk është çudi që ai ishte i tërhequr veçanërisht nga kopshtet zoologjikë në Këln, ku ai pikturoi fëmijë duke luajtur apo vizitorë duke shëtitur midis papagajve, flamingove, strucëve dhe drerëve. Këto piktura duket se paraqesin një lloj parajse moderne brenda qytetit, ku njerëzit ribashkohen me nayrën. Përdorimi i ngjyrës nga ana e Macke-s është më tipik me pikturën e Kalorësve Blu: që varion nga intensivisht e gjallë (por kurrë çjerrëse) deri tek qetësisht atmosferike. Nëpërmjet përdorimit të ngjyrës nga ana e tij, ai ia doli që të nxirrte në pah një cilësi joshëse, ekzotike, madje edhe në mjediset më të zakonshme që ai zgjidhte. Kështu, ai i rrethon figurat e tij me gjethnajë shumëngjyrëshe të ndezur, qiej vjollcë ose turkezë dhe me ngastra me të verdhë intense, duke dhënë një dritë të fortë dielli. Gratë e tij vishen me kapele të zbukuruara me pendë ekstravagente, duke e bërë jetën urbane dhe periferike të duket e zbukuruar dhe ekzotike.

ZHVILLIMET ARTISTIKE (1912-13)

Në vitin 1912, Macke shkoi në Paris dhe u takua me Robert Delaunay-n (1885-1941), “Orfizimin” e të cilit ai e admironte aq shumë. Ai e stimuloi atë që të prodhonte një sërë pikturash abstrakte në stilin orfist, me një ndërthurje formash dhe ngjyrash, të tilla si: Kompozimet e Ngjyrosura (Homazh për Johann Sebastian Bach, Muzeu Wilhelm-Hack, Ludwigshafen), Forma e Ngjyrosur I (1913, Muzeu Shtetëror i Artit dhe i Kulturës, Munster) dhe Forma e Ngjyrosur II (1913, Muzeu Wilhelm-Hack, Ludwigshafen). Influenca e Delaunay-t u shtri gjithashtu tek kompozimet figurative të Macke-s, ku ngjyrat “orfike” të francezit janë ndonjëherë të dukshme, por pigmentet e ngjyrave të Macke-s mbeten tipikisht më të forta dhe më të pasura. Në vitin 1913, Macke mori pjesë në dy ekspozita të rëndësishme të arteve të bukura: ekspozita e Ekspresionistëve të Rhenish-it në Bon dhe Salloni i Parë i Vjeshtës Gjërmane në Berlin. Në të njëjtin vit lindi djali i tij i dytë, dhe familja u zhvendos në një shtëpi piktoreske liqeni në Zvicër.

TUNIZIA (1914)

Në pranverë të vitit 1914, ai shkoi më larg në kërkim të subjekteve më ekzotikë shumëngjyrësh. Së bashku me Paul Klee-n dhe një mik zviceran, piktorin Louis Moilliet-in, ai udhëtoi në Tunizi. Që të tre u frymëzuan shumë nga drita e fortë dhe rrethinat shumëngjyrëshe të Afrikës së Veriut dhe e kaluan çdo ditë në diell të nxehtë, duke skicuar malet, palmat, devetë dhe fshatrat e zbardhur që ata panë. Macke ishte veçanërisht i interesuar për vendasit: ai vizatoi dhe pikturoi tregtarët arabë duke shitur mallrat e tyre në rrugë, jetën e ngarkuar të portit dhe njerëzit duke u qetësuar nëpër kafene. Në më pak se dy javë ai realizoi me qindra skica dhe më vonë ai i ktheu ato në disa nga pikturat e tij në vaj më të mira. Por pikturat e gjalla në akuarel që ai bëri në këtë udhëtim renditen ndoshta tek arritjet e tij më të mëdha artistike.

Disa muaj më vonë filloi Lufta e Parë Botërore. Macke u rekrutua në ushtri në fillim të gushtit, ku u vra vetëm disa javë më pas, në moshën 27 vjeçare. Ai u vajtua nga të gjithë ata që e njihnin, veçanërisht nga miku i tij i ngushtë Franz Marc, i cili do të pësonte të njëjtin fat dy vite më pas.

PIKTURAT

Gjatë karrierës së tij tragjikisht të shkurtër, August Macke zhvilloi një stil pikturimi – në të vërtetë, një përzierje e Impresionizmit, Fauvizmit, Kubizmit dhe Orfizmit – ngjyrat harmonioze dhe imazheria e qete e të cilit formuan një kundërekuilibër ndaj artit më këndor dhe ndaj impaktit “çjerrës” të Grpit Ura (Die Brucke) në Dresden dhe Berlin – shikoni, veçanërisht veprat nga Ernst Ludwig Kirchner (1880-1938) dhe Karl Schmidt-Rottluff (1884-1976). Pikturat e Macke-s mund të gjenden në disa nga muzetë më të mirë të artit në Evropë, si edhe në galeritë provinciale nëpër Gjermani.

Peizazhet e tij më të mirë përfshijnë Fushën e gjallë të Perimeve (1911, Muzeu Shtetëror i Artit, Bon), Pamja e gjelbëruar e Kopshtit (1911, Westdeutsche Landesbank, Dusseldorf), Kisha Urbane e Shën Merit në Borë (1911, Kunsthalle, Hamburg), Shtëpia e Kuqe vibruese në Park (1914, Muzeu Shtetëror i Artit, Bon) dhe Kafja ekzotike Turke I (1914, Bon). Midis pikturave të portreteve të tij më madhështore janë Gruaja e artistit me kapele (1909, Muzeu Shtetëror i Artit dhe Kulturës, Munster), Autoportret me Kapele (1909, Bon), Nudo me Varëse me Korale (1910, Muzeu Sprengel, Hannover) dhe Portret i Franz Marc-ut (1910, Galeria Kombëtare, Berlin). Pikturat e tij të zhanrit, më të mirat, përfshijnë: Kopshti i Restorantit (1912, Muzeu i Artit, Basel), Kopshti Zoologjik I (1912, Galeria Shtetërore Lenbachhaus, Mynih), Dyqani i Kapeleve (1914, Muzeu Folkwang, Essen), Katedralja e Freiburg-ut, Zvicër (1914, Koleksioni i Artit Nordrhein-Westfalen, Dusseldorf), Një burrë duke lëxuar në park (1914, Muzeu Ludwig, Këln).

Përveç pikturave të tij në vaj dhe akuareleve, Macke prodhoi një sërë gdhendjesh në dru dhe artikuj poçarie, si edhe gravura e dizenjo tapetesh, qëndisjesh, sixhadesh, etj.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top