ANALIZË E PIKTURËS “FILLIMI” (TRIPTIK), 1949, NGA MAX BECKMANN

in Pikturë by

JETA SI NJË KARNAVALE E MARRËZISË NJERËZORE!

Një nga pikturat moderne më madhështore të messhekullit të 20-të!

I adhuruar për autoportretet e tij të guximshëm dhe triptikët e fuqishëm, Max Beckmann arriti sukses financiar të hershëm me artin e tij biblik dhe u zgjodh në Bordin e Suksesionit prestigjoz të Berlinit kur ishte vetëm 26 vjeç. Megjithatë, përvoja e tij si vullnetar mjekësor gjatë Luftës së Parë Botërore, e ndryshoi tërësisht stilin e tij të pikturimit. Gjatë viteve 1920, ai u asociua me Grupin “Neue Sachlichkeit” (Objektiviteti i Ri) dhe filloi prodhimin e portreteve dhe autoportreteve të tij ekspresionistë, të cilët janë ekspozuar gjerësisht.

Në artin e portreteve dhe në pikturat e figurës(ave) të pasluftës, ai e ka paraqitur JETËN SI NJË KARNAVALE TË MARRËZISË NJERËZORE, duke përdorur penelata ekspresioniste dhe ngjyra shumë më të thella dhe me konture të theksuara. Për më tepër, në fillim të viteve 1930, si rezultat i interesit të tij të madh për pikturën mesjetare, ai prodhoi gjithashtu një seri prej dhjetë pikturash alegorike në triptik (1932-50), nga të cilat triptiku: “Fillimi” është numri tetë. Në vitin 1933, ai u hoq nga autoritetet naziste nga pozicioni i tij mësimdhënës pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Frankfurtit. Në vitin 1937, dhjetë nga pikturat e tij u përfshinë në ekspozitën e nazistëve për “artin e degjeneruar”, dhe atij iu ndalua praktika si artist. Në përgjigje të kësaj, Beckmann fluturoi për në Amsterdam. Në vitin 1947, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku vdiq tre vite më pas.

Triptiku “Fillimi” është frymëzuar nga një ëndërr të cilën Beckmann e regjistroi në ditarin e tij në prill 1946: “Sapo pashë një ëndërr absurde dhe të pakëndshme ku një Maçok me Çizme luante një rol duke më bërë mua shumë qesharak”. Ai filoi të punonte me pikturën në Amsterdam në tetor të vitit 1946, duke shkruar: “Që sot kam një draft të “Maçokut me Çizme”, që po del goxha interesant.” Në janar të vitit 1947, ai ka mbajtur shënime për fillimin e punës me panelet anësore të pikturës, duke iu referuar atyre si “L’Enfance” (Fëmijëria), dhe më vonë si “Jeunesse” (Rinia).

Beckmann e la punën për këtë pikturë shumë shpejt pas kësaj, ndoshta sepse ishte i zënë me lëvizjen e tij të afërt në Shtetet e Bashkuara. Vetëm pas një viti në Amerikë, ai filloi që ta përmendte sërish triptikun në ditarin e tij, ku në dhjetor të vitit 1948 ai shkroi: “Interesant, ai triptiku i vogël i vjetër i ri: L’Enfance (Rinia)”. Në prill të vitit 1949, ai ka shkruar se: “Ka ndarë me sukses të mrekullueshëm “Fillimin”. Pastaj mbeti ky titull i fundit dhe vepra u deklarua e përfunduar më 16 Maj, 1949.

“Fillimi” është ndoshta vepra kryesore e artit modern më autobiografike e Beckmann-it dhe ajo mund të lexohet, siç sugjeron edhe titulli i saj, si një alegori e fëmijërisë. Skenat e paraqitura në secilin nga tre panelet zhvillohen rreth një djali, i cili, në panelin e krahut të djathtë, është në rreshtin e pasëm të një klase shkolle për djem, ulur përpara një drejtori shkolle, i cili është strikt. Djali ka bërë një vizatim të një gruaje të zhveshur dhe ai po ia kalon atë një nxënësi tjetër, një veprim që Beckmann-i e mban mend nga ditët e tij të shkollës: “Unë vetëshquhesha në shkollë nga gjithë të tjerët, duke organizuar një punishte të vogël pikturimi gjatë leksioneve. Produktet kalonin nga dora në dorë dhe ato mesmerizonin (përthithnin vëmendjen) e shumë prej atyre të vobektëve të vegjël nga fati i tyre i zymtë skllavëror për disa minuta.”

Megjithatë, aktivitetet artistike të djalit ndërpriten shumë shpejt nga vështrimi i ngrysur i mësuesit që është fiksuar tek ai. Ndëshkimi i rëndë që mund të vijë pas kësaj tregohet nga fati i studentit përpara klasës, i cili është me fytyrë nga muri, me duar të ngritura sipër kokës. Përdorimi i ngjyrës kafe dhe të zezë të errët, skena klaustrofobike, dhe grilat e rënda prej hekuri në të majtë të panelit, e shtojnë edhe më shumë atmosferën shtypëse: ky është një vend kufizimesh fizike dhe psikologjike. Vetëm prania e një globi dhe e një pikture me ngjyra të gjalla të një peizazhi malor nënkuptojnë se ka një alternativë tjetër për këtë botë. Koka e skulpturuar pas mësuesit, harpa në planin e parë, dhe aktivitetet artistike të djalit sugjerojnë disa nga mjetet e arratisjes.

Në kontrast me ngjyrat tokësore të panelit të djathtë, ngjya blu dhe vjollcë në panelin e majtë i përket një plani mistik, nga i cili spektatorët janë të përjashtuar nga rrjeta e një kornize dritareje. Djali, tani i kurorëzuar, ia ka ngulur sytë hapësirës. Megjithatë, figura shoqëruese e adhuruar femërore, e magjepsur nga vetë pamja e saj në një pasqyrë, personifikon vanitetin dhe zhgënjimin tokësor. Afër, një qiri që po digjet simbolizon përkohshmërinë e ekzistencës njerëzore, në stilin e pikturave të vanitetit të shkollës hollandeze të shekullit të 17-të. Përtej dritares shfaqet një vizion fantastik për djalin mbret – një ushtri me qënie ëngjëllore që rrethojnë një muzikant të verbër. Në veprat më të hershme të Beckmann-it, muzikanti simbolizon FATIN, I CILI LUAN SËRISH DHE SËRISH KËNGËN E JETËS. MUZIKANTI I VJETËR ME MJEKËR, MUND TË SHIKOHET SI NJË VIZIONAR I VETMUAR, FUNDI I PASHMANGSHËM I ËNDRRËS SË ARTISTIT PËR LAVDI.

Kuptimet e paneleve anësore, bota e realitetit dhe bota e imagjinatës, bashkohen në panelin qëndror. Këtu, Beckmann-i paraqet një çerdhe, në të cilën djali i hipur mbi një kalë të bardhë lëkundës, që po vringëllin heroikisht një shpatë prej lodre, janë ato që dominojnë kompozimin. Maçoku me Çizme, një figurë guximtare përrallash, e njohur për suksesin e saj kundër përbindshave të rritur, varet shqetësueshëm nga çatia. Ndoshta, djali do ta shpëtojë atë së shpejti, por në kuadër të ëndrrës së Beckmann-it me shumë gjasa i riu e ka mundur macen, putrat lëkundëse të të cilit vijnë paralel me krahët e djalit që po ndëshkohet në panelin tjetër. I fshehur në dollap është pushtimi i radhës i fëmijës, kllouni kërcënues, një spektër tjetër i pasigurive të fëmijërisë.

Një grua epshndjellëse me flokë të kuq, e shtrirë në planin e parë, duke fryrë fllucka nga një tub argjile. E bukura shikohet si një imazh i brishtë. Beckmann-i e ka identifikuar këtë figurë si një guvernante, një rol që i shkon shumë mirë muzës dhe ‘famme fatale-s’. Ngjitur me të, një grua e moshuar po lexon një gazetë, indiferente ndaj asaj që e rrethon, duke ofruar dijet e botës nëpërmjet përvojës dhe mësimit. Prindërit e djalit, që shfaqen në një shkallë pas tij, valëvisin duart me mosmiratim, por janë të pafuqishëm për të ndalur rritjen e djalit të tyre.

Që nga vitet 1990, pikturat ekspresioniste të Beckmann-it kanë tërhequr një vëmendje më të madhe ndërkombëtare, me retrospektiva dhe ekspozita në MoMA (1995) dhe në Muzeun Samuel R. Guggenheim (1996) në Nju Jork, si edhe në muzetë kryesorë në Romë (1996), Madrid (1997), Zyrih (1998), Mynih (2000), Paris (2002), Londër (2003), Frankfurt (2006) dhe në Amsterdam (2007).

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top